Si u zhduk shpresa në Kosovë

Radioja publike zvicerane i ka kushtuar një reportazh situatës në Kosovë

Foto: Fahredin Spahija



Dhjetëra-mijëra shqiptarë të Kosovës të dëshpëruar ia kanë kthyer shpinën shtetit të tyre të ri dhe kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Përse ata e kanë humbur besimin në ardhmërinë e Kosovës? Çka do t’ua kthente atyre shpresën?

Para një viti 80 për qind e shqiptarëve të Kosovës në anketa thoshin se janë optimistë, sot të tillë janë vetëm 35 për qind, raporton radio publike e Zvicrës SRF në një reportazh të gjatë nga Kosova. Brenda pak muajsh atmosfera ka ndryshuar. Jo vetëm më të varfrit e të varfërve i kanë bërë gati valixhet. Bie në sy se shumë njerëz nga shtresa e mesme e kanë humbur shpresën dhe kanë braktisur shtetin e tyre të ri. Dhjetëra-mijëra kanë ikur përmes Serbisë, në drejtim të Hungarisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Shanset e tyre për të marrë azil, sipas radios zvicerane, janë baras me zero. Të ikurit kthehen prapa në Kosovë në një situatë që është edhe më e pashpresë se para ikjes së tyre. Shumica kanë hyrë në borxhe për të paguar trafikantët.

«Çfarë ka ndikuar që të ndryshojë atmosfera në Kosovë? Nga njëra anë është situata politike. Pas zgjedhjeve të fundit në verë dukej se do të ndodhte një ndryshim politik. Një aleancë partish opozitare kishte mundësinë të largonte nga pushteti biznesin e korruptuar të kushërinjve të udhëheqjes së mëparshme nën Hashim Thaçin. Pastaj një parti iku nga aleanca dhe bëri pakt me Thaçin. Vendi ka një qeveri që nuk e donte fare, thotë ekonomisti Lumir Abxhiku nga Instituti Riinvest në Prishtinë», raporton radioja zvicerane.

Në anën tjetër shkak i zhgënjimit të kosovarëve është gjendja e vështirë ekonomike. Kosova do të duhej të kishte rritje ekonomike prej 8 deri 10 për qind në dhjetë vitet e ardhshme për të arritur nivelin e Shqipërisë, thotë Abdixhiku. Kjo, sipas tij, është jorealiste. Rritja ekonomike, mes tjerash, frenohet nga korrupsioni. 90 për qind e mallrave importohen. Bashkëpërgjegjëse për problemet në Kosovë është edhe bashkësia ndërkombëtare, thotë ekonomisti Abdixhiku. Ajo përpiqet për stabilitet në Kosovë, investon shumë energji në dialogun kosovaro-serb, por nuk kujdeset për ekonominë e shkatërruar.

DIALOGPLUS