Si u vendosën shqiptarët kelmendas në krahinën e Sremit mes Serbisë dhe Kroacisë

Pjesë nga një studim i dr. Idriz Ajetit mbi vendosjen e shqiptarëve në Srem më 1737 pas luftërave kundër Perandorisë Osmane.




Dihet se disa fise shqiptare kelmendase pas luftërave të pasuksesshme të ushtrisë austriake kundër Turqisë në jug të Serbisë më 1737 u vendosën në Srem, e bashkë me ta shkuan edhe serbët. Më 1737, kur koloneli Lentulus me ushtrinë austriake depërtoi deri në Novi-Pazar, me meritën e patriarkut Arsenije dhe kryepeshkopit Mihailo Sumës, shqiptarët çohen në kryengritje kundër Turqisë, e në anën e Austrisë, si dhe fiset ortodokse malazeze përreth nga Malësia, Kuçi, Bratonozhiqt, Piperët, Vasojeviqt, pastaj edhe serbët ndërmjet Pejës e Novi-Pazarit, ndërsa fiset shqiptare katolike – Kelmendi, Hoti dhe Gruda.

Duke u tërhequr në veri, fiset kelmendase me familjet e tyre u vendosën rrëzë Rudnikut dhe Avallës. Sipas memoareve të gjeneral Shmetanit, që mori pjesë në këto beteja në vitin 1737, qenë rreth njëzet mijë luftëtarë serbë dhe shqiptarë, mirëpo turqit te Valeva i thyen dhe i shpërndanë në dhjetëshe. Emigrantët shqiptarë u katandisën në një pozitë të mjerueshme. Për ta nuk kujdesej askush, e më së paku pushteti austriak. Në fillim shqiptarët jetonin në shpella ndërmjet Karllovcit dhe Savës. Ata nuk furnizoheshin as me të holla e as me ushqim, ndaj sëmundja bënte kërdi në mesin e tyre. Në ushtrinë austriake ata u organizuan nga oficerët serbë, ndër të cilët ishin edhe dy shqiptarë: Dedë dhe Vat Gjokaj, udhëheqës të emigracionit shqiptar në Srem. Pushteti austriak pas një dredhie dhe zvarritjeje u ndau parcela toke në spahillëkun e familjes Pejaçeviq afër Mitrovicës (së Sremit). Kështu pra, më 1749 ata zunë vend në fshatrat përreth Hërtkovcit, Nikincit dhe Jarkut.

Vlerësuar sipas të gjitha gjasave, i pari që i vizitoi këta ishte serbi Simeon Pishçeviqi, oficer austriak, dhe në memoaret e veta shënoi përshtypjet nga ky udhëtim, që më vonë i publikoi në revistën ruse – Vestnik Jevropi, për vitin 1870. Memoaret e Pishçeviqit kanë rëndësi të jashtëzakonshme për studimin e zakoneve të shqiptarëve kelmendas të Sremit.

Më 1882, në fletushkën Ungarisches Magazin, Petrograd, Karl Gottlieb von Windisch, shkencëtar hungarez, botoi artikullin me titull O klimentama u Sremu (Për kelmendasit e Sremit), që përmban të dhëna të pasura për shqiptarët e Sremit: për prejardhjen e tyre, jetën, zakonet, veshjen dhe gjuhën e tyre, mirëpo, është shkruar mjaft sipërfaqësisht; fjalët janë shkruar gabimisht, kështu që i gjithë materiali është i pasigurt si lëndë gjuhësore.

Një shekull më vonë, etnologu kroat Franjo Ksaver Kuhaç i vizitoi shqiptarët kelmendas në Srem, shënoi disa këngë, mblodhi mjaft lëndë etnografike për shqiptarët e Sllavonisë, dhe i publikoi në studimin Die klementiner in Slavonien. Në fillim të këtij shekulli doli në dritë studimi i historianit hungarez Ludvig Tallcit, Die albanische Diaspora (në Illyrisch-albanische Forschungen, I, pjesë e Albaner in Sirmien, 303-322). Ky është studimi më i vëllimshëm për shqiptarët e Kelmendit të Sremit, mirëpo autorit ia zënë për të madhe për pretendim dhe për moskujdes ndaj literaturës në gjuhën serbe, si dhe për përshkrimin e sipërfaqshëm të disa operacioneve ushtarake të kolonelit Lentulus në Sanxhak dhe në Serbi.

Disa këngë popullore, disa sosh epike e disa sosh lirike, i publikoi Faik Konica në revistën e vet Albania, (Bruksel, Londër, 1902, 1903). Shqiptarët e Sllavonisë përmenden edhe në Danica Ilirska më 1839. Këngët e botuara në revistën Šćiperia e Re, Konstancë, 1930, i mblodhi më 1921 famullitari shqiptar Leon Ashiku. Dhe përfundimisht, një sasi të mirë lënde gjuhësore nga mbledhësit e zënë ngoje për të folmen e shqiptarëve të Sremit u botua në Buletinin e Institutit të Shkencave të Tiranës (Buletin për Shkencat shoqërore, 1955/2).

(Nga «Studime për gjuhën shqipe. Vepra të zgjedhura», botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2017)