Si u ndërpre shkuarja e ekstremistëve fetarë nga Ballkani në «luftën e shenjtë» të «Shtetit Islamik»

Bashkëpunimi i ngushtë mes shërbimeve të sigurisë ka ndikuar që në vitin 2016 nga Ballkani të mos shkojë pothuaj askush në Siri apo Irak për të luftuar në radhët e të ashtuquajturit «Shtet Islamik». Ky fakt injorohet nga raportin senzacionalist të Institutit Amerikan të Paqes.

Një luftëtar i IS në Raka të Sirisë.



Instituti Amerikan i Paqes këtë javë ka alarmuar mbi rrezikun që i kanoset Kosovës nga fanatikët e fesë islame. Në një raport Kosova përshkruhet si «burim kryesor i luftëtarëve të huaj» në Irak dhe Siri. Por, a është i vërtetë ky pretendim? Në raport thuhet se të paktën 314 kosovarë janë identifikuar se kanë udhëtuar në Siri dhe Irak që nga viti 2012. Sipas një analize të Soufan Group (TSG), një organizate amerikane që këshillon qeveritë në çështje të sigurisë, rreth 27 mijë luftëtarë të huaj luftojnë në radhët e IS. Prej tyre rreth 6 mijë janë nga Europa – shumica me banim të mëhershëm në Francë (1700), Gjermani (760) dhe Britani të Madhe (760). Nga Rusia supozohet se kanë shkuar 2400 persona për të luftuar për IS. Ndonëse rreziku i fanatikëve fetarë nuk duhet të nënçmohet assesi në Kosovë, konstatimi i Institutit Amerikan të Paqes se Kosova na qenkësh burim kryesor i luftëtarëve të huaj duket i paqëndrueshëm nëse për bazë merren shifrat e luftëtarëve në kuadër të IS.

Eksperti i çështjeve të sigurisë nga Sarajeva, Vlado Azinoviq, i ka deklaruar gazetës austriake «Der Standard» se që nga fillimi i vitit 2016 praktikisht nuk ka shkuar asnjë luftëtar nga Ballkani nuk ka shkuar në Siri dhe Irak. Kjo, sipas tij, është rrjedhojë e bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve të sigurisë. Nga Kosova, Bosnja dhe Shqipëria sivjet s’ka pasur asnjë udhëtim «të suksesshëm» në territorin e IS (apo Daesh, Isil dhe Isis, siç quhet po ashtu kjo organizatë terroriste). «Vala e luftëtarëve të huaj, të cilët shkojnë në Siri dhe Irak, në vitin 2016 ka rënë nga 2000 në javë në 50 në javë», deklaroi Azinoviq.

«Në vitet e fundit rreth 200 luftëtarë boshnjakë kanë shkuar në Irak dhe Siri, 80 për qind e tyre kanë qenë burra, një e treta me karriere kriminale. Ka supozime se shumë prej tyre ndërkohë kanë vdekur. Sipas agjencive boshnjake të sigurisë 60 luftëtarë janë kthyer në Bosnjë. 12 deri 15 prej tyre kanë shkuar tutje në Europën perëndimore, ku kishin jetuar më herët. 40 të tjerë gjenden në Bosnjë-Hercegovinë. <Më shumë se 20 persona deri më tani janë dënuar për shkak të pjesëmarrjes në grupe terrori në Siri dhe Irak apo për rekrutimin dhe financimin e tyre. Do të thosha se këtu kemi qenë mjaft të suksesshëm>», thotë Azinoviq për gazetën austriake. Njëkohësisht, sipas Azinoviq, në Ballkan po shtohet numri i selafistëve ultrakonservatorë. (-lli)