Si u bë Shkupi kryeqytet i ri evropian i kiçit

Shkëlqimi i ri neoklasik i Shkupit është përçarës dhe i shtrenjtë – pa i hyrë këtu shijes së diskutueshme të tij. Por një gjë s’e luan topi: e ka bërë kryeqytetin maqedonas përnjëmend befasues dhe mbresëlënës, shkruan gazeta britanike «The Guardian».




Dilni jepjani një xhiro përgjatë lumit në zemër të Shkupit të Republikës së Maqedonisë dhe menjëherë do ta merrni vesh se po mirëpriteni prej ndërtesave neoklasike, të mbushura me shtylla të zbukuruara dhe me tavane të mbushura me nimfa. Këto ndërtesa nuk ishin këtu para pesë vjetësh.

Kafenetë ndanë lumit kanë nisur të nxjerrin në fillim të prillit tavolinat dhe karriget pas një dimri të zgjatur, duke i mbushur tarracat me shumë struktura të reja. Urat që këputin lumin e Vardarit janë mbushur me shtatore të pacenuara të heronjve, shkrimtarëve e artistëve maqedonas.

Një kënd i harruar moti kohë prej Evropës, ish-republika jugosllave po vlon prej vitit 2010, duke ndërtuar ndërtesa të mëdha qeveritare dhe civile, si dhe qindra shtatore në zemër të kryeqytetit të saj. Projekti, tani pothuajse i përfunduar, i quajtur «Shkupi 2014» (ishte menduar të përfundohej vitin e kaluar), sa është intrigues dhe i diskutueshëm, po aq është edhe përçarës. Kështu në fakt ka qenë prej momentit të lansimit të tij.

Projekti ka dy qëllime: të joshë turistë dhe të mundohet të rishpallë aspekte të historisë së vendit prej Greqisë fqinje, duke zgjuar nacionalizmin në mesin e shumë maqedonasve etnikë. Projekti ka kushtuar ndërmjet 200-500 milionë euro (varësisht me kë flisni) dhe ka rezultuar me pamje krejtësisht të re të qendrës së qytetit.

«Është kiç tipik, por po sjell vizitorë», ka deklaruar Oliver Stefanovski, menaxher i «Unity Hotel», që ndodhet në cepin e ndërtesave të reja.

Shumë maqedonas kanë vënë dyshim skemën e këtij shpenzimi të madh publik – lëre më punën e cilësive artistike të projektit. Është folur shumë edhe për punën se si projekti ka injoruar rolin e bashkësisë shqiptare myslimane në historinë e vendit. Por nuk ka asnjë fije dyshimi se projekti ka futur vendin në hartën turistike, ndihmuar prej arritjeve të fluturimeve nga «Wizz Air».

Në zemër të qendrës me pamje të re të qytetit është shtatorja 22 metra e lartë e Aleksandrit të Madh (Lekës së Madh), rrethuar me luftëtarë dhe me një shatërvan që vihet në pah në qendër edhe prej dritave. Jo fort larg janë vendosur shtatoret e ish-sundimtarëve dhe shenjtorëve të vendosur nëpër të gjitha qoshet, bashkë me harkun maqedonas të triumfit.

Matanë lumit nga Aleksandri, shtatorja e madhe e Filipit të Maqedonisë, ka ngritur dorën kah yjet e parajsës. «Unë përfundimisht preferoj më shumë këtë pjesën e re të qytetit se atë të vjetrën. Kjo tregon historinë tonë», thekson Aneta Gakovska, pronare e një restoranti të vogël.

Vizitorët e huaj kanë nisur ta njohin Shkupin kryesisht për shkak të bukurisë së pazarit të vjetër, me shtigjet e ngushta, xhamitë dhe kalanë në krye të kodrës. Por tani nuk u duhen më shumë se pesë minuta prej pirjes së një kafeje turke në mesin e njerëzve dhe arkitekturës që nuk do të ndryshonte fort prej një qyteti tradicional të Lindjes së Mesme, deri te ndërtesat dhe shtatoret me arkitekturë dhe imagjinatë evropiane kinse klasike evropiane.

Opinioni mund të jetë i ndarë për të, por «Shkupi 2014» padyshim se e ka shndërruar qytetin në njërin prej kryeqyteteve më jokonformist evropiane për ta vizituar.