Si dhe pse u bë Rugova lider i shqiptarëve të Kosovës?

Detaje nga libri i Tim Judah «Kosovo – War and Revenge», 2002, Yale University Press, ku shpjegohet rrugëtimi politik i Ibrahim Rugovës dhe refuzimi i Rexhep Qosjes për të qenë në krye të LDK-së.

Në fillim të karrierës: Ibrahim Rugova në vitet '90.

Ibrahim Rugova, njeriu që u bë figura kryesore në politikën e shqiptarëve të Kosovës në vitet 90-98, shquhej për disa zakone të çuditshme dhe tipare të veçanta. Gjëja kryesore që e dallon, ishte dhe vazhdon të jetë, një shall mëndafshi që ai e mban ngado që shkon, përveçse në muajin gusht që nuk e mban fare. Ai ka një koleksion gurësh, të cilin i pëlqen t’ua tregojë vizitorëve të huaj, dhe, ç’është më e çuditshme për një njeri që gëzonte aq shumë besnikëri dhe një përkushtim aq të madh nga populli i vet, është tejet monoton. Nga fundi, Rugova nuk arriti ta gjykonte drejt gjendjen shpirtërore të Kosovës, por në fillimin e viteve 90 ai ishte mjaft i aftë dhe largpamës në kuptimin politik.

Pasi Miloševići filloi ta shkatërronte autonominë e krahinës, armët që u përkisnin forcave rezerviste të Mbrojtjes Territoriale, u konfiskuan. Prandaj, në një shkrim të tij në prag të luftës në Bosnjë, Rugova shpjegonte pse kosovarët nuk kishin mundësi të zgjidhnin rrugën ushtarake. «Ne nuk dimë me siguri se sa është numri i forcave të pranisë ushtarake serbe në krahinë, por dimë se ato janë të shumta dhe se ne nuk kemi asgjë për t’u bërë ballë tankeve dhe armëve tjera moderne në duart e serbëve». Dhe më tej, në mënyrë profetike, ai shtonte: «Ne nuk kemi asnjë mundësi t’i bëjmë ballë me sukses ushtrisë. Në fakt serbët presin vetëm një shkas që t’i sulen popullsisë shqiptare dhe ta shfarosin atë. Ne mendojmë se është më mirë të mos bëjmë asgjë dhe të qëndrojmë gjallë, se sa të na masakrojnë».

Grupi themelor që themeloi LDK-në, partinë e udhëhequr nga Rugova, përbëhej nga 23 veta, të cilët u mblodhën në ëmbëltoren «Elida» në Prishtinë. Midis tyre ishte edhe Rugova, profesor i letërsisë shqipe, Bujar Bukoshi, kirurg, dhe Fehmi Agani, sociolog. Rugova është lindur në vitin 1944. Babai i tij u pushkatua nga partizanët kur ata rivendosën pushtetin në Kosovë në fund të luftës. Rugova kishte studiuar në Sorbonë dhe kishte kultivuar me kujdes një natyrë disi bohemiane, që përfshinte edhe një prirje drejt pijes. Si shumë themelues të tjerë të LDK-së, ai kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste, megjithëse e kishin përjashtuar sepse kishte votuar kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës. Rugova nuk ishte edhe aq i njohur dhe nuk ishte kandidatura e parë e këtij grupi njerëzish të zgjedhur në kërkim të një kryetari partie. Zgjedhja e tyre e parë kishte qenë Rexhep Qosja, shkrimtar i njohur kombëtar dhe figurë madhore e politikës kosovare.

Bukoshi kujton se «çdokush prej nesh mund të ishte propozuar, por Rugova ishte i pranueshëm sepse ai ishte i qetë dhe i kulturuar dhe nuk kishte pasur asnjëherë përplasje me kolegët e tij». Ajri Begu, një tjetër shkrimtar dhe anëtar i grupit të 23-shes, mban një qëndrim më cinik, kur shpjegon se pse ishte pikërisht Rugova që u zgjodh. Në atë kohë, thotë ai, «mjaftonte të jepje nja dy intervista për BBC-në e Zërin e Amerikës, e në nja dy gazeta tjera për t’u bërë i famshëm». Në fillim të viteve 70, Begu kishte punuar me Rugovën në një gazetë studentore. «Ne ishim që të dy liberalë», thotë ai, «por atë mund ta përshkruaj si anarkist liberal. Nuk mendoj se ai ka aftësi organizative». Ramiz Kelmendi, gazetar dhe shkrimtar, i cili mori pjesë gjithashtu në mbledhjet në ëmbëltoren «Elida», thotë:
«Rugova ishte krejtësisht i jashtëm. Ai ishte një tip i humbur që ulej në një qoshe dhe pinte kafe me tepri. Rugovës iu ngarkua që të merrte kontakt me mikun e tij Rexhep Qosja, për t’i kërkuar që të pranonte të bëhej kryetar. Ai u përpoq për tri javë rresht, por Qosja nuk pranoi. Ai nuk donte të hynte në politikë. Pas kësaj u vumë para dilemës. Njëri nga ne, një shkrimtar i quajtur Jusuf Buxhovi, donte të bëhej kryetar, por të gjithë ishin kundër tij. Kishte <dyshime> për prejardhjen e tij dhe të gjithë përpiqeshim ta shmangnim. Kështu që Rugova ishte një kandidat kompromisi. Ai kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste, ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe kishte dhënë disa intervista të guximshme. Për të gjitha këto dhe meqë ne mendonim se ai ishte njëri i kompromiseve dhe meqë Jugosllavia vazhdonte të ekzistonte ende, detyra iu ngarkuar atij».

Më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës dhe Presidentin. Megjithëse policia serbe ndërhyri në nja dy vende në përgjithësi shqiptarët u lanë të lirë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të tyre. Rezultatet e votimit treguan për një fitore të thellë të LDK-së, e cila fitoi 76,44 për qind të votave. Rugova u zgjodh prej 99,5 për qind të atyre që votuan, por në fakt nuk kishte asnjë kandidaturë që ta konkurronte. Pati të paktën 18 parti që i kontestuan zgjedhjet, por meqë asnjë nuk ishte kundër çështjes themelore, pavarësisë, ekzistenca e tyre varej më shumë nga personalitetet dhe grupet e interesit se çdo gjë tjetër. Në Parlamentin e Kosovës u rezervuan 14 vende për serbët dhe malazezët. Zgjedhjet i kishin dhënë Rugovës njëfarë ligjshmërie dhe autoriteti. Tani Rugova përshkruhej pothuajse prej të gjithë kosovarëve si President i Republikës. Teorikisht tani Rugova mbikëqyrte një qeveri.

Gjëja që të bënte përshtypje më së shumti në Kosovën e viteve 92-97, ishte se sa vend i çuditshëm ishte. Në të njëjtën kohë ishte edhe monoton edhe i pazakontë. Shtypja policore vazhdonte e pandërprerë, por Rugova lëvizte nëpër Prishtinë me Audi presidenciale. Procedura e kërkesës për t’u takuar me të ishte njësoj si për një president të vërtetë dhe mandej, në qoftë se të priste, këtë nuk e bënte në një pallat presidencial, por në një shtëpi modeste druri që dikur kishte qenë selia e Shoqatës së Shkrimtarëve.

Kuptohet që duke qene në rrethana lufte, pushteti serb kishte bërë llogaritë që qëndresa pasive, siç ishte ajo shqiptare, ishte më mirë se sa një qëndresë aktive. Pra, në njëfarë mënyrë, Rugova dhe shokët e tij u gjendën në një pozitë që, duke pasur frikë me të drejtë nga çka mund të ndodhte sikur të provonin ndonjë gjë më të fuqishme, ata u detyruan të punonin për zbutjen e gjakrave në krahinë, e që ishte pikërisht ajo që dëshironte edhe pushteti serb. Si shkëmbim, autoritetet nuk e arrestuan Rugovën, i cili mbeti i lirë të udhëtonte nëpër botë për të mbrojtur çështjen e Kosovës dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me anëtarët tjerë të LDK-së. Pushteti serb mendonte se nuk ia vlente të rrezikonin trazirat që mund të fillonin nga arrestimi dhe gjykimi i Rugovës dhe i kosovarëve tjerë të shquar. Për më shumë, bashkësia ndërkombëtare mbështeste vijën serbe se Kosova nuk mund të shkëputet.

Fakti që Rugova dhe kosovarët e njohur kishin njëfarë mbrojtjeje, nuk do të thoshte se kjo ishte e vërtetë edhe për pjesën tjetër të popullsisë. Në fakt, policia ushtronte regjim të vazhdueshëm mbikëqyrjeje, ngacmimi e marrjesh në pyetje, rrahjesh e arrestimesh. Këto kishin dy synime. Njëri ishte ta mbanin popullatën të nënshtruar dhe i dyti ishte që të shtypnin çdo përpjekje, sado të vogël, për ndonjë qëndresë më aktive.

Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij mohonin ekzistimin e UÇK-së. Sa herë që vritej ndonjë polic serb, Rugova dhe shokët e tij thoshin se kjo ishte vepër e shërbimit sekret serb që donte të diskreditonte politikën e tij të qëndresës pasive.

Nga gjysma e marsit 1998 Holbrooke ndodhej në Berlin, ku mori një faks nga Rugova, i cili i kërkonte të bëhej ndërmjetës «pa parakushte». Madeleine Albright, sekretare e shtetit amerikan, gjithashtu mori një faks nga Rugova, ku ky i kërkonte ndërhyrjen e Holbrooke-ut. Zonjës Albright kjo nuk i pëlqeu aspak. Sipas një burimi të lartë diplomatik: «Madeleine donte t’i mbante vetë frenat dhe nuk donte që Holbrooke-u të futej prapë në lojë. Ajo donte që ky të ishte Deytoni i saj».

Megjithëkëtë, dukej se UÇK-ja kishte arritur brenda dy muajve më shumë se ç’kishte arritur Rugova dhe LDK-ja për shtatë vjet. Mirëpo, njerëzit thoshin «ne të gjithë jemi tani UÇK, UÇK-ja është ushtria jonë, por Rugova është Presidenti ynë». Në fshatin Prekaz, një burrë më tha: «Rugova është kundër luftës, por në qoftë se ai na thotë shkoni në UÇK, ne të gjithë do të shkojmë».

Në kundërshtim me mendimin e të tjerëve, Rugova vendosi të mos i shtynte zgjedhjet e planifikuara për Parlamentin dhe Presidencën e «Republikës së Kosovës», gjë që tashmë e kishte bërë disa herë, dhe votimi u zhvillua më 22 mars 1998. Një tregues tjetër i gjendjes në Kosovë ishte se policia serbe nuk ndërhyri gjatë zhvillimit të procesit të votimit, ku Rugova ishte sërish kandidati i vetëm. Ndërsa vetëm dy javë më parë serbët kishin rrafshuar me artileri shtëpinë e një njeriu që donte të ndahej nga Serbia, tani ata nuk i ngacmuan fare zgjedhjet e përgjithshme, të cilat i konsideronin tërësisht të paligjshme dhe që drejtoheshin nga një njeri i cili shpallte se Kosova tashmë ishte e ndarë.

Në maj të vitit 1998 Miloševići i kishte thënë Holbrookeut se ishte gati ta takonte Rugovën. Kështu Holbrookeu filloi përgatitjen e takimit. Rugova nuk dinte çfarë të bënte. Ai vazhdimisht ndërronte mendjen. Megjithatë, ai u dorëzua kur Holbrookeu ia bleu pranimin, duke i ofruar një takim me presidentin Clinton. Politikanët shqiptarë në Prishtinë ishin shumë të zemëruar që Rugova kishte pranuar të takohej me Miloševićin, duke hequr dorë nga njëri prej qëndrimeve më të shenjta të LDK-së – që nuk duhej të bëhej asnjë lloj bisedimi pa ndërmjetësimin e huaj.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.