Si t’i gjendet çareja Ballkanit Perëndimor?

Shumica e rajonit rrezikon të shndërrohet në zonë të re të hirtë: rajon që mbetet jashtë dorës së ndikimit të BE-së, i ekspozuar ndaj ndikimit të Moskës, dhe në rrezik të bëhet pikë e pesë prej problemeve rajonale. Me qëllim që të parandalohet shpartallimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhet të ridizajnojë orvajtjet e veta për ta integruar rajonin.

Foto: Shutterstock



Ballkani Perëndimor është rikthyer si front sherri gjeopolitik. Viteve të fundit, derisa një numër shtetesh në rajon – i cili përbëhet prej Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë – janë përballur me korrupsionin dhe stagnimin ekonomik, disa krerë i janë kthyer nacionalizmit etnik, duke përfituar prej trashëgimisë së trazuar të konflikteve që përfshiu rajonin në vitet nëntëdhjetë për t’i bishtnuar zemërimit popullor të shkaktuar nga korrupsioni dhe stagnimi ekonomik. Njëherësh, krizat e fundit të Bashkimit Europian kanë ngadalësuar procesin nëpërmjet të cilit synohej integrimi i shteteve të Ballkanit në orbitën europiane dhe që do të shërbente si udhërrëfyes për qeverisje të mirë. Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë kandidatë zyrtarë për anëtarësim në BE, por zyrtarët në këto shtete janë përherë e më skeptikë se shtetet e tyre do t’i bashkohen bllokut në të ardhme të afërt. Kjo ka dëmtuar për pasojë nismat që këto shtete të reformojnë sistemet e tyre të korruptuara dhe të papërgjegjshme politike, duke shumëfishuar pakënaqësinë popullore dhe fryrë flakëve të nacionalizmit.

Rusia gjithashtu vazhdon të jetë e pakënaqur me prishjen e Jugosllavisë dhe gatishmërinë e Perëndimit për ta përdorur forcën kundër klientëve të saj në atë vend në vitet nëntëdhjetë. Orvatjet e Moskës për të rikthyer ndikimin në Ballkan rrezikojnë të përshkallëzojnë problemet e rajonit, duke u dhënë elitave të Ballkan justifikimin e dëshiruar për të hequr dorë prej reformave.

Me pak fjalë, shumica e rajonit rrezikon të shndërrohet në zonë të re të hirtë: rajon që mbetet jashtë dorës së ndikimit të BE-së, i ekspozuar ndaj ndikimit të Moskës, dhe në rrezik të bëhet pikë e pesë prej problemeve rajonale. Me qëllim që të parandalohet shpartallimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhet të ridizajnojë orvajtjet e veta për ta integruar rajonin, duke inkurajuar liderët e tij ta luftojnë korrupsionin dhe të demonstrojnë para qytetarëve të tyre të rëndomtë dobitë e reformave dhe lidhjet më të ngushta me Europën.

Barrë e rëndë

Luftërat e Ballkanit në vitet nëntëdhjetë vazhdojnë të mbesin kapitulli më i errët në historinë e Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se 130 mijë persona u vranë dhe miliona të tjerë ishin dëbuar gjatë konflikteve që ngufatën Bosnjën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, dhe shkurtimisht Slloveninë. Në Europë u rikthyen kampet e përqendrimit. Luftërat u ndalën falë një sërë nismash diplomatike dhe ushtarake, përfshirë fushatën bombarduese të NATO-s që më 1999 ndihmoi përfundimin e luftës në Kosovë.

Në kaosin pas konflikteve, qeveritë perëndimore u munduan të inkurajonin shtetet e rajonit të fashisnin ndasitë etnike nëpërmjet një programi reformash ekonomike dhe politike, duke i shtyrë përpara me prospektin e integrimit më të madh në komunitetin euro-atlantik. Kjo strategji dha rezultate në rastet e Kroacisë dhe Sllovenisë, që u anëtarësuan në BE më 2013 dhe respektivisht më 2004, që sot janë demokraci gjerësisht të qëndrueshme me shtresa të mesme të fuqishme.

Sidoqoftë, më në jug, barra që rëndon në zemër të strategjisë evropiane është e papërballueshme. Sidomos viteve të fundit, BE-ja ka qenë shumë e preokupuar me sfidat e veta – prej krizës ekonomike të vitit 2008 e deri te fluksi i refugjatëve dhe imigrantëve që nxitën ngritjen e nacionalizmit popullist – për të ruajtur presionin ndaj shteteve të Ballkanit për t’i vazhduar reformat.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë hequr goxha shumë dorë prej angazhimit në rajon pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, kanë preferuar që barrën e madhe t’ia lënë Europës. Kjo është kokëçarëse për shkak se problemet strukturore në rrënjë të prishjes së përgjakshme të Jugosllavisë ende nuk janë zgjidhur. Ndjenjat e lidhura me konfliktet e viteve nëntëdhjetë kanë nisur të çojnë krye.

Në mesin e këtyre sfidave strukturore është lëmshi ndërmjet kufijve të rajonit dhe shtrirja e popullsive etnike, sidomos ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Irredentizmi serb – ose bindja se kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të ndryshohen që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet të vetëm – ishte shkak kryesor i luftërave të viteve nëntëdhjetë. Po aq rrezik mund të jetë edhe sot: bashkimi i serbëve në një shtet të vetëm do të kërkonte prishjen e shumë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilës gjë do t’i rezistonin qeveritë dhe popullsitë joserbe, qoftë edhe forcë nëse është e domosdoshme. Grupet më të mëdha etnike në shtete me pakica serbe njëherësh mund të joshin përkrahje me nxitje të ndjenjës antiserbe, duke i kontribuar një cikli nacionalist vicioz.

Serbët përbëjnë rreth tridhjetë për qind të popullsisë së Bosnjës dhe janë shumicë e madhe në Republika Sërpska, ose RS, që përbën rreth gjysmën e strukturës së ndërlikuar federale të Bosnjës. Maqedonia dhe Kosova, nga ana e tyre, kanë popullsi të vogël serbe, por ato komunitete janë po aq të rëndësishme në aspektin politik për shkak të përqendrimit gjeografik dhe kundërshtimit të zhvillimeve të pasluftës në rajon. Në dritën e tensioneve që sollën dhunë në Jugosllavi në vitet nëntëdhjetë, disa aktivistë serbë në Republika Sërpska dhe në veri të Kosovës kanë propaganduar pavarësi dhe eventualisht përfshirje në shtetin serb – lëvizje që do të kërkonte rishikime të tjera dhe që do të mund të shpinin drejt konfliktit. Një prej eksponentëve më të zëshëm të së ashtuquajturës Serbi e Madhe është presidenti i Republika Sërpskas, Milorad Dodik, të cilin në fillim të vitit e sanksionoi Qeveria amerikane për pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Daytonit, ujdisë së vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnjë, dhe i cili ka bërë thirrje për mbajtjen e referendumit për ndarjen e Republika Sërpskas nga Bosnja. Zyrtarët boshnjakë dhe kosovarë akuzojnë qeverinë serbe në Beograd se po u ofron armë militantëve serbë në shtetet e tyre dhe nxitje të nacionalizmit në mesin pakicës serbe.

Ka gjithashtu popullsi të mëdha etnike jashtë Shqipërisë – sidomos në Kosovë dhe Maqedoni, ku përbëjnë mbi 90 për qind dhe respektivisht 25 për qind të popullsisë. Aktivizmi i tyre politik është më pak eksploziv se ai i serbëve në Bosnjë dhe Kosovë, por prapëseprapë kishte efekte të rëndësishme. Pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit në Maqedoni nuk kishte shumicë për të formuar qeverinë, shumicë prej një partie të vetme ta zëmë, qeveria shqiptare ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet tri partive etnike shqiptare: partitë vendosën të merrnin pjesë në koalicion qeveritar vetëm nëse do t’u jepeshin një numër koncesionesh etnike – në mesin e të cilave, rishikimin e kushtetutës, që do ta bënte shqipen gjuhë zyrtare anembanë vendit.

Partitë joshqiptare të Maqedonisë dhe presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, reaguan me zemërim të madh ndaj propozimit, që e shihnin si produkt të përzierjes së jashtme politike. Marrëveshja e ofruar prej partive shqiptare, pretendonte Ivanovi dhe aleatët e tij, do ta minonte marrëveshjen që i dha fund dhunës etnike në vend në fillim të shekullit, duke u ofruar shqiptarëve status special. Njëherësh, krerët e Shqipërisë dhe të Kosovës dënuan zyrtarët maqedonas për refuzim të pranimit të kërkesave shqiptare. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sugjeronte se «shqiptarët në Maqedoni duhet t’i marrin në duart e veta të drejtat e tyre». Kur përshkallëzohen tensionet e tilla brenda një shteti, mund të kapërcejnë edhe kufijtë – sidomos kur politikanët oportunistë i manipulojnë për hesape të veta.

Pse tani?

Mospërputhja ndërmjet kufijve dhe popullsive etnike nuk është problem i ri në Ballkan. Fakti se është bërë më e rëndësishme së fundi lidhet më fort me vendimet e liderëve të rajonit, të cilët janë munduar të shfrytëzojnë ndjenjën nacionaliste për të distancuar vëmendjen prej problemeve ekonomike dhe politike të vendeve të tyre, dhe për t’i mënjanuar dyshimet e qytetarëve të tyre për prospektet e integrimit në BE. Nuk është rastësi se nacionalizmi etnik është në rritje në mbarë Ballkanin prej krizës së vitit 2008 dhe në kohën kur rruga e integrimit të shteteve të rajonit në BE është bërë përherë e më zorshme.

Shumica e shteteve në Ballkanin Perëndimor kanë probleme serioze ekonomike. Papunësia, sidomos në mesin e të rinjve, është vetëm një prej tyre: 68 për qind e rinisë boshnjake janë të papunë, derisa në Kosovë shkon deri në 58 për qind, në Maqedoni në 50 për qind, në Serbi në 41 për qind dhe në Slloveni në 17 për qind. Me kaq pak mundësi në vendlindje, rinia po del jashtë vendit, duke përkeqësuar prospektet afatgjata ekonomike të rajonit. Ata që mbesin në të shumtën e rasteve janë të frustruar dhe të zemëruar.

Pastaj është edhe puna e korrupsionit – problem i kahershëm. Më 2003, lideri malazez, Milo Gjukanoviq, u akuzua nga Komisioni Antimafia i Italisë se drejtonte një rrjet trafikimi gjatë kohës sa ishte shef kryeministror. Më 2015, Rrjeti për Raportim e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rrjet monitures, e shpalli Gjukanoviqin «Personin e vitit të krimit të organizuar»; i treti në listë ishte kryeministri i atëhershëm maqedonas, Nikola Gruevski. Edhe partia shqiptare në pushtet në Shqipëri është akuzuar për lidhje me krimin e organizuar. Por rrahja e temave nacionaliste ua mundëson liderëve të shmangin vëmendjen e votuesve prej problemeve reale.

Prej fundit të luftërave në ish-Jugosllavi, prospekti i anëtarësimit në BE dhe dobitë e lidhura me të kanë qenë shtysat më të rëndësishme të Europës për inkurajimin e liderëve të Ballkanit të ndërmerrnin reforma dhe të bashkëpunonin njëri me tjetrin. Perceptimi se integrimi europian nuk shihet as përtej horizontit – rezultat i telasheve të brendshme të bllokut – ua mundëson zyrtarëve lokalë të mendojnë më pak për reforma.

Kini parasysh bisedimet në proces të ndërmjetësuara prej BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat nisën më 2011 për të adresuar çështje teknike që dolën prej ndarjes së Kosovës nga Serbia më 2008, si puna e bisedimeve të vazhdueshme për kodin telefonik. Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, i sheh bisedimet si çmim që duhet të paguajë për rrugën e saj të anëtarësimit në BE. Por gjatë viteve të fundit, kur anëtarësimi po duket gjithnjë e më i largët, bisedimet kanë qenë më produktive me serbët që kanë marrë një numër hapash provokues – sidomos me trenin me ngjyrat e flamurit serb dhe me sloganin «Kosova është Serbi», të cilin e nisi drejt kufirit.

Dalja, si metafora e arushës

Megjithëse BE-ja vazhdon të jetë nominalisht e përkushtuar për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, momentumi i atij prospekti është ngadalësuar viteve të fundit. Të ndërgjegjshëm me rritjen e ndjenjës anti-BE, zyrtarët dhe politikanët europianë kanë hezituar të përparojnë me zgjerimin. Negociatat zyrtare për anëtarësim me Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë ende nuk kanë nisur. Njëherësh, deklaratat e BE-së për rajonin janë shndërruar në formula verbale, dhe Brukseli ka vendosur që vlerësimin e radhës për përparimin e rajoni ta shtyjë deri më 2018. Si kundërpërgjigje, qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor përherë e më pak besojnë se vendet e tyre do të anëtarësohen në BE.

Me BE-në që është sprapsur nga Ballkani, Rusia ka fuqizuar me të madhe aktivitetin në rajon. Nëpërmjet ndihmës ekonomike, përkrahjes diplomatike dhe komunikimeve të shënjestruara, pretendojnë analistët perëndimorë, Moska është përpjekur të fitojë zemrën e publikut dhe të elitës së opinionit kundër integrimit euro-atlantik. Qëllimi i përpjekjeve është dobësimi i përkrahjes për demokracinë dhe integrimin me Perëndimin, dhe për të fuqizuar idenë se popujt sllavë ortodoksë të Ballkanit duhet të identifikohen me «botën ruse» që Moska po mundohet ta ndërtojë përreth kufijve të saj.

Zyrtarë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, kanë bërë vizita të shpeshta në shtetet dhe entitetet me shumicë ortodokse në Ballkan – Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Republikan Sërpska të Bosnjës – dhe investimet ruse kanë vërshuar në rajon, sidomos në fushën e energjisë dhe infrastrukturës. (Më 2013, ta zëmë, Hekurudhat Ruse kanë nënshkruar marrëveshje prej 840 milionë dollarësh për modernizimin e hekurudhave serbe.) Rajoni i Ballkanit Perëndimor është qenësor për planet ruse për të ndërtuar linja të reja energjetike drejt Europës për t’iu shmangur Ukrainës – nismë që e ka kundërshtuar Komisioni Europian. Njëherësh, duke mësuar prej doracakut të saj që shkaktoi luftë në lindje të Ukrainës më 2014, Moska ka përhapur propagandë pro-ruse, duke fuqizuar njëherësh përkrahjen për politikanët dhe lëvizjet që refuzojnë status quonë e prirë prej BE-së, si puna e grupit ultranacionalist serb, «Zavetnici», anëtarët e së cilit pozuan për fotografi me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, më 2016 në Moskë. Rusia ka përkrahur gjithashtu obstruksionizmin e Dodikut brenda sistemit federal boshnjak, ideologjinë e vijës së ashpër nacionaliste në shkollat e Republika Sërpskas dhe përpjekjet e saj lobuese në Perëndim.

Moska nuk ka kufizuar ndikimin e saj as me asistencë politike dhe financiare. Ka nënshkruar marrëveshje për furnizim me miliarda dollarë vlerë të armëve të rënda Serbisë përpara zgjedhjeve presidenciale serbe të prillit. (Si Serbia, Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.) Më 2014, një grup kozakësh rusë të financuar prej oligarkut rus, Konstantin Malofev – i cili është akuzuar prej shumëkujt në Perëndim se është njeriu që financon lëvizjet separatiste në Ukrainën lindor – udhëtoi në Republika Sërpska para zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën në tetor atë vit. Letrat elektronike të publikuar tregojnë se kozakët do të ishin përdorur për të nxitur trazira nëse do të humbte Dodiku.

Shumë analistë lokalë dhe të huaj besojnë se Rusia ishte prapa puçit të dështuar në nëntor në Malin e Zi, në prag të samitit të NATO-s që do të ratifikonte anëtarësimin e Malit të Zi në aleancë. Autoritetet malazeze akuzuan katërmbëdhjetë persona, përfshirë edhe dy shtetas rusë dhe nëntë shtetas serbë, dhe dy aktivistë malazezë pro-rusë për konspiracionin kundër shtetit.

Disa maqedonas theksojnë rritjen e numrit të personelit të ambasadës ruse në Shkup si shenjë se Moska po mundohet të ketë ndikim më të madh edhe në Maqedoni. Në fillim të qershorit, dokumente të shërbimeve sekrete maqedonase sugjeruan se Rusia dhe Serbia kaherë kishin përkrahur nacionalistët anti-perëndimorë dhe u munduan «ta izolonin Maqedoninë nga ndikimi i Perëndimit».

Megjithëse Rusia është sheshit e interesuar për bllokimin e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe NATO-s, zyrtarët në rajon kanë gjithashtu arsye të theksojnë fort kërcënimin që përbën Moska për përkrahjen amerikane dhe europiane. Disa analistë kanë vënë në dyshim versionin qeveritar malazez të ngjarjeve që lidheshin me puçin e dështuar, duke fajësuar grupet e krimit të organizuar për puçin dhe duke sugjeruar se autoritetet e tepruan me seriozitetin e krizës.

Shikuar prej një prizmi më të gjerë, edhe politikanët që luajnë me lidhjet e tyre me Rusinë e kuptojnë se Moska nuk mund të ofrojë dobitë ekonomike dhe financiare si Europa. Më pak se dhjetë për qind e tregtisë së jashtme të Serbisë bëhet me Rusinë, derisa 64 për qind me BE-në. Pavarësisht mbështetjes së Putinit para zgjedhjeve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë i zëshëm për rëndësinë e anëtarësimit në BE për vendin e tij; një marrëveshje tregtare me Unionin Ekonomik Euroaziatik të Rusisë, njëherësh, është publikuar, por nuk është finalizuar.

Vuçiqi e ka pranuar se Serbisë i duhet BE-ja për shkak të levës që ia ofron kundër rrëshqitjes së vendit nga demokracia. Sidoqoftë, deri tani, zyrtarët e BE-së kanë hezituar ta përdorin këtë levë, nga frika se Serbia dhe fqinjët e saj do t’ia kthejnë shpinën BE-së për ta përqafuar Rusinë.

E ardhme europiane

Për dy dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë ndihmuar për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë angazhimi i rajonit me Perëndimin ka dështuar të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve. Për gjithnjë e më shumë qytetarë në Ballkan, anëtarësimi në BE duket i largët – dhe jorelevant. Dhe bashkë me pakicat etnike dhe shtete fqinje, Europa është bërë justifikim i përshtatshëm për politikanët që shfajësohen për stagnimin e rajonit.

Megjithatë, anëtarësimi në BE mbetet rruga më e mirë për promovimin e reformave dhe bashkëpunimit në rajon. (Zgjerimi i NATO-s në shtetet e rajonit duhet të mbetet në tryezë, por aleanca nuk duhet ta bëjë prioritet këtë punë, sepse do të adresonte pak prej problemeve të shumta urgjente të Ballkanit.) BE-ja është e bazuar në parimet e sovranitetit të ndarë dhe kufijve të hapur. Siç e kishin kuptuar edhe themeluesit e BE-së, ky model përfaqëson shpresën më të mirë për kapërcimin e frikës dhe urrejtjeve që dy herë e shpien Europën drejt shpartallimit të saj në gjysmën e parë të shekullit njëzetë dhe ato turbullime ende e rrezikojnë Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, anëtarët aspirues duhet t’i plotësojnë standardet e BE-së për qeverisje demokratike, sundim të ligjit, mbrojtje të të drejtave të njeriut (përfshirë edhe të drejtat e pakicave), dhe politikat ekonomike për treg të lirë.

Përmbushja e këtyre kushteve dhe anëtarësimi në BE do të ndihmonin shtetet e Ballkanit të vinin bazat mbrojtëse kundër paqëndrueshmërisë në krahun juglindor të Europës. Alternativë është lënia e rajonit të kalbëzohet. Ballkani Perëndimor përballet me telashe me menaxhimin e valëve të migracionit, dhe luftimi i radikalizmit xhihadist i ka bërë shtetet e BE-së më pak të sigurta. Larg më shqetësues është rreziku i një krize më të gjerë që do të buronte prej kombinimit të nacionalizmit, korrupsionit dhe ndërhyrjes ruse.