Si të shpëtohet Thethi

Shqipëria alpine po pret gjithnjë e më shumë turistë. Ky është lajmi i mirë. Lajmi i keq është që ende nuk ka një strategji për ta ruajtur natyrën. Edhe më keq: fshatra si Thethi po ndoten nga bërlloku.

Nga Enver ROBELLI

Vrasja e dy turistëve çekë para disa javësh me të drejtë alarmoi opinionin shqiptar. Mijëra njerëz nga Saranda në Mitrovicë, përmes mediumeve sociale, protestuan kundër këtij akti të trishtueshëm, të kryer nga një kriminel. Shumë familje në Shqipërinë alpine u frikësuan se sivjet nuk do të vijnë turistë fare, sepse siguria e tyre nuk është e garantuar. Për fat të mirë – dhe përkundër krimit të rëndë – turistët vazhdojnë të vijnë. Po vijnë çekë e polakë, francezë e gjermanë, shqiptarë nga Kosova dhe diaspora. Veriu i Shqipërisë mbetet sekreti i fundit i Europës. Nëse në Francë i thoni dikujt se keni qenë për pushime në Itali apo Kroaci, kjo do të merret si diçka e rëndomtë. Nëse i thoni se keni qenë në Theth, në Shqipërinë veriore, atëherë kureshtja do të jetë e pafundme.

Ja disa lajme të mira: rruga nga Bajram Curri në Valbonë është shtruar me asfalt. Te Fusha e Gjes, në Valbonë, banorët e zonës presin turistët. Për 20 euro Denisi, shoferi ynë, na çoi në fshatin Rragam, duke na hequr kështu një copë udhë, të cilën po e kalove me xhip nuk humb gjë. Është diçka si një shtrat lumi.

Në Rragam drunjtë e kajsive gati kanë rënë përtokë nga pesha e frutave. Banorët janë të përzemërt. Pak më lart, te kafe Simoni, mund të hiqni djersët me ujë të freskët dhe të ngroheni me çaj mali. Pasi keni zënë vend në kafe-kasollen Simoni turistët vijnë si në varg. Një italian tregon për udhëtimet në Alaskë. Ndërkohë shiu ndalet dhe bjeshkatarët vazhdojnë udhëtimin. Rrugën nuk mund ta humb askush, sepse e tëra është e shënjuar.

Herë pas here kalojnë banorë me kuaj të ngarkuar me çanta bjeshkatarësh. Shumë turistë paguajnë 50 euro që fshatarët t’ua sjellin me kalë, mushkë apo gomar çantat në Theth. Duke zbritur në Theth zbulimi i radhës: është investuar në ujësjellësin e fshatit. Njerëzit përpiqen të ndërtojnë shtëpi të reja apo t’i rindërtojnë të vjetrat, sepse shohin mundësi fitimi nga numri i madh i turistëve që vijnë nga pothuaj të gjitha anët e Europës. Thethi me rrethinë ofron shumë atraksione. Ujëvara, lumenj, Syri i Kaltër i fshatit Kapre, vaskat në Ndërlysa, ura mbi gryka lumenjsh, kisha e bukur e fshatit. Thethin e mbajnë gjallë njerëzit e mirë, të cilët i mirëpresin turistët – me ushqime të mira, me biseda që zgjojnë kureshtje të pafundme, me improvizime që ngjallin habi.

Me shtimin e turistëve Thethi gjendet para disa problemeve. Dhe këtu duhet përmendur disa lajme të këqija. Në krye të listës gjendet problemi i bërllokut. Qese plastike, shishe, këpucë dhe gjithçka tjetër të dreqit që ndot ambientin po hidhet në Theth e rrethinë. Aty-këtu shihen grumbuj të zinj që kanë mbetur nga djegia e bërllokut. Kryesisht vendorë, por edhe të huaj sillen me papërgjegjësi të madhe ndaj natyrës.

Një mangësi tjetër: në Theth mungon një koncept i prezantimit të historisë dhe kulturës së zonës. Turistët do të entuziazmoheshin pa masë sikur një ciceron t’ua tregonte historinë e hidrocentralit të ndërtuar nga kinezët, historinë e ndërtimit të kishës, historinë e vizitorëve të huaj para shumë dekadash, madje autorja amerikane Rose Wilder Lane para një shekulli ka shkruar një libër për këtë rajon (Majat e Shalës, përkthyer në shqip nga Avni Spahiu).

Pak para se të arrini në Theth gjendet një kafe-kasolle. Sivjet aty mungonte flamuri kombëtar, i cili vitin e kaluar e hijeshonte vendin. I zoti i kafehanes me përtesë të madhe e ndali muzikën e keqe dhe vetëm pesë minuta futi një disk me këngë popullore. Duket se nga kompleksi i inferioritetit disa shqiptarë turpërohen nga muzika me çifteli apo lahutë. Ata që kanë aterruar në aeroportin e Zürichut dhe kanë ecur për pak minuta me trenin elektrik e dinë se çfarë i pret: Zvicra i përshëndet udhëtarët me tinguj të kambanave të lopëve, me pëllitje lopësh, me jodeln (këngë pa tekst). Derisa Zvicra koketon në mënyrë simpatike me traditën, shqiptarët turpërohen nga çiftelia dhe mbi malet e Thethit përpiqen t’i argëtojnë turistët me këngë të Lady Gaga apo Christina Aguilera.

Si të shpëtohet Thethi? Ja disa hapa: një koncept kulturor do t’ia shtonte atraksionet kësaj zone. Pastërtia mund të përmirësohet dukshëm nëse për çdo bujtje turistët paguajnë së paku një euro taksë. Nga kjo shumë do të mund të futeshin në punë pesë deri dhjetë punëtorë, që do të kujdeseshin për mbledhjen e mbeturinave, mirëmbajtjen e rrugëve, shënjimin e shtigjeve për ecje, mbjelljen e pemëve, mbajtjen e rendit në parkingje.

Sot në Theth mund të vijë çdokush dhe nuk duhet të paguajë asgjë për shfrytëzimin e infrastrukturës. Provojeni të futeni në parkun nacional Plitvice të Kroacisë dhe do të ballafaqoheni shpejt me policinë. Secili vizitor duhet të paguajë hyrje – rreth 15 euro. Në Theth vijnë, për shembull, aventurierë polakë dhe i bien lumit disa herë me xhipat e tyre derisa të ndahen të kënaqur nga incizimi me kamerë “GoPro”.

E udhës do të ishte që çdo vizitor në hyrje të Thethit të paguajë së paku pesë euro hyrje. Për fat të keq Shqipëria mbetet ende shtet jofunksional në shumë sfera, andaj bukuritë e saj natyrore shpesh janë pre e vendasve të papërgjegjshëm dhe turistëve të pakujdesshëm.

Këtë javë shteti ishte i pranishëm në Theth – tërthorazi. Mbi 600 pjesëtarë të policisë kaluan nëpër këtë fshat rrugës për në Dukagjin, ku si çdo vit shkuan për të shkulur fije kanabisi. Të martën autoritetet njoftuan se janë shkulur mbi gjashtë mijë fije kanabis. Si do të ishte sikur në Shqipëri të legalizohej kanabisi si në shumë vende të tjera dhe policia të merrej me punë më të rëndësishme, siç është, ta zëmë, luftimi i krimit dhe korrupsionit? Dekriminalizimi i një droge të lehtë nuk e hedh Shqipërinë në greminë. Ndotja e ambientit po. Andaj qeveria e Tiranës duhet urgjentisht të angazhohet për ruajtjen e Thethit nga ndotja. Gjeneratat e ardhshme do të ishin shumë mirënjohëse për këtë.