Si të shpëtohet Kosova gjatë muajit mars?

Kemi hyrë në muajin e paparashikuar, gjatë së cilit shumë protagonistë politikë në Prishtinë dhe në Beograd janë të interesuar të ndezin zjarrin dhe sakrifikojnë edhe njerëz. Qytetarët e Kosovës duhet të bëhen zot të fatit të tyre. Dhe të tillë bëhen nëse bojkotojnë lojërat e pista të pushtetit dhe nëse kësaj opozite të zaiftë i tregojnë se çlirimi i Çamërisë nga Prishtina nuk duhet të jetë prioritet numër një.



Më qartë se deri më tani shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini tha se në atë çast që miratohet vija e re kufitare me Malin e Zi, demarkacioni i famshëm, atëherë do të hapet rruga për liberalizimin e vizave. Mogherini nuk tha se do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, sepse brenda sistemit të Schengenit ka mjaft shtete dhe instanca që mund të bllokojnë lirinë e lëvizjes të banorëve të Kosovës.

Si shpeshherë deri më tani një premtim nga burokratët e BE-së do të mjaftojë që partitë në pushtet të mobilizohen edhe njëherë për të kaluar demarkacionin në Kuvendin e Kosovës. Shenjat e debatit publik dhe politik tregojnë se gjasat për konfrontim në Kuvend sërish janë të mëdha, më së paku mund të ketë përsëri gaz lotsjellës, i cili po hyn lehtësisht në Kuvend, ndonëse shefi i tij, sipas reklamës që ia bën vetes, ka përvojë të gjatë në fushën e sigurisë, zbulimit, kundërzbulimit, vëzhgimit, përcjelljes, alarmimit.

PDK shpreson se nëse kalon demarkacioni, atëherë do të hiqen vizat dhe ky sukses do të mund të përdoret në fushatën elektorale – pa marrë parasysh a mbahen zgjedhjet sivjet apo vitin e ardhshëm. Fushata tashmë ka filluar dhe kryetari i PDK-së ka filluar të dalë në terren «me dëgju». Kreu i LDK-së gjendet nën presion për të treguar nëse ka ende autoritet brenda partisë dhe deputetëve të LDK-së. Në të dy partitë e mëdha ka mjaft deputetë që janë të bindur se mënyra se si është kryer demarkacioni është e dyshimtë ose së paku lë hapësirë për dyshim. Ndërsa shumica e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së janë të gatshëm që për interesa personale dhe afatshkurtra të votojnë qorrazi për vijën e re kufitare me Malin e Zi, një pjesë e deputetëve po i shqetëson mendimi se një ditë mund të shihen si tradhtarë.

Këtë pasiguri mes tyre me sukses e ka ngjallur sidomos Vetëvendosje, ndonëse metodat që ka përdorur kjo parti – hedhja e gazit lotsjellës në parlament dhe shpallja tradhtar e gati secilit oponent – duket se nuk po gjejnë mbështetje të madhe në popull. Demarkacioni do të shfrytëzohet nga Vetëvendosja për konfrontimin e radhës me pushtetin. A do të zgjerohet kësaj here rezistenca publike kundër demarkacionit dhe – rrjedhimisht – a do të rritet përkrahja për Vetëvendosjen? Është për të dyshuar. Shumë prijës të VV-së kanë një talent absurd për të zhgënjyer të gjithë ata votues që janë kundërshtarë të pushtetit aktual, por nuk janë militantë të VV-së.

Rasti i fundit kur VV ia vuri vetes një mjet eksploziv në prapanicë ishte kur kryetari i saj dhe një deputete e ardhur nga AAK qëndruan ulur ndërsa po intonohej himni i Kosovës në kongresin e AKR-së, një partie që, sipas VV-së, drejtohet nga një «oligark i Rusisë». VV nuk i njeh simbolet e Kosovës, por varet se ku. Kur takojnë diplomatë të BE-së, aty nuk e heqin flamurin e Kosovës. Kur marrin pjesë në ngjarje lokale pasi ngopen me spinaq patriotik fillojnë të tallen me «simbolet e pushtetit». Në këtë fushatë prijnë sidomos milicët e importuar nga Tirana.

Mbrojtësit e mohueseve të simboleve shtetërore të Kosovës thanë se eksponentët e VV-së vetëm shfrytëzuan lirinë e shprehjes. Natyrisht liria e shprehjes është një vlerë e madhe, por ç’të bësh që mund të ketë shumë njerëz që ndihen të fyer nga sjelljet e VV-së ndaj simboleve të Kosovës dhe në zgjedhjet e ardhshme do të thonë se është liri e shprehjes të mos votohet për VV-në. Nga kjo liri e shprehjes mund të pësojë VV, jo PDK, e cila ka klientët e vet politikë, por edhe elektorat, të cilin mund ta animojë me para nga arka e shtetit dhe me premtime për privilegje.

Ekziston rreziku shumë i madh që edhe në zgjedhjet e ardhshme apo pas tyre të bëhen sërish bashkë ata që e kanë futur Kosovën në qorrsokak, ndërsa VV të mbetet vetëm duke u marrë me simbolikë flamujsh, me punëtori revolucionare, me aktivizim të milicëve të mendimit, të cilët nuk kanë probleme vetëm me portalet e kriminalizuara të pushtetit, por edhe me media të pavarura e serioze. Nuk ka gjë më të lehtë në Kosovën e pllakosur nga apatia se sa të shuash çdo shkëndije për ndryshime. VV ka talent për këtë mbrapshti po aq sa ka potencial për të qenë alternativë. Prej saj varet.

Në këtë situatë të polarizimit ekstrem në Kosovë si përherë kanoset rreziku nga Serbia. Më 2 prill në këtë vend do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe kandidati për president Aleksandër Vuçiq do të bëjë çmos të zgjidhet në raundin e parë për të treguar se ai mbetet njeriu i fuqishëm i Serbisë. Në javët në vijim Vuçiq do të ndërsejë mediat e tij kriminale për të mobilizuar shtresën nacionaliste. Këtë javë ai tha se shqiptarët po përgatisin sulme ndaj serbëve në Kosovë. Kur në janar autoritetet franceze ndaluan Ramush Haradinajn, mediat e Vuçiqit alarmuan se tani diaspora shqiptare mund të sulmojë ambasadat e Serbisë. Që nga atëherë konsullatën e Serbisë në Zürich – për shembull – po e ruan një patrullë e policisë zvicerane. Kjo klikë ultranacionaliste në Beograd, e cila para BE-së sillet si proeuropiane, nuk zgjedh mjet për të ngritur tensionet dhe bërë propagandë.

Si të shpëtohet Kosova gjatë muajit mars? Në mars të vitit 2004 shoqëria kosovare ka dështuar në këtë drejtim. Mijëra njerëz janë manipuluar nga RTK, një televizion privat i PDK-së si atëherë ashtu edhe sot, nga shërbimi i PDK-së për krime të ndryshme, por edhe nga agjenturat serbe. Rezultati dihet: filloi zgjidhja e statusit të Kosovës, por duke u fokusuar në avancimin e tillë të pozitës së pakicës serbe në Kosovë, saqë ky shtet edhe në vitin 2017 nuk kontrollon tërë territorin e vet dhe në çdo hap sabotohet nga Beogradi. Andaj mund të pyesim sërish: si të shpëtohet Kosova gjatë muajit mars? Fjalia «mos bini në provokime» tingëllon tepër banale, e harxhuar. Qytetarët e Kosovës duhet të bëhen zot të fatit të tyre. Dhe të tillë bëhen nëse bojkotojnë lojërat e pista të pushtetit dhe nëse kësaj opozite të zaiftë i tregojnë se çlirimi i Çamërisë nga Prishtina nuk duhet të jetë prioritet numër një. Ky vend dhe këta njerëz në Kosovë kanë halle ekzistenciale. Nuk kanë nevojë për krekosje patriotike në sheshet e Prishtinës, nuk kanë nevojë për klithma dhe përbetime se «do t’ia tregojmë qejfin Serbisë së më 1998 dhe 1999». Në vitin 2017 njerëzit – madje edhe në Serbi, siç tregoi një anketë së fundi – kanë, fatmirësisht, qejfe të tjera. Duan një jetë të dinjitetshme, larg hajdutëve politikë që manipulimin dhe ndërsimin e kanë shndërruar në zanat.