Si të ndalen popullistët?

Shprehja «Lideri i botës së lirë» zakonisht është e rezervuar për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përdoret shpesh me ironi. Jam në tundim që të shprehem se nga sot lideri i ri i botës së lirë është Angela Merkel.

Timothy Garton Ash, publicist dhe profesor britanik.

Sfida para nesh është e qartë: jemi duke u ballafaquar me globalizimin e antiglobalizimit, me një front të gjerë popullistësh, me internacionalen nacionaliste. «Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nesër Franca», klith Jean-Marie Le Pen. Para nesh është një betejë e gjatë dhe e vështirë deri në fitore. Ndoshta rrugës duhet gjetur një «lider të ri të botës së lirë». Por, në fund, ne do të fitojmë.

Rusia e Vladimir Putinit nuk është larg nga fashizmi. Turqia e Rexhep Taip Erdoganit është gjithnjë e më afër kalimit të vijës që ndan demokracinë joliberale nga fashizmi, ndërsa në Hungarinë e Viktor Orbanit tashmë sundon demokracia joliberale. Në Poloni, Francë, Holandë, Britani të Madhe, e tani edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbrohet vija ndarëse ndërmjet demokracisë liberale dhe joliberale.

Kjo në Britani nënkupton mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit, sovranitetin e Parlamentit dhe të lirisë së medies. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrim pjesë në testin më të vështirë të një sistemi të fortë dhe më të vjetër liberal-demokratik dhe në mekanizmat e kontrollit të ndërsjellë. Republikanët e kanë shumicën në Kongres, ndërsa Donald Trump duket se do ta ketë rastin të bëjë emërime të rëndësishme politike të shumë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo gjë do të shkojë në mënyrën që ai dëshiron.

Në të gjitha format e popullizmit nacionalist është e qartë ideologjia që pretendon se shprehja e drejtpërdrejtë e vullnetit të «popullit» është burimi më i lartë i autoritetit. Udhëheqësit popullistë si Marine Le Pen paraqiten si një zë i vetëm i popullit. Slogani i Trumpit «Unë jam zëri juaj» është i natyrës së njohur populliste. E tillë është edhe faqja e parë e gazetës Daily Mail, në të cilën u shpallën «armiq të popullit» tre gjyqtarë që e sollën vendimin për Brexit, ku thanë se duhet të pyetet Parlamenti britanik. E njëjta vlen për kryeministrin e Turqisë, i cili në vlerësimet e bëra nga BE-ja se shtypja brutale e medieve e ka kaluar vijën e pranueshme, përgjigjet se «vetëm populli mund t’i përcaktojë kufijtë e pranueshmërisë».

Pas ekzaminimit të kujdesshëm tregohet se «populli» – ndoshta fjala «Volk» këtu do të ishte më e përshtatshme – në fakt është vetëm një pjesë e tij. Trump e ka ilustruar shkëlqyeshëm sesi funksionon ai mashtrim popullist me një koment të rastit në njërin nga tubimet gjatë fushatës së tij. «Më i rëndësishmi është bashkimi i popullit tonë», tha ai, «të tjerët nuk kanë rëndësi për ne». Siç mund ta shihni, populli kurrë nuk është i dyti: kurdët, myslimanët, hebrenjtë, refugjatët, emigrantët, zezakët, elitat, ekspertët, homoseksualët, romët, kosmopolitanët, metropolitanët, gej-gjyqtarët që e duan Europën. Nigel Farage nga UKIP njoftoi se Brexit ishte fitore e njerëzve të thjeshtë, e njerëzve të mirë dhe të vërtetë – me çka pjesën tjetër prej 48 për qind të votuesve, të cilët gjithashtu kanë dalë dhe kanë votuar, i ka shpallur njerëz që nuk janë të thjeshtë, të mirë dhe të vërtetë.

Çfarë na mëson historia për fenomenet që lëvizin si valë dhe që paraqiten në të njëjtën kohë në disa vende në forma specifike lokale nacionale dhe rajonale, por gjithmonë kanë disa karakteristika të përbashkëta? Popullizmi nacionalist sot, liberalizmi i globalizuar (apo neoliberalizmi) i viteve të ‘90 të shekullit ’20, fashizmi dhe komunizmi i viteve të ‘30 dhe ‘40, imperializmi në shekullin ’19. Nga kjo mund të nxirren dy mësime: e para, këto fenomene shpenzohen më ngadalë; e dyta, për ndryshimin e tyre (në qoftë se vala është e tillë që ne duam ta bëjmë të kundërt) është e nevojshme të tregohet guxim, vendosmëri dhe qëndrueshmëri, është i nevojshëm zhvillimi i gjuhës së re politike dhe zgjidhjeve të reja për problemet reale.

Shembull i mirë është zhvillimi paralel i ekonomisë së tregut dhe mirëqenies pas vitit 1945. Për një model të tillë, i cili e përfundoi valën e komunizmit dhe fashizmit, ishin të nevojshëm intelektualët gjenialë, njerëz të tillë si John Maynard Keynes, me aftësi menaxhuese të William Beveridge dhe me talent politik të Clement Richard Attlee. Them «njerëz si… », për shkak se në versione të tjera të së njëjtës histori në vendet tjera të Europës Perëndimore përmenden disa terma të tjerë. Sa i madh ishte oqeani i gjakut, djersës dhe lotëve të cilin e kemi kaluar deri në këtë pikë.

Prandaj, ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë, e cila mund ta marrë një brez të tërë. Kjo ende nuk është «bota post-liberale», por mund të bëhet e tillë. Forcat që qëndrojnë prapa frontit popullist janë gjithnjë e më të fuqishme, partitë tradicionale janë gjithnjë e më të dobëta, e valët e tilla nuk mund të ndalen brenda natës.

Për fillim, ne duhet ta mbrojmë pluralizmin. Gjithashtu duhet t’i kuptojmë shkaqet ekonomike, sociale dhe kulturore të lëvizjes së popullizmit. Jo vetëm liberalët, por edhe e majta dhe konservatorët e moderuar duhet ta gjejnë një gjuhë të re me të cilën do ta angazhojnë emocionalisht dhe thellësisht atë pjesë të elektoratit popullist që nuk është e zhytur në mënyrë të pakthyeshme në ksenofobi, racizëm dhe mizogjini. (Për fillim do të mund të mos i përshkruanim si «fatkëqij të denjë për përbuzje».) Por, vetë retorika me gjasë nuk do të jetë e mjaftueshme. Për çfarë politikash kemi nevojë? A po rrezikohen vërtet vendet e punës me marrëveshjet për tregti të lirë dhe për imigracion, apo këtë po e bën teknologjia? Nëse është kjo e fundit, çfarë jemi të gatshëm të ndërmarrim?

Jashtë Britanisë së Madhe, sfida e parë është parandalimi i erozionit të elementeve ekzistuese të rendit liberal botëror – marrëveshjet për ndryshimin klimatik, për shembull, si dhe marrëveshjet ekzistuese për tregti të lirë. Nga pikëpamja filozofike, është e mundur që presidenti i Kinës, Xi Jinping, ta mirëpresë agimin e një ideje të një bote të re të Trumpit, me shtete të forta nacionaliste e sovrane, por të dy liderët me gjasë e kuptojnë se kthimi në nacionalizmin ekonomik të viteve të ‘30 dhe në tarifat doganore për mallrat nga Kina në 45 për qind, ashtu siç Trump premtoi në fushatë, do të ishte një katastrofë për të dyja palët. Lajm i mirë është se internacionalizmi nacionalist është kontradiktë e brendshme.

Shpresojmë edhe se amerikanët seriozë dhe me përvojë do të vazhdojnë të vijnë në punë dhe se do ta formësojnë politikën e jashtme dhe ekonomike të administratës së re, pa marrë parasysh se sa Trump do të jetë i papranueshëm. Ka ardhur koha t’i mbyllim sytë dhe ta miratojmë «etikën e përgjegjësisë» të Weberit. Por, edhe kështu, ky do të jetë një mandat i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm presidencial. Në rast se barra më e madhe bie në vendet udhëheqëse të demokracisë: në Europë, por edhe në Kanada, Australi, Japoni dhe Indi. Nëse ne në Evropë konsiderojmë se është e domosdoshme që vendet baltike të mbrohen nga agresioni i mundshëm i Rusisë së Putinit duhet që këtë ta sigurojmë nëpërmjet NATO-s dhe BE-së. Nuk mund të mbështetemi në marrëdhëniet e mira ndërmjet Putinit dhe Trumpit.

Nëse ne europianët konsiderojmë se është e rëndësishme ta ruajmë jetën e një demokracie të pavarur ukrainase, duhet që vetë të kujdesemi për të. Pasi Britania e Madhe u tërhoq në margjina, duke iu falënderuar versionit të vet të popullizmit nacionalist, përgjegjësia e veçantë mbetet te votuesit francezë dhe gjermanë. Nëse deri në fund të vitit 2017 për president të Francës zgjidhet Alain Juppe dhe nëse Angela Merkel rizgjidhet në Gjermani, Europa do të mund të rezistojë.

Komenti më i denjë për fitoren e Trumpit që e dëgjova ishte ai i Angela Merkelit. «Gjermaninë dhe Amerikën», tha ajo, «i lidhin vlerat e demokracisë, të lirisë dhe të respektimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga origjina, ngjyra, feja, orientimi i tyre seksual apo pikëpamjet politike. Donald Trumpit, presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, i ofroj bashkëpunim të ngushtë në bazë të këtyre vlerave». Pa rezervë. Shprehja «Lideri i botës së lirë» zakonisht është e rezervuar për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përdoret shpesh me ironi. Jam në tundim që të shprehem se nga sot lideri i ri i botës së lirë është Angela Merkel.

(Guardian)