Si të jesh stoik

I lindur gati dymijë vite para Daruinit dhe Frojdit, Epiktiti e paska pasë gati rrugëdaljen nga burgjet e tyre.

Epiktiti, filozof stoik.



Filozofi stoik, Epiktiti [Ἐπίκτητος], u lind skllav rreth vitit 55 në ilixhen greko-romake Hierapolis [Ἱεράπολις], Pamukkaleja e sotme e Turqisë. Në mësimet e tij së pari hasa në vitin 2011, shkurt pasi që u shpërngula nga San Francisko në Stamboll. Jetoja e vetme në një qendër universitare në një pyll. Duke qenë në lidhje të trazuar dashurie nga largësia, ndonjëherë kaloja ditë të tëra pa i folur kujt përpos kokës pa trup të të dashurit tim përmes Skype. Isha e demoralizuar nga jeta politike turke, e cila edhe sekularët, edhe fetarët, i bënte ta ndjenin veten si viktima. Po të ishe femër, pa marrë parasysh se si ishe e veshur — me dekolte apo shami — dikush do të të shikonte shtrembët.

Me leximin e rreshtit të parë të doracakut të Epiktitit për këshilla etike me titullin Enhiridion [Ἐγχειρίδιον] —«disa gjëra i kemi në dorë, e të tjerat jo» — m’u duk se m’u hoq një barrë që ma pllakoste kraharorin. Sipas Epiktitit, gjëja e vetme që e kemi plotësisht në dorë, dhe rrjedhimisht e vetmja për të cilën duhet ta vrasim mendjen ndonjëherë, është ajo se si e gjykojmë një gjë se a është e mirë. Nëse dëshirojmë të kemi të holla, shëndet, seks ose nam, doemos do të ndodhë të mos jemi të lumtur. Nëse vërtet dëshirojmë t’i ikim varfërisë, sëmundjes, vetmisë, dhe të paqartës, do ta kalojmë jetën në ankth dhe zhgënjim të përhershëm. S’do mend, frikët dhe dëshirat janë të pashmangshme. Çdokush i përjeton këto shkreptima të tmerrit dhe të pritjes. Të jesh stoik do të thotë t’i vesh në pyetje këto shkreptima: të pyesësh se a janë në mesin e gjërave që nuk i ke në dorë dhe, nëse janë, «t’u rrish gati me reagimin <Nuk qenka punë për mua.>»

Duke e lexuar Epiktitin e kuptova që pjesa më e madhe e dhembjes që e përjetoja ishte jo nga mungesa apo fyerjet, porse nga turpi prej mendimit se ato kanë mundur të shmangen. A nuk isha vetë fajtore që jetoja në këtë lloj veçimi, që kuptimi vazhdonte të më ikte, që ishte rrëmujë jeta e ime në planin e dashurisë? Kur lexova se askush nuk duhet të turpërohet ndonjëherë që është i vetmuar, ose pjesë e turmës, e kuptova se shpesh jam turpëruar nga këto dy gjendje. Këshilla e Epiktitit: kur je e/i vetmuar, «quaje paqe dhe liri, konsideroje veten të barabartë me perënditë»; në turmë, mendoje që je në një aheng të stërmadh dhe festo ashtu siç di më së miri.

Epiktiti po ashtu më bëri për vete me tonin e tij, i cili ishte si i një trajnuesi të tërmekur sportiv. Po deshe të jesh stoik, thoshte ai, «do ta nxjerrësh vendit kyçin e dorës, ta përdredhësh kyçin e këmbës, të gëlltisësh sasi rëre», dhe prapë do të pësosh humbje dhe poshtërime. Megjithatë, për ty çdo goditje që të zmbraps është përparësi, rast për mësim dhe lavdi. Kur të vijë vështirësia nga ti, duhet të ndjesh krenari dhe galdim, sikurse «një mundës të cilin perëndia, si trajnues, e vuri në përleshje me një trim me fletë». Me fjalë të tjera, mendoje që çdo zgurdhan që sillet paarsyeshëm, me të cilin duhet të merresh, përbën pjesë të përpjekjes së perëndisë për të të «bërë lëndë të sojit olimpik». Kjo është bishtni shumë e fortë.

Shumica e këshillave të Epiktitit është mbi zemërimin me skllevërit. Së pari mendova që këto pjesë do të mundja t’i kapërceja. Por së shpejti e kuptova që edhe vetë kisha mendim të njëjtë kundërpaditës dhe pa logjikë gjatë ndërveprimeve të mia me afaristë të vegjël dhe profesionistë të shërbimeve. Kur më rrejti taksisti mbi rrugën, ose kur ma vodhi shitësi kusurin, mendova që ishte faji i im, sepse e flisja turqishten si e huaj dhe sepse isha pjesëtare e elitës. Edhe nëse shtiresha se nuk i vëreja këto hile, a nuk e vërtetoja në atë mënyrë që isha vërtet shtypëse e privilegjuar dhe e shkëputur? Epiktiti m’i shkundi mendimet e tilla me këtë ushtrim të thjeshtë: «Duke filluar me gjërat që kanë pak vlerë — pak vaj i derdhur, pak verë e vjedhur — i përsëritja vetes: <me këtë çmim kaq të ulët jam duke blerë qetësi shpirtërore.>»

I lindur gati dymijë vite para Daruinit dhe Frojdit, Epiktiti, e paska pasë gati rrugëdaljen nga burgjet e tyre. Po ajo ndjenja e shkatërrimit dhe ngazëllimit, e cila është e programuar në trup të njeriut? Mund t’i nënshtrohet mendjes. Lufta e përjetshme ndërmjet dëshirave të nënvetëdijes dhe kërkesave të qytetërimit? Mund të fitohet. Në gjysmën e shekullit të kaluar, psikoterapeuti amerikan Albert Ellis arriti deri te një formë e terapisë së njohjes dhe sjelljes, e cila në pjesën më të madhe bazohej në pohimin e Epiktitit se «njerëzit nuk shqetësohen nga ngjarjet, por nga gjykimet që i bëjnë përkitazi me to». Po e ushtrove filozofinë stoike për një kohë të duhur, thotë Epiktiti, as në ëndërr më nuk gabon gjatë gjykimit mbi të mirën.
(New Yorker)