Si do të festohet Dita e Fëmijëve në Prishtinë

Sheshet kryesore të kryeqytetit sot pritet të jenë të mbushura me fëmijë, të cilët do ta festojnë Ditën Ndërkombëtare të tyre me aktivitete të ndryshme. Fëmijët do ta kenë edhe një takim edhe në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, të udhëhequr nga veta ata.




Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Muzeu i Kosovës në sheshin «Ibrahim Rugova», organizon aktivitete me moton: Luajmë, Mësojmë, Zbulojmë -Trashëgiminë. Kurse, në sheshin «Nëna Tereza», Komuna e Prishtinës, organizon fushatën «Prishtina lexon». Aktivitetet e këtyre dy institucioneve për këtë ditë do të vazhdojnë edhe dy ditën në vijim.

Po në këto sheshe, organizata «KISCOMS», shënon Ditën ndërkombëtare të fëmijëve me ç’rast, lepuroshi dhe ambasadorët e projektit «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur», do të shpërndajnë brusha të dhëmbëve me pastë

Në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë, do të mbahet tryezë diskutimi me temën «Etika profesionale në punë me fëmijë». Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me institucionet parashkollore dhe «Save the Children» në Kosovë, në sallën «1 Tetori», organizojnë Olimpiadën «Lojëra pa kufi».

Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën e Fëmijëve, ku në sallën e mbledhjeve plenare, nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës do të mbajnë takimin e udhëhequr nga vet ata, të emërtuar «Vendosja e fëmijëve në rend të parë». Kurse, kryeparlamentari Kadri Veseli pret në zyrën e tij një grup fëmijësh me autizëm.

Për të drejtat dhe liritë e fëmijëve do të flasin edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Avokatin e Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, të cilët do të jenë pjesë e debatit të organizuar nga organizata joqeveritare «ETEA» dhe «Rri Drejt», në bashkëpunim me Bibliotekën «Hivzi Sulejmani», në ambientet e kësaj bibliotekë.