Si ta kthejmë demokracinë në rrugën e duhur? (IV)

Pjesa e katërt dhe e fundit e analizës së revistës «The Economist» mbi krizën e demokracisë.

Foto: Shutterstock



Gjëja më mahnitëse e themeluesve të demokracisë moderne, si James Madison dhe John Stuart Mill, ishte vendosmëria e tyre e pa kompromis. Ata e konsideronin demokracinë si mekanizëm të fuqishëm, por jo të përsosur: Diçka që duhej të dizajnohej me maturi me qëllim që të nxiste kreativitet human, por edhe ta frenonte njeriun prej perversitetit, dhe kështu të mbahej rregulli dhe rendi, por që përherë kërkonte të lustrohej e ndryshohej me finesë.

Domosdoja për t’i besuar fort është jashtëzakonisht stresuese kur vjen puna e vendosjes së rendit demokratik. Një arsye tjetër pse kanë dështuar së fundi shumë eksperimente demokratike është se demokracitë theksojnë fort vlerën e zgjedhjeve dhe shumë pak elemente të tjera të demokracisë. Fuqia e shtetit duhet të kontrollohet, ta zëmë, dhe të drejtat individuale, si liria e shprehjes dhe liria e organizmit, duhet të garantohen. Demokracitë më të suksesshme të reja kanë pasur sukses kryesisht për shkak se shmangën joshjen e mazhoritarizmit – nocioni që në momentin që fiton shumicën e votave, fiton edhe të drejtën për të bërë çfarëdo që i kujtohet. India ka mbijetuar si demokraci që nga viti 1947 (hiq disa vite të sundimit të hekurt të fillimit) dhe Brazili që nga mesi i viteve tetëdhjetë për të njëjtën arsye: Të dy këto shtete i vunë kufizime pushtetit të qeverisë dhe ofruan garanci për të drejtat individuale.

Kushtetutat e qëndrueshme jo vetëm që ofrojnë stabilitet afatgjatë, duke reduktuar mundësinë që pakicat e pakënaqura të çojnë krye kundër regjimit, ato gjithashtu nxisin luftimin e korrupsionit, frenuesin e shteteve në zhvillim. Përkundrazi, shenja e parë se një demokraci e brishtë po vihet me shpatulla për muri vjen kur sunduesit e zgjedhur mundohen të gërryejnë siguresat frenuese të pushtetit të tyre – shpesh në emër të sundimit të shumicës. Zoti Morsi u mundua ta mbushte dhomën e lartë të Egjiptit me përkrahës të Vëllazërisë Myslimane. Zoti Yanukoviq reduktoi pushtetin e Ukrainës në parlament. Zoti Putin ia mori pushtetin institucioneve të pavarura të Rusisë në emër të popullit. Shumë krerë afrikanë janë përfshirë në mazhoritarizmin e ashpër – duke hequr kufizimet kohore të presidencës dhe ashpërsuar ndëshkimet ndaj sjelljes homoseksuale, siç ka bërë presidenti i Ugandës Yoveri Mosevini.

Liderët e huaj duhet të tregojnë gatishmëri për të folur zëshëm kur sunduesit kaplohen prej sjelljeve të tilla joliberale, edhe në qoftë se shumica i përkrah. Por njerëzit që duhet më së shumti ta mësojnë këtë leksion janë arkitektët e demokracive të reja: ata duhet ta pranojnë se shtyllat e kontrollit dhe baraspeshës së pushtetit janë po aq vitale për rrënjosjen e demokracisë së shëndoshë, sa edhe e drejta e votës. Është paradoksale se edhe diktatorët potencialë kanë mësuar shumë prej ngjarjeve në Ukrainë dhe Egjipt: Zoti Morsi nuk do të endej poshtë e lartë ndërmjet burgut dhe një kutie të xhamtë në gjykatore, dhe zoti Yanukoviq nuk do ta kalonte jetën në arrati nëse nuk do të akumulonte gjithë pushtetin e popullit në duart e veta.

Madje edhe ata që kanë fatin të jetojnë në demokraci të konsoliduara duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe arkitekturës së sistemeve të tyre politike. Kombinimi i globalizimit dhe revolucionit digjital i ka bërë edhe disa prej institucioneve më të respektuara të demokracive të duken të dala mode. Demokracitë e pjekura duhet të përtërijnë sistemet e tyre politike për t’i adresuar problemet me të cilat përballen dhe për ta rivitalizuar imazhin e demokracisë jashtë vendit. Disa shtete tashmë kanë nisur këtë proces. Senati amerikan ua ka vështirësuar senatorëve të pengojnë disa emërime. Pak shtete kanë nisur me mbajtjen e zgjedhjeve paraprake. Disa ndryshime të tjera do të sillnin përmirësime të tjera. Reforma e financimit partiak, me qëllim që të publikohen emrat e të gjithë donatorëve, mund ta reduktojë ndikimin e interesave speciale. Parlamenti Europian do të mund të kërkonte faturat e shpenzimeve. Italia ka larg më shumë deputetë që paguhen së tepërmi, dhe dy dhoma të barabarta  parlamentare, që vështirësojnë kryerjen e punëve.

Por, reformatorët duhet të jenë më ambiciozë. Mënyra më e mirë për të frenuar pushtetin e interesave speciale është të kufizohet numri i sheqerkave që shteti mund t’ua servojë. Dhe mënyra më e mirë për adresimin e deiluzionimit popullor kundrejt politikanëve është të reduktohet numri i premtimeve që mund të bëjnë. Çelësi për demokraci më të shëndetshme, shkurt e shqip, është një shtet me më pak kompetenca – ide që daton qysh prej kohës së revolucionit amerikan. «Për formësimin e një qeverie që do të administrohej prej burrave që kontrollojnë burrat», argumentonte Madisoni, «vështirësia më e madhe është kjo: së pari duhet ta aftësoni qeverinë të kontrollojë të qeverisurin, dhe pastaj ta kontrollojë veten». Nocioni i qeverisë së kufizuar ishte gjithashtu integral me rilansimin e demokracisë pas Luftës së Dytë Botërore. Karta e Kombeve të Bashkuara (1945) dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948) përcaktojnë të drejtat dhe normat që shtetet nuk mund t’i shkelin edhe nëse këtë e kërkon shumica.

Këto kontrolle pushteti dhe baraspesha motivoheshin prej frikës së tiranisë. Por sot, sidomos në Perëndim, rreziqet e mëdha për demokracinë janë të zorshme për t’u vërejtur. Një prej tyre është rritja e përmasave të pushtetit të shtetit. Zgjerimi i pandalshëm i qeverisë redukton lirinë dhe u bën argatin edhe më shumë interesave të ngushta. Tjetri vjen prej shprehisë së qeverisë për të bërë premtime që nuk mund t’i përmbushë, ose me marrjen përsipër të zotimeve financiare që s’i përballon ose prej nxitjes së luftërave që nuk mund t’i fitojë, si ajo ndaj drogës. Votuesit dhe qeveritë duhet të binden për vlerat e kufizimeve ndaj tendencës së natyrshme të shtetit për të pasur gjithçka nën kontroll. Dhënia e kontrollit të politikës monetare bankave qendrore të pavarura zbuti inflacionin e tërbuar të viteve tetëdhjetë. Demokracitë e pjekura, sikur dhe ato që porsa kanë zënë fill, kërkojnë masa të duhura kontrolli dhe baraspeshe të fuqisë së qeverisë së zgjedhur.

Qeveritë mund të ushtrojnë vetëpërmbajtjen në shumë mënyra të ndryshme. Mund të veprojnë nëpërmjet rregullave të ashpra fiskale – sikurse ka vepruar Suedia me ruajtjen e kontrollit buxhetor varësisht prej zhvillimit ekonomik. Mund të përfshijnë klauzola ligjore që i detyrojnë politikanët t’i rivlerësojnë ligjet çdo dhjetë vite. Mund t’u kërkojnë komisioneve jopartizane të propozojnë reforma afatgjata. Suedezët e shpëtuan sistemin e tyre pensional nga kolapsi kur një komision i pavarur sugjeroi reforma pragmatike, përfshirë përdorim më të madh të pensioneve private, dhe me lidhje të moshës së pensionimit me pritjet e jetëgjatësisë. Kili ka qenë veçanërisht i suksesshëm në menaxhimin e kombinimit të rrezikshmërisë së tregut monetar dhe presionit populist për të shpenzuar tepricën në kohë të mira. Ka zbatuar një seri rregullash të ashpra që ndjek politikë tepricash buxhetore varësisht prej zhvillimit ekonomik, dhe emëroi një komision ekspertësh për të vendosur si do të menaxhohej rrezikshmëria ekonomike.

A nuk është kjo një recetë për demokracitë e brishta nëpërmjet delegimit të pushtetit dhe të mirave? Nuk është e domosdoshme. Rregullat vetëmohuese mund ta fuqizojnë demokracinë duke ua ndaluar njerëzve të drejtën e votimit për politikat e shpenzimit që prodhojnë falimentim dhe krizë sociale, dhe duke i mbrojtur njëherësh pakicat nga persekutimi. Por teknokracia me siguri se mund ta teprojë. Pushteti duhet të delegohet me masë në pak fusha të mëdha, si politika monetare dhe reformat e nevojshme, dhe procesi duhet të jetë i hapur dhe transparent.

Dhe, delegimi i pushtetit në krye duhet të baraspeshohet me delegimin e pushtetit poshtë, duke ua dorëzuar qytetarëve të rëndomtë një pjesë të vendimmarrjes. Hilja është te përbashkimi i interesave të globalizimit dhe lokalizmit, e jo të insistohet për injorimin ose rezistimin ndaj tyre. Me baraspeshën e duhur të këtyre dy qasjeve, të njëjtat forca që kërcënojnë demokracitë e pjekura nga lart, nëpërmjet globalizimit, dhe nga poshtë nëpërmjet ngritjes së mikro-pushteteve, mund të rifuqizohet e jo të nënvlerësohet demokracia.

Tocqueville argumentonte se demokracia lokale shpeshherë e përfaqëson më së miri demokracinë: «Takimet e asambleve lokale janë për lirinë qysh është shkolla fillore për shkencën; ato i afrohen qytetarit, i mësojnë njerëzit si të përdorin dhe kënaqen me shkencën». Kryetarët e qyteteve rregullisht janë dyfish më të përkrahur se politikanët kombëtarë. Teknologjia moderne mund të zbatojë një version modern të takimeve të asambleve komunale për të promovuar përfshirjen dhe inovacionin qytetar. Një hiperdemokraci online ku gjithçka vihet në serinë e pafund të votimeve publike do të shkonte edhe në të mirë të interesave të ngushta. Por teknokracia dhe demokracia e drejtpërdrejtë mund ta mbajnë njëra-tjetrën nën kontroll: komisionet e pavarura buxhetore mund ta vlerësojnë koston dhe realizueshmërinë e nismave lokale për votime.

Shumë vende po shënojnë përparim drejt zbatimit të kësaj të drejte të përzier. Shembulli më inkurajues është Kalifornia. Sistemi i saj i demokracisë së drejtpërdrejtë ua mundëson qytetarëve të saj të votojnë për politika kundërthënëse, si shpenzimi më i madh dhe taksat më të ulëta, derisa zgjedhjet e mbyllura paraprake dhe votimi i distrikteve institucionalizonte ekstremizmin. Por gjatë pesë viteve të kaluara, Kalifornia ka zbatuar një seri reformash, falë përpjekjeve të Nicolas Berggruen, filantrop dhe investitor. Shteti ka formuar komitetin «Mendo larg» për t’iu kundërvënë tendencave të nismave votuese. Ka nisur me zgjedhje të hapura paraprake duke ia dorëzuar pushtetin për ripërcaktimin e kufizimeve një komisioni të pavarur – arritje që Darrell Stenberg, senator, e përshkroi si diçka «pothuajse sureale».

Ngjashëm, edhe qeveria finlandeze ka krijuar një komision jopartizan për nxjerrjen e propozimeve për të ardhmen e sistemit finlandez të pensioneve. Njëherësh po mundohet të shfrytëzojë e-demokracinë; parlamenti është i detyruar të marrë parasysh çdo nismë qytetare që siguron pesëdhjetë mijë nënshkrime. Por, duhen shumë eksperimente të ngjashme – kombinim teknokracie me demokraci të drejtpërdrejtë, dhe me delegim pushteti poshtë e lart – nëse demokracia do të bëhej leqe për ta rimarrë veten shëndetshëm.

John Adams, presidenti i dytë amerikan, kishte deklaruar njëherë se «demokracia kurrë nuk zgjat shumë. Shpejt zhduket dhe e vret veten. Asnjëherë nuk ka pasur një demokraci që nuk ka bërë vetëvrasje». Afërmendsh se e kishte gabim. Demokracia ishte fituesja e madhe e përplasjeve ideologjike të shekullit njëzetë. Nëse demokracia e ka ndërmend të jetë e suksesshme edhe në shekullin njëzetenjë si në shekullin njëzetë, patjetër duhet piqet edhe me më shumë ngulm – dhe të mirëmbahet me kujdes kur është mjaftueshëm e pjekur.

(Fund)