Si s’patët një pikë mëshirë së paku ndaj gjuhës…

Në këtë fushatë elektorale u keqpërdorën ekrane televizive, media virtuale, resurse publike, por më së shumti u keqpërdor gjuha.

Ilustrimi: Shutterstock



Në këtë fushatë na thanë se Kosova do të bëhet Zvicër. U mbetet qytetarëve të Kosovës të mblidhen më 1 gusht në një livadh dhe të lidhin besën – bash ashtu siç u bënë bashkë zviceranët në një livadh në Zvicrën qendrore, buzë liqenit të Luzernit, më 1 gusht 1291. Pastaj gjithçka do të jetë mirë, mjaltë e qumësht do të rrjedhë Drinit e Ibrit teposhtë dhe nëpër të gjithë përrenjtë dhe vadat e Republikës së Kosovës.

Në këtë fushatë na thanë se prej frikës nuk duhet të kemi frikë. Se çka deshën të thonë me këtë mesazh nuk e merr vesh as dreqi, as i biri. A synonte ky mesazh të tregonte se tash askush nuk duhet të ketë frikë nga askush, sepse tash po vjen supermeni në pushtet, ai që me shkop magjik (apo me shufër metalike apo shkop bejzbolli?) do t’i kthejë gjërat për së mbari në këtë vend? Mos keni frikë nga frika është mesazh demaskues dhe u drejtohet votuesve skeptikë: «Mos na paragjykoni, s’jemi më ata të pasluftës, tash jemi pispillosur dhe pajisur me tituj, kostume të reja, kemi mësuar të thithim puron, të lidhim kravatën, të bartim këmisha me iniciale, të shijojmë kaviarin». Pikërisht nga ky imazh i rrejshëm duhet të kenë frikë qytetarët.

Në këtë fushatë na thanë se është mirë që me politikë të merren vetëm Amerika dhe Rusia, ndërsa ne duhet t’i përkushtohemi problemeve tokësore, të merremi me ekonomi e bujqësi. E thanë këtë politikanë që kanë përfituar nga privatazimet e dyshimta, e thanë këtë politikanë me njohuri të thella vetëm në dredhi, trillime, tinëzi. E thanë këtë politikanë që kanë probleme të formulojnë si duhet një fjali, t’i japin logjikë mendimit dhe të prezantojnë bindshëm argumentet.

E mjera gjuhë shqipe që duhet të durojë aq shumë tortura – prej «politikanëve», «analistëve», «gazetarëve». Thonjëzat janë shoqëruese të përhershme të gati çdo veprimtarie të tyre. Çfarë pamë tjetër në këtë fushatë? Shumë gërdi, gati aspak analizë. Shumë kalemxhinj, pothuaj fare gazetari. Shumë kameriere të krimit të organizuar dhe kameleonë të panumërt përballë një publiku të neveritur nga ky nivel. Shumë faqezinj egërshanë, zhurmëbërës të pacipë, manipuluese e manipulues faktesh, shumë surrate të mbuluara me pudër për të fshehur paaftësinë. Shyqyr, një milion herë shyqyr që po përfundon sot kjo fushatë elektorale që i ngjau më shumë një vrapi langoresh e langonjsh. Shumë shpirtra keni helmuar në garën e frikshme për ta hedhur në humnerë edhe njëherë këtë popull. Sa më shumë që përjargeni, aq më afër është fundi juaj. Hileqarë e dallaveraxhinj.

«Ç’kapja e shtetit», «fillimi i ri», «ka ardhë koha» e kështu me radhë janë sllogane që tregojnë krejt shterpësinë shprehëse të shumicës së politikanëve kosovarë. «S’do të bëjmë koalicion me atë parti», thotë njëri – dhe publiku kritik e di shumë mirë se ekziston rreziku real të ndodhë e kundërta. Çfarë domethënë folja «ç’kapje» kur përmendet nga ata që ose e kanë kapur, marrë peng shtetin ose kanë lejuar që kjo të bëhet para syve të tyre? Çfarë domethënë «fillim i ri» me personelin e njëjtë politik, i cili flet për mirëqenie e integrim në Europë, ndërsa me njërin sy shikon drejt Dyzit, me tjetrin drejt Hagës? Barra e skandaleve, aferave, shkeljeve të ligjit është aq e rëndë, saqë kjo klasë me sundimtarë që demokracinë e përdorin vetëm si dekor nuk mund t’i ofrojë Kosovës kurrfarë perspektive – përveç perspektivës së territ, intrigave dhe manipulimeve. Çka domethënë «ka ardhë koha», kur koha e lirisë ka qenë këtu qe gati 20 vjet? Kjo kohë është shfrytëzuar egërsisht për ta bërë Kosovën vend të pamundësive, vrimë të zezë të krimit e korrupsionit, vatër të pasurimit marramendës të kusarit që «merret me politikë» dhe politikës i thotë «poletikë». Si s’patët një pikë mëshirë së paku ndaj gjuhës…