Si po e ndihmon Zvicra Kosovën të qëndrojë në këmbët e veta

Që nga përfundimi i luftës më 1999 në Kosovë shumë gjëra kanë ndryshuar. Por, papunësia e lartë dhe varfëria e shtrirë kudo po i shtyjnë shumë kosovarë të mërgojnë në botën e jashtme. Zvicra po përpiqet ta ngjallë tregun e punës në Kosovë. A mund të funksionojë kjo?

Foto: Shutterstock

Në shikim të parë duket e pakuptueshme që Zvicra ende është e shqetësuar për Kosovën. Kush del nga aeroporti modern ndërkombëtar i Prishtinës, sheh kodra të blerta dhe një grumbull taksish, të cilët të transportojnë në autostrada moderne.

Në vend mbretëron paqja, dhe ka vetëm pak gjurmë shkatërrimi nga viti 1999, kur serbëve etnikë dhe shqiptarëve të Kosovës kishte shpërthyer lufta. Rrugët me gropa dhe shtëpitë e djegura apo të qëlluara nga armët i takojnë të kaluarës. Minaret janë restauruar dhe turizmi është caku më i madh.

Shumica e infrastrukturës është rindërtuar tashmë, por ekonomia stagnon: 30 për qind e njerëzve nuk kanë punë. Papunësia sidomos në mesin e grave dhe të rinjve mes moshës 15 dhe 24 vjeçare paraqet problem. Shumë kosovarë tashmë kanë braktisur vendin dhe kanë kërkuar një jetë më të mirë në Perëndim. Në vitin 2014 kosovarët përbënin gati 40 për qind të kalimeve ilegale të kufirit drejt Europës. Sfida e vërtetë është që të rinjtë të inkurajohen të qëndrojnë në vend dhe t’i ndihmojnë Kosovës të ngrihet në këmbët e veta. Zviceranët besojnë se krijimi i vendeve të punës është rruga më e mirë për të ecur përpara. Zvicra është donatori i tretë më i madh bilateral i Kosovës, nga viti 2013 deri më 2016 Zvicra ka dhënë 88 milionë euro. Një pjesë e parave rrjedh përmes fondacionit privat Swisscontact dhe projektit të tij «Promoting Private Sector Employment» (PPSE).

Një ndër sektorët më premtues është turizmi, por ky sektor duhet të riorganizohet. Rrjedhimisht, Zvicra ka themeluar në perëndimin kodrinor të Kosovës një shoqatë të turizmit të quajtur OMD. Kjo shoqatë bashkon firma që ofrojnë ecje në bjeshkë dhe promovon kulturën shqiptare. Me sukses të konsiderueshëm, siç ka zbuluar platforma Swissinfo.

Momentalisht ka disa pengesa për të udhëtuar në Kosovën perëndimore. Mjetet e transportit publik nuk janë aq të përhapura në rajonet e largëta malore, rrugët nuk janë mirë të rregulluara, pothuaj nuk ka tabela sinjalizuese që të çojnë drejt vendeve që duhet parë. Atraksionet e vizituara mirë si burimi i Drinit të Bardhë afër Pejës janë të mbuluara me mbeturina.

Ashtu si industria e turizmit edhe sektori i drurit i përket fushave ekonomike me potencial rritjeje. Dekadën e  kaluar disa ndërmarrje kanë dyfishuar kapacitetin e tyre dhe konsolidimi po vazhdon. Industria thekson se prodhimet e saj janë 20 për qind më të lira se prodhimet e ngjashme në Europën perëndimore për shkak të kostos më të ulët të prodhimit. Përpjekjet për të rritur eksportet po dështojnë për shkak të qasjes së kufizuar në tregje. Vizita e panaireve europiane është e shtrenjtë dhe pengesat me viza vështirësojnë udhëtimet. Swisscontact së fundi u ka mundësuar tri firmave kosovare të marrin pjesë në panairin Swissbau 2016 në Basel. Shefat e ndërmarrjeve kosovare i treguan Swissinfos për vështirësitë me të cilat përballen.

Për shkak të sistemit të dobët ligjor investimet e huaja në Kosovë mbesin të ulëta. Në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International Kosova zë vend të keq, ajo arrin pozitën e ‘103 nga 168 vende të hulumtuara (sipas shifrave të vitit 2015). Kosova mbetet larg pas vendeve fqinje si Serbia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Edona Kurtolli nga Swisscontact në Prishtinë thotë: «Kosova ka filluar të vë rend. Por, është e qartë se kjo nuk do të arrihet pa aksione të mëdha spastrimi dhe zhvillimi nuk do të ndodh brenda pak çastesh».

Këtë vit ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim mes BE-se dhe Kosovës, e cila pritet ta përkrahë procesin e reformave dhe ta afrojë Kosovën me BE-në. Por, analisti i çështjeve ekonomike Lumir Abdixhiku nga Prishtina mendon se tempoja e zhvillimit ende është e ngadalshme. «Me këtë shpejtësi na duhen 30 vjet për të zënë Kroacinë dhe 60 vjet për të arritur standardet e një vendi mesatar europian».

Në luftën kundër papunësisë ka shumë pengesa. Patrick Etienne, drejtues i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Prishtinë, thotë: «Shumë njerëz përjashtohen nga shanset ekonomike, qoftë për shkak të nepotizmit apo diskriminimit në baze të etnisë apo gjinisë». Sipas raportit vjetor të Bankës Botërore për 2015 shumë firma kosovare janë të mendimit se fuqia punonjëse e kualifikuar dobët paraqet një vështirësi për biznes. Banka Botërore arrin në përfundimin se qasja ndaj arsimit dhe cilësia e kualifikimit profesional duhet të përmirësohen.

Ndonëse Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008, Edona Kurtolli nga Swisscontact është e bindur se vendi do të ketë sukses. «Kam besim në popullin tonë, para së gjithash te të rinjtë dhe besoj se gjërat së shpejti do të ecin mirë».

Sipas programit të OKB-së për zhvillim rreth 30 për qind e 1,8 milionë kosovarëve janë të varfër. Shumë prej tyre përpiqen të emigrojnë. Në tri vitet e fundit Sekretariati i Shtetit për Migracion i Zvicrës (SEM) ka trajtuar 1669 kërkesa për azil nga kosovarët. Analisti i çështjeve ekonomike Lumir Abdixhiku thotë se Kosova për çdo vit përkrahet nga donacionet e huaja dhe nga paratë e kosovarëve në emigracion me afërsisht 758 milionë franga. 180 mijë kosovarë me banim në Zvicër kujdesen po ashtu që Kosova të mos bankrotojë. Përkundër pritjeve dërgesat me para të mërgimtarëve po rriten.

(Botuar në Swissinfo) (-lli)