Si po e gjejnë rrugën për t’u kthyer në jetë gratë e dhunuara të Kosovës

Koha nuk i shëron të gjitha plagët. Shumë gra të dhunuara gjatë luftës së Kosovës vuajnë edhe sot pasojat. Nga turpi dhe frika se do të stigmatizohen vetëm pak prej tyre flasin për atë që kanë përjetuar. Disa e bëjnë këtë grupe për të ndihmuar vetveten të organizatës së grave Medica Gjakova, e cila angazhohet për gratë në aspektin mjekësor, juridik dhe politik. Dhe aktualisht edhe për të drejtën e këtyre grave për pension si viktima të luftës. - Një reportazh i gazetës zvicerane «Südostschweiz».

Ilustrimi: Shutterstock



Mbi shëtitoren e këmbësorëve valëviten në diell çadra shumëngjyrëshe. Restorantet buzë rruge janë të mbushura me burra dhe gra të rinj. Pas vitrinave shihen rrobaqepësit duke punuar. Një zejtar lyen me kujdes një djep fëmijësh prej druri. Dyqanet e nusërisë prezantojnë njëri pas tjetrit kreacionet ekstravagante. Për një dasmë në Kosovë shpesh harxhohet krejt pasuria.

Me qytetin e vjetër osman, rrethuar me kodra të blerta, jo aq larg kufirit shqiptar, Gjakova lë përshtypjen e një qyteti të gjallë. Para 17 vitesh në këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me shqiptarë lufta ka qenë tepër e ashpër.

Qyteti i vjetër, por edhe një xhami nga shekulli i ’16 dhe një kishë e re katolike ndërkohë janë rindërtuar. Një dyqanxhi – edhe ky flet gjermanisht si shumë të tjerë këtu – flet me krenari për kohërat e shkuara. Ai thotë se qyteti me afër 100 mijë banorë, me shkolla të larta, por edhe me industri të veten para luftës ka qenë qendra intelektuale dhe kulturore e Kosovës. Sot këtu, sipas tij, bën kërdinë para së gjithash korrupsioni. Lulëzimi ekonomik mungon. «Këtu ka njerëz që duhet të mbijetojnë me 50 centë».

Për çka nuk flitet

Dyqanxhiu ka dëgjuar për Medica Gjakova. Por jo për konferencën ndërkombëtare «Empower Women Now», në të cilën gra eksperte nga Ballkani perëndimore shkëmbejnë mendime mbi punën e tyre me gra të traumatizuara nga lufta dhe luftën e tyre për drejtësi.

Rreth 20 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës së Kosovës. Shumë prej tyre vuajnë jo vetëm nga problemet shëndetësore, por edhe varfëria dhe stigmatizimi. Edhe pas 17 vitesh kjo temë tabuizohet, ndonëse here pas here mediat shkruajnë për këtë çështje, ndërsa OKB që nga viti 2000 dhunimet e shfrytëzuara si armë lufte i ka klasifikuar si krim kundër njerëzimit.

Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës mes viteve 2011 dhe 2016 dhe me origjinë nga Gjakova, nën presionin e organizatave të grave para tri vitesh ka nënshkruar një ligj, i cili grave u jep statusin e viktimave civile të luftës. Ngjashëm me modelin boshnjak nga viti 2006 edhe ato parashihet të marrin pension mujor. Por deri më sot ligji nuk po zbatohet.

Duhet durim. Ashtu siç kanë pritur në Zvicër për dëmshpërblim organizatat që përfaqësonin fëmijët shërbëtorë apo viktimat e asbestit, të cilat luftonin për të drejtat e tyre.

Në qendrën e Medica Gjakova Fehmije Luzha flet mbi veprimtarinë e saj si këshilltare psikosociale. Aktualisht 180 gra marrin pjesë në 18 grupe për të ndihmuar vetveten.  Shtatë gra, mes tyre edhe disa gra rome, takohen në një banesë private në lagje «për të pirë kafe». Kështu ato i quajnë bisedat terapeutike, të cilat zhvillohen dy herë në muaj.

«Jam mirë. Gëzohem që jam në këtë grup dhe mund të qesh bashkë me ju», prezantohet Suzana. Kjo nënë e 5 fëmijëve është 33-vjeçare dhe më e reja. Ajo ka qenë 14-vjeçare dhe një javë e martuar kur shpërtheu lufta në fshatin e saj.

Këshilltarja shpërndan fletëza, në të cilat gratë përmes vizatimeve përgjigjen në pyetje; si ndihen momentalisht, si i trajtojnë problemet e tyre dhe çka duan të ndryshojnë në jetë. «Gratë e traumatizuara nuk kanë qasje ndaj ndjenjave të tyre», tregon këshilltarja. Në grupe të mbrojtura ato mund të flasin për gjithçka, të hapen dhe kështu të krijojnë vetëbesim.

Suzana vizaton ujë që rrjedh nga të gjitha anët. Ajo fillon të qajë, ankohet për dridhje të zemrës, stres dhe mendime që sillen rrotull se përse ajo s’mund të jetojë si gratë e tjera dhe përse nuk mund t’i paguajë ilaçet.

Një grua tjetër, burri i së cilës u vra nga milicët serbë, tregon se një kohë të gjatë s’ka mundur të flasë me askënd. Dhembja e brendshme shkrihej tepër ngadalë. Ajo thotë se është e pikëlluar që djali i saj në Zvicër nuk dëshiron të ketë më kontakt me të.

Këshilltarja tregon mirëkuptim. Duke qëndruar me to në rreth ajo në fund u bën thirrje grave që t’i japin energji njëra-tjetrës. Në fytyrat e pikëlluara kthehet gëzimi.

Askush nuk u ka kërkuar falje viktimave. «Duam të flasim, por jo të harrojmë», thotë një grua gjatë konferencës dyditore.

«Diçka ka ndryshuar»

«Dëshiroj që konferenca të ndihmojë në realizimin e të drejtave të grave të mbijetuara. Dhe që konferenca të tregojë respekt për organizatat e grave. Sepse gratë në mbrëmje përherë mendojnë se nuk janë angazhuar mjaft», thotë Monika Hauser, themeluese e Medica Mondiale dhe themeluese e organizatës partnere Medica Gjakova. Përkundër lojërave për pushtet në parlament, ku para pak ditësh u rrëzua qeveria, është e qartë se gjërat në Kosovë po ndryshojnë. Falë politikanëve si Atifete Jahjaga apo ministrit të çështjeve familjare Arban Abrashi, të cilët edhe në konferencë siguruan se edhe më tutje do të angazhohen për pensionet e grave të dhunuara.

Hauser përmend edhe hapat e ardhshëm që do ndërmerren. «Është me rëndësi që gjatë procedurës së shqyrtimit të së drejtës për pension viktimat të mos traumatizohen sërish». Ajo thotë se me rëndësi është një fushatë që e shoqëron projektin, pastaj informatat transparente për viktimat, personeli i kualifikuar dhe mediat e sensibilizuara. Pensioni për gratë e dhunuara, sipas Hauser, është vetëm një hap. Drejtësi domethënë po ashtu që gratë të kenë perspektivë afatgjatë dhe punë.

«Gjatë konferencës kam përjetuar shumë përkrahje», thotë Suzana, e cila ka marrë pjesë në konferencë bashkë me 50 gra të dhunuara. Ajo shpreson se do ta marrë pensionin përkundër ndërrimit të qeverisë dhe se pensioni do t’i ndihmojë në jetën e përditshme. Pas dy javësh ajo sërish do të shkëmbejë mendime me gratë nga grupi i saj.

(Emri i viktimës është ndryshuar)