Si po e blen Kina Ballkanin?

Superfiqia aziatike po e sendërton vazhdimisht praninë e saj ekonomike në Ballkan. Perëndimi këto zhvillime i sheh me dyshim, ndonëse vetë është pjesë e investimeve kineze.

Foto: KayRay / Shutterstock.com

As optimistët më të mëdhenj nuk e kanë paramenduar rimëkëmbjen e shkritores serbe të Smederevës. Asaj nuk i bëri derman as privatizimi. Amerikanët e kishin blerë atë për 33 milionë dollarë dhe pas nëtë vjetësh u dorëzuan. Tani janë kinezët, ndërmarrja He Steel që i del për zot ndërmarrjes me 5’050 punëtorë, të cilën e kanë blerë për 46 milionë euro. Dhe, premtimet janë të mëdha. Me rastin e dorëzimit të saj kinezëve, të premten – sot – për një vizitë në Serbi qëndron presidenti kinez Xi Jinping. Kinezët pritet të bëjnë investime prej 300 milionë eurove dhe ta ruajnë numrin e punëtorëve në këtë ndërmarrje, ndonëse këto pika nuk janë të fiksuara në kontratë. Nga 2017-ta ndërmarrja duhet të gjenerojë fitim, transmeton Neue Zürcher Zeitung.

Ekonomistët shprehen të habitur se si do t’ia dalin kinezët që ta revitalizojnë këtë biznes kur industria e hekurit në rrafsh botëror po vuan nga kapacitetet e tepërta, kurse Brukseli dëshron ta shqyrtojë këtë lëvizje të Serbisë, vend kandidat për në UE. Dyshohet për një intervenim të palejuar shtetëror. Për të blerja kineze paraqet një hap strategjik në drejtim të depërtimit në zemër të Europës. Ndërsa nga perspektiva kineze ky angazhim ndodh në kuadër të filozofisë së presidentit Xi Jinping, që përmes investimeve në infrastrukturë t’i përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet Azisë, Afrikës dhe Europës dhe për ta rilindur «rrugën e mëndafshtë» të tregtisë të njohur prej mijëra vjetësh.

Ndërkaq po shihet ashiqare që fjala është për një fushatë të mirëfilltë ekonomike kineze në rajon. Janë investimet në porte dhe aeroporte, qendra logjistike dhe hekurudha në Ballkan. Spikat porti grek i Pireut, ku kompania shtetërore Cosco Shipping Corporation ka blerë 67 për qind të aksioneve; në Plovdiv të Bullgarisë kinezët do të ngrenë një qendër gjigande logjistike për mallra të tyre, ndërsa në Shqipëri China Everbright Group e ka blerë shoqërinë që e administron aeroportin ndërkombëtar të Tiranës.

Serbia është e interesuar për një linjë të shpejtë hekurudhore ndërmjet Beogradit dhe Budapestit në bashkëpunim me Kinën. Firmat kineze tanimë kishin qenë prijëse të autostradës ndërmjet Beogradit dhe Barit në Mal të Zi. Vendet e Ballkanit konfrontohen me mungesë mjetesh financiare për ta avansuar infrastrukturën e tyre, ndërsa Kina përshtatet si parnere për faktin se ajo nuk i kushtëzon kreditë me kërkesa politike, shpjegon NZZ. Përfituesit duhet vetëm të pranojnë që ndërmarrjet lokale në implementimin e projekteve do të kenë rol të kufizuar.

Përfaqësitë diplomatike perëndimore këto lëvizje të Kinës i shohin me dyshim. Sipas tyre Pekini përpiqet t’i joshë vendet e dobëta të UE-së dhe ato kandidate dhe përmes kësaj pastaj ta pamundësojë një politikë të përbashkët europiane ndaj Kinës. Por këto rezerva nuk do t’i ndalojnë këto vende të dobëta ekonomikisht të bashkëpunojnë me Kinën. Aq më tepër që ato nuk kanë zgjidhje tjetër. Për më tepër, Kina po fokusohet edhe në Gjermani, Britaninë e Madhe dhe në Francë. Fundja, pjesa më e madhe e vëllimit të investive kineze prej 22,45 miliardë eurove ka shkuar në këto tre vende. Ballkani ka ardhur më vonë. ks