Si mund të merret Kosova me të kaluarën e kohës së luftës?

Secila shoqëri duhet t’i përgjigjet në mënyrën e vet pyetjes se si të merret me të kaluarën e saj të kohës së luftës, në bazë të përvojave të përjetuara, perspektivave të popullit të vet si dhe specifikës së veçantë të kontekstit të vet, thuhet në një apel të katër organizatave kosovare dhe ndërkombëtare të përkushtuara në procesin e pajtimit. Apeli është shkruar me rastin e publikimit të raportit «Korniza e Kosovës për trajtimin e të kaluarës në një pikë kthese».

Foto: Shutterstock



Si ngrihet një vend përtej vuajtjes historike që me vite ka përjetuar dhunë masive dhe abuzime skandaloze të të drejtave të njeriut, duke u siguruar që të mos përsëriten ngjarjet tragjike të së kaluarës? Kur kaq shumë qytetarë kanë përjetuar trauma, represion ose zhvendosje, si mund të trajtohet e kaluara që t’i shërbejë drejtësisë dhe ta mundësojë një të ardhme të përbashkët?

Në Kosovë këto pyetje janë trajtuar edhe nga institucionet gjyqësore vendase, por kryesisht nga instrumentet ndërkombëtare si UNMIK, ICTY dhe EULEX, si dhe nëpërmjet nismave rajonale si komisioni i propozuar i të vërtetës RECOM. Sivjet Gjykata e re Speciale me seli në Hagë do të kërkojë të vendosë një masë drejtësie për disa nga viktimat e luftës së viteve 1998-99 dhe pasojave të saj. Përpjekjet vendase kryesisht kanë qenë të shkallës më të ulët, lokale e ndërpersonale, dhe kryesisht janë udhëhequr nga shoqëria civile.

Që nga viti 2012, nisma kyçe e shtetit ishte Grupi Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ky organ u themelua për të shërbyer si pikë qendrore brenda qeverisë për zhvillimin e një procesi të gjerë, gjithëpërfshirës, me ndjeshmëri gjinore për ballafaqimin me të kaluarën e kohës së luftës, duke prodhuar në fund një Strategji Kombëtare për Drejtësinë Transicionale. Janë emëruar përfaqësues të institucioneve publike dhe të shoqërisë civile, me organizatat ndërkombëtare dhe misionet diplomatike të pranishëm si vëzhgues, si dhe një këshilltar i kryeministrit në cilësinë e kryesuesit.

Pavarësisht angazhimit të sinqertë të anëtarëve të Grupit Punues, Grupi në vetvete nuk arriti t’i përmbushte objektivat e tij për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë udhëheqjen dhe menaxhimin joadekuat, mungesën e pronësisë politike, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e dobët të komuniteteve pakicë në Kosovë, mospërfaqësimin e viktimave civile të luftës dhe dështimin për të përfshirë publikun e gjerë. Procesi tani ndodhet në një pikë kritike: mbështetja e donatorëve për Grupin Punues ka përfunduar, kryeministri tregon pak interes për vazhdimin e punës së Grupit, dhe propozimi i presidentit për të themeluar një Komision të ri për të Vërtetën dhe Pajtimin sfidon drejtpërdrejt ekskluzivitetin e kryeministrit në përcaktimin e agjendës për t’u marrë me të kaluarën e kohës së luftës në Kosovë.

Kundrejt këtij sfondi, organizatat tona e nisën një reflektim të pavarur, sistematik dhe objektiv për procesin e zhvillimit të Strategjisë Kombëtare. Dy konsulentë ekspertë ndërmorën këtë nismë në janar 2017, duke përpiluar një raport të veçantë me rekomandime se si të ecet përpara. Ky raport u publikua së fundmi.

Për të prodhuar një Strategji Kombëtare, qeveria duhet të rizotohet politikisht për procesin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ndërtimi i besimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe komuniteteve pakicë, planifikimi për konsultime gjithëpërfshirëse kombëtare dhe ndërlidhja e Strategjisë Kombëtare me procese të tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë transicionale në Kosovë (përfshirë Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin) janë faktorë thelbësorë të suksesit.

Shoqëria civile duhet të adoptojë një qasje më strategjike ndaj drejtësisë transicionale dhe të forcojë ekspertizën e saj rreth ndërveprimit me proceset politike, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të ofrojë më shumë mbështetje politike për punën e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin, të përmirësojë bashkërendimin e saj për drejtësinë transicionale, dhe ta integrojë drejtësinë transicionale në procesin e pranimit të Kosovës në BE.

Secila shoqëri duhet t’i përgjigjet në mënyrën e vet pyetjes se si të merret me të kaluarën e saj të kohës së luftës, në bazë të përvojave të përjetuara, perspektivave të popullit të vet si dhe specifikës së veçantë të kontekstit të vet. Një Strategji legjitime Kombëtare e besueshme për Drejtësinë Transicionale mund të shërbejë për ta konsoliduar dhe aktivizuar kornizën më të gjerë të Kosovës për ballafaqim me të kaluarën, duke e nxitur vendin dhe bashkësitë e saj drejt përgjigjeve të reja për pyetje më të vështira.

Sivjet Gjykata Speciale dhe Komisioni i Presidentit për të Vërtetën dhe Pajtimin ka gjasa t’i kthejnë çështjet e të kaluarës së luftës në qendër të debatit publik. Shpresa jonë është që raporti i publikuar së fundmi do të kontribuojë jo vetëm për të nxjerrë një Strategji Kombëtare shumë të nevojshme dhe kuptimplotë, por për t’i ndihmuar nismat e tjera si Komisioni i të Vërtetës i Presidentit që t’i shmangë kurthet që penguan Grupin Punues Ndërministror dhe të ofrojë një përparim për drejtësinë dhe marrëdhëniet më të mira midis komuniteteve.

Kushtrim Koliqi, Integra
Nenad Maksimović, Qendra për Paqe dhe Tolerancë
Marlies Stappers, Impunity Watch
Michael James Warren, PAX

Raporti gjendet në këtë link:
http://www.impunitywatch.org/docs/Civil_society_review_report_final_ALB_Format_1.pdf