Si mund ta luftojë islami patriarkatin

Mizogjenët shpeshherë i justifikojnë qëndrimet duke iu referuar interpretimeve arkaike të islamit, gjë që dëshmon pse duhet të punojmë për revokimin e monopolit të interpretimit të religjionit. Islami duhet të jetë pjesë e zgjidhjes. Andaj tash e tutje duhet të theksojmë se islami ka vlera të përjetshme, se ligjet islamike gjithashtu reflektojnë pjesërisht norma të shoqërive mesjetare – dhe se derisa kohët ndryshojnë, duhet të ndryshojnë edhe ligjet.

Nga një protestë e grave në Stamboll.



Deputetët e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) në pushtet në Turqi propozuan më 17 nëntor një draftligj që dukej i tmerrshëm, madje edhe në kontekstin e Turqisë, ku secila javë duket se sjell zemërim të ri e tronditës. Drafti i ligjit parashihte që burrat që abuzonin seksualisht vajza të mitura para 16 nëntorit të faleshin prej ndëshkimit nëse përdhunuesi pajtohej ta martonte viktimën.

Qeveria në fillim ngulmoi fort se ligji nuk do të falte përdhunuesit dhe se nuk po përkrahte martesat e vajzave të mitura. Bekir Bozdag, ministër i Drejtësisë, e mbrojti draftligjin me pretendimin se adresonte vetëm çështjen e çifteve të mitura, martesa e të cilave kryhej sipas ceremonive fetare, por që nuk njiheshin prej shtetit për shkak të kufizimeve aktuale ligjore. Drafti i ligjit përfshinte një paragraf që, sipas ministrit, nuk e falte dhunën ose përdhunimin.

Kryeministri Binali Yildirim gjithashtu i doli në mbrojtje legjislacionit të propozuar, duke theksuar se «propozimi ka për qëllim të kompensoj vuajtjen e padrejtë» të rreth tre mijë familjeve në të cilat burrat, tani baballarë, ishin burgosur për martesa me vajza të mitura. E kishin bërë me dijeni të plotë këtë punë.

Deputetët e AKP-së mund të kenë menduar se kjo do t’i jepte fund kësaj çështjeje – një tjetër ligj është aprovuar si pjesë e agjendës së tyre konservatore sociale, me pak reagime në një vend ku shoqëria civile po shtypet përherë e më shumë. Por nuk funksionoi kësaj here në këtë mënyrë.

Me të dalë lajmi për draftin e ligjit, menjëherë plasi zemërimi nëpër mediat sociale turke. Një hashtag #Tecavuzmesrulastirilamaz, që përkthehet pak a shumë në «dhunimi nuk mund të legjitimohet», ishte temë kryesore në Twitter në Turqi për orë të tëra më 18 nëntor. Një ditë më vonë, mijëra gra të zemëruara dolën në rrugë në Stamboll dhe qytete të tjera në protesta.

Kjo nuk është hera e parë që Turqia ka qenë arenë e protestave të zjarrta të grave. Në shkurtin e vitit 2015, përdhunimi dhe vdekja brutale e një vajze 20-vjeçare në qytetin Mersin nxiti demonstrata anembanë vendit. Në qershorin e vitit 2012, mijëra persona protestuan kundër një nisme qeveritare për ndalimin e abortit.

Por kësaj here kishte diçka ndryshe.

Më 20 nëntor, vetëm tri ditë pas publikimit të propozimit të ligjit, ministri i Drejtësisë u takua me përfaqësuesit e shoqërisë civile për të diskutuar. Kryeministri dhe krerë të tjerë të AKP-së u takuan një ditë më vonë me kundërshtarë të tjerë të ligjit. Dhe më 22 nëntor, kryeministri bëri të ditur se do të tërhiqej propozimi për ligjin e ri.

Pse reagoi qeveria ndaj protestave dhe zemërimit kësaj here kur kishin dështuar përpjekjet e mëhershme për të hedhur poshtë ndryshime radikale ndaj politikave të qeverisë? Kundërshtimi ndaj propozimit të Qeverisë ishte përhapur gjithandej, por një pjesë e madhe e meritave për këtë punë u takojnë islamikëve mendjehapur – sidomos grave islamike.

Vetëm pasi Shoqata e Grave dhe Demokracisë, organizatë joqeveritare, lëshoi një komunikatë që sfidonte premisat kryesore të ligjit të amnistisë, Qeveria vendosi të rishikonte qëndrimin e saj. Shoqata e Grave dhe Demokracisë është një organizatë e njohur botërisht për pikëpamje pro-AKP-së, nënkryetarja e së cilës është Sumeyye Erdogan Bayraktar, e bija e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Por Shoqata e Grave dhe Demokracisë nuk ishte e vetmja prej grupeve islamike që po fliste zëshëm. Opinioniste islamike me emër, shumica prej të cilave përkrahëse tipike të Qeverisë së AKP-së, gjithashtu mbajtën qëndrim të vendosur kundërshtues. Ayse Bohurler, Fatma Barbarosoglu dhe Sibel Ersalan, të gjitha kolumniste që mbajnë shami nëpër gazetat më të mëdha pro-qeveritare turke, kundërshtuan përpjekjet e Qeverisë për ndryshimin e ligjit të martesës.

Barbarousoglu, kolumniste e gazetës «Yeni Safak», i mëshoi çështjes mu në zemër kur theksoi se konservatorët më të mëdhenj që përkrahnin ligjin ishin burrat që po përdornin religjionin. «Disa burra konservatorë ngulmonin duke iu referuar moshës së Aishas, me një logjikë <copy-and-paste>», shkruante ajo, duke iu referuar njërës prej grave të profetit Muhamed, që sipas rrëfimeve të shumta, ishte nëntë vjeçe kur e martuan. Problemi me këta burra myslimanë, shkruante ajo me të drejtë, është se ata nuk po e respektojnë ndryshimin shoqëror me kalimin e shekujve.

Yildiz Ramazanoglu, kolumniste konservatore në gazetën «Karar», gjithashtu kundërshtoi draftligjin dhe «ata që shfrytëzonin pa të drejtë islamin për të justifikuar abuzimin e vajzave të reja». Sipas saj, një prej arritjeve revolucionare të islamit është «t’ia njoh grave dinjitetin dhe vullnetin e lirë».

Kreu i lartë fetar i Turqisë, Mehmet Gormez, gjithashtu e përkrahu më 28 nëntor argumentin përparimtar. «Nuk është e mundshme të martohet një vajzë që nuk e ka arritur moshën për të qenë nënë», deklaroi ai, duke kundërshtuar nismën edhe në rast se ka pëlqim të prindërve. Ai shpjegoi më tej se martesa është zotim i madh sipas Kuranit, duke bërë të ditur se martesa kërkon pjekuri intelektuale – dhe se nuk mjafton vetëm arritja e moshës së pubertetit.

Fatbardhësisht, ky rrëfim pati fund të lumtur. Tani për tani. Jo vetëm që u tërhoq draftligji, por parlamenti votoi për ngritjen e shkallës së dënimeve për abuzuesit seksualë.

Ka mundësi që një draft i ri ligji për martesat e fëmijëve mund të vijë në parlament dhe mund të rihapet kjo çështje. Megjithatë, aktivizmi kundër ligjit të propozuar ishte leksion i çmuar. Një prej mënyrave më efikase për adresimin e përdhunimeve dhe martesave të fëmijëve në Turqi – dhe mbase edhe në mbarë botën myslimane – mund të jetë përdorimi i argumenteve islame për të dëshmuar se janë çnjerëzore dhe dashakeqe në kohën e sotme.

Mizogjenët shpeshherë i justifikojnë qëndrimet duke iu referuar interpretimeve arkaike të islamit, gjë që dëshmon pse duhet të punojmë për revokimin e monopolit të interpretimit të religjionit. Islami duhet të jetë pjesë e zgjidhjes. Andaj tash e tutje duhet të theksojmë se islami ka vlera të përjetshme, se ligjet islamike gjithashtu reflektojnë pjesërisht norma të shoqërive mesjetare – dhe se derisa kohët ndryshojnë, duhet të ndryshojnë edhe ligjet.

(Autorja është kandidate e studimeve të doktoratës në Universitetin Galatasaray në Stamboll. Ajo është lindur në Kosovë, rritur në Bosnjë dhe tani jeton në Turqi. Ky koment i saj u botua në gazetën amerikane «The New York Times»).