Si mbijetoi Serbia e Millosheviqit

Në Serbi kriminelët e luftës po trajtohen si heronj, për të kaluarën po flasin shkaktarët e tragjedive, duke mohuar çdo faj të Serbisë për krime në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë.

Gjurmët e krimeve serbe në Prekaz. Foto: Shutterstock



A po ndodh në Serbi, fare hapur dhe nëpërmjet memoareve, deklaratave të zyrtarëve të lartë, promovimit të akterëve të ndryshëm nga rrethi i Sllobodan Millosheviqit të viteve të nëntëdhjeta në rolin e analistëve, përkatësisht interpretuesve të ngjarjeve aktuale dhe të kaluarës së afërt dhe trajtimit të të dënuarve të Hagës si heronj kombëtarë, rehabilitimi i plotë i politikës së dështuar nacionaliste serbe?

Aq shumë, sa askush nuk shprehu veçanërisht ndonjë shqetësim nga pozita më e lartë për pesë tetorin e vitit 2000, kur ra regjimi i Milosheviqit, si dita kur u mposhtën forcat e errëta të së kaluarës? A u shuan dhe pse u shuan zërat që bëjnë thirrje për distancë kritike ndaj rolit të Serbisë në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe për luftërat e viteve të nëntëdhjeta?

«…Serbia ka qenë e mirë derisa ka heshtur dhe derisa i ka bartur pasojat e rrënimit kushtetues, ndërsa vetëdija se është pjekur dhe nuk do të vuajë më shumë nga varësia i ka shqetësuar të gjithë», kështu paralajmëron botimi i ri i vitit 2017 i librit «Memorandumi i ASSHA», i nënshkruar nga akademikët Vasilije Krestiq dhe Kosta Mihailoviq, të cilët ishin në grupin e autorëve që e shkroi atë dokument.

Memorandumi e ka hapur Kutinë e Pandorës të nacionalizmit serb, që konsiderohet platformë e mëvonshme e politikës së Millosheviqit në vitin 1986, sikur që edhe tani pretendon se serbët ishin popull i rrezikuar në Jugosllavinë e atëhershme.

«Populli serb është shpallur fajtor për çdo gjë që ka ndodhur, ka përjetuar sanksione të llojllojshme, gjykime në Tribunalin e Hagës… në opinionin publik botëror për 25 vjet mbizotëron bindja se Serbia dhe populli serb ishin fajtor, ndërsa populli thellë në vete e ka kuptuar se kjo nuk është e vërtetë», thotë ish-bashkëpunëtori më i afërt i Slobodan Millosheviqit dhe njeriu i parë i shtetit jugosllav në Presidencën me rotacion në kohën kur ajo u copëtua, Borisav Joviq, i cili shkruan libër pas libri, me qëllimin e vetëm, siç thotë ai, – për ta «fshirë njollën nga serbët».

«Koha e sotme tregon se më e rëndësishmja ishte të zhvendoseshin dhe të dëboheshin serbët, ndërsa Serbia të reduktohej në kufijtë si e mendonin fuqitë botërore», thotë i dënuari i Hagës, Veselin Shlivançanin, i cili, pas vuajtjes së dënimit të tij, përjeton promovim shoqëror në Serbi. Aq sa ai ishte një nga pikat e forta të fushatës parazgjedhore të Presidentit të zgjedhur të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, duhet ta rikujtojmë se në janar të këtij viti, të dënuarin e Hagës, Momçilo Krajishnik, e ka pritur në Kabinetin e tij presidenti në largim, Tomislav Nikoliq, në Presidencën e Serbisë.

«Jam i bindur se… personaliteti dhe karriera e tij do t’u tregojnë shumë gjeneratave në Serbi çfarë do të thotë të luftosh deri në fund, në çdo vend dhe në çdo moment për atdheun tënd», janë fjalët e ish-ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e parë të Serbisë, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, Nikola Selakoviq.

Të rinjve ua përcolli rekomandimin që ta ndjekin atë «shembull të ndritur». Ndërsa fjala është për kriminelin e luftës, gjeneralin Vladimir Lazareviq, i cili u dënua me katërmbëdhjetë vjet burg për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës. Krerët e shtetit ia përgatitën një pritje festive pas kthimit të tij nga burgu.

«Amerika dhe NATO-ja penguan që lufta legjitime e Republikës Federale të Jugosllavisë kundër terrorizmit në Kosovë të përfundojë me disfatën e terrorizmit, nuk kërkuan falje për bombardimin dhe e vazhduan politikën negative ndaj Serbisë», thotë diplomati i parë i Milosheviqit, Vladislav Jovanoviq, i cili gjithnjë në raportet e medieve lokale paraqitet në rolin e analistit dhe komentuesit për zhvillimet në skenën politike botërore.

Vazhdimësia e refuzimit të përgjegjësisë

Bashkëbiseduesi ynë Milan Milkoviq, studiues në Institutin për Letërsi, thotë se qëndrimi më i dukshëm jokritik ndaj viteve të nëntëdhjeta dhe rolit të Serbisë në luftërat e atëhershme është retorika e fundit në raport me Kosovën, përkatësisht shqiptarët e Kosovës.

Politika zyrtare e Beogradit dhe komentuesit e saj e injorojnë plotësisht përgjegjësinë e Serbisë për atë që u ndodhi shqiptarëve në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviqit. Milkoviq tërheq vëmendjen për «vazhdimësinë e refuzimit të përgjegjësisë për atë që shteti i Serbisë ka bërë në territorin e vet ndaj popullit shqiptar».

«Ky është mohim i plotë i idesë për interesat legjitime të popujve të tjerë në Ballkan», thotë Milkoviq. «Qytetarët njoftohen zakonisht për ngjarjet e caktuara, ashtu që ua lejojnë interpretimin atyre që u besojnë dhe të cilët, sipas rregullit, vetëm i konfirmojë paragjykimet ekzistuese», thotë Milosh Hërnjaz nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd.

Shkalla e ndikimit të një imazhi të së kaluarës varet nga fuqia e komentuesit. Hërnjaz thotë se interpretimet e ndryshme nuk kanë trajtim të barabartë në opinion, por shpreson që së paku për të ardhmen të mbetet si dëshmi e një shumësie të pikëpamjeve për periudhën e diskutueshme nga e kaluara e afërt. Bashkëbiseduesi ynë, megjithatë, tërheq vëmendjen në atë që është konsideruar si shumë e dëmshme:

«Ajo që unë e vlerësoj po aq të rrezikshme është se ajo nuk është e rëndësishme. Interpretimi i asaj që ndodhi në të kaluarën duhet t’u lihet historianëve, dhe ne duhet të merremi me të ardhmen, duhet t’i harrojmë temat që na ndajnë…».

Historiani Milan Guliq, nga Instituti i Historisë Bashkëkohore, i cili e studion luftën në Kroaci, tërheq vëmendjen se shteti duhet t’u kushtojë mbështetje serioze hulumtuesve në krijimin e arkivave të tyre. Edhe ai i referohet përvojës kroate dhe thotë se projekti i tyre, me mbështetjen e shtetit, rezultoi me vëllime të tëra materialesh për studimin e luftës – monografi, dokumente, diskutime… të cilat, me të gjitha mangësitë, janë të çmuara. Memoriet e tilla të aktorëve të shpërbërjes së Jugosllavisë, Guliq i konsideron material të dobishëm: «Duhet të lejohen ta thonë mendimin e tyre, me kusht që ky mendim duhet të krahasohet me atë deri ku kanë arritur ata që e studiojnë këtë periudhë, por të cilët nuk janë të lidhur emocionalisht në atë mënyrë», thotë Guliq.

Guliq nuk mendon se akterët e të nëntëdhjetave e kanë marrë primatin në interpretimin e asaj periudhe tragjike, për më tepër ai mendon se një numër i pamjaftueshëm i pjesëmarrësve në vitet e nëntëdhjeta kanë lënë gjurmë të shkruara prapa vetes.

Problemi qëndron në atë që Serbia nuk e ka kaluar lustracionin, prandaj autorët e ngjarjeve tashmë kanë mundësi ta revidojnë, përkatësisht ta ripaketojnë të kaluarën. Udhëheqësit e politikave të sotme janë ata që ishin pasardhësit e partive në pushtet në vitet e nëntëdhjeta. Opinioni akademik nuk dëgjohet. Janë kufizuar kanalet për artikulimin e mendimit kritik. Problem është se edhe mediet janë të kontrolluara nga pushteti, meqë ka censurë, prandaj të menduarit kritik për të kaluarën nuk depërton nëpërmjet medieve, vlerëson sociologu Sërgjan Barishiq. «Ata që mendojnë njëjtë i lexojnë ata që mendojnë njësoj; ata që mendojnë njëjtë i shikojnë ata që mendojnë njësoj, dhe kështu vetëm sa thellohen dallimet», thotë Barishiq.

Historiani Predrag Markoviq e komenton literaturën e memoareve: «Epo, mirë, pensionistët flasin gjithçka, çfarë tani?» Te ne nuk ka ndonjë shqetësim shoqëror për asnjë temë intelektuale, prandaj as për atë të të nëntëdhjetave, konstaton fillimisht Markoviq: «Dhe prandaj, kur nuk ka prodhim shkencor, atëherë boshllëkun e mbushin memoaret dhe komentuesit e vetvetes», thotë Markoviq.

Ai e sjell shembullin e Kroacisë, e cila ka ndarë shumë mjete, ka angazhuar shumë institucione akademike për ta studiuar edhe luftën, në fund të së cilës ajo e fitoi pavarësinë. Te ne ekziston konfuzioni si të vlerësohet kjo, thotë Markoviq, prandaj nuk ka mbështetje institucionale për hulumtimin e asaj periudhe, përveç iniciativave personale. Markoviq vlerëson se opinioni publik në Serbi dëshiron t’i harrojë ngjarjet e viteve të nëntëdhjeta, se nuk e interesojnë kujtimet për aktorët e këtyre ngjarjeve: «Nuk ekziston ndonjë akter, libri i të cilit e ka një përgjigje serioze. Opinioni më shumë përpiqet që e tëra kjo të harrohet, sesa ta rikujtojë atë periudhë», thotë ky historian.

E kaluara në treg

Sociologu Todor Kuliq nga Fakultetin Filozofik në Beograd e sjell një tezë interesante, se arma është zëvendësuar me mjete të tjera të luftës në vitet dymijë. Atë çfarë ndodh në interpretimin e të nëntëdhjetave, ai e quan «luftë të kujtimeve».

«Unë mendoj se kjo është pjesë e një faze të re të ‘luftës së kujtimeve’, e cila sot është ndezur në rajon. Kjo luftë civile e kujtimeve është ciklike. E gjitha varet nga nevojat e pushtetarëve. E kaluara është në treg. Ajo interpretohet në varësi të nevojave të sotme dhe nga fuqia e qarqeve sunduese, të cilat janë në gjendje ta imponojnë atë version të ri të së kaluarës. Kam frikë se shkenca objektive, historiografia apo sociologjia, nuk do të jetë në gjendje për ta ngufatur këtë», thotë Kuliq.

Pas një «spastrimi të tillë të së kaluarës» mund të vijë në radhë edhe pesë tetori i vitit 2000. Kjo ngjarje perceptohet edhe në mënyrën sesi e ka përshkruar Lëvizja Socialiste, të cilën e udhëheq ministri në Qeverinë serbe, atëbotë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të së vesë së Millosheviqit, Mirjana Markoviq, Aleksandar Vulin. Duke komentuar imazhet e fundit të dhunës në Kuvendin e Maqedonisë, partia e Vulinit sugjeron me komunikatë:

«Ky është rasti që edhe ne të veprojmë sipas rekomandimeve të vonuara por të sakta të NATO-s, OSBE-së, BE-së, SHBA-ve, dhe t’i gjejmë e t’i ndëshkojmë të gjithë ata që u futën në Kuvend më 5 tetor, të gjithë ato që plaçkitën dhe vunë zjarr, ata që i rrahën kundërshtarët politikë, ata që rrëmbyen armë nga stacionet policore, ata që rrahën policët që po e bënin punën e tyre, ata që ia vunë flakën RTS (Radiotelevizioni i Serbisë), ata që i linçuan gazetarët», thuhet në komunikatën e Lëvizjes Socialiste.

A do ta kuptojnë gjeneratat e ardhshme se çfarë është «e kaluara e errët Serbisë»? Të nëntëdhjetat e luftës, kur janë kryer krimet më të tmerrshme në përpjekje për vijëzimin e kufijve të rinj, kur ka ndodhur Vukovari, Sarajeva, Dubrovniku, dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, kur mbi Serbinë kanë rënë bombat e NATO-s, ndërsa Millosheviqi i vriste gazetarët dhe kundërshtarët politikë? Apo do të mësojnë se e kaluara e errët e Serbisë ka filluar me rënien e regjimit të Milosheviqit?

Branka Mihajloviq merret me gazetari që nga viti 1972. Nga viti 1995 deri në vitin 2006 ka punuar në Radio Europa e Lirë (REL) në Pragë. Nga viti 2006 është korrespondente e REL nga Beogradi.