Si i ndihmoi përplasja e madhe shqiptaro-serbe interesat e mia të veçanta

Tani Altin Raxhimi pret një goditje të befasishme nga një çetnik serb me emrin Punisha që të përfundojë hulumtimin e vet për pijet me ngjyrë.

Schutterstock.com



Kërkimet e mia vjet qëlluan që të merrnin hov gjatë nadirit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe të mijëvjeçarit, pra betejës biblike mes kombit shqiptar dhe atij serb në stadiumin e Partizanit të Beogradit nën ulërimat e komentatorëve të ekraneve: «Velika provokacija, poštovani gledaoci, velika provokacija!» dhe «Nuk guxon kush të na e prekë flamurin, të dashur telespektatorë, nuk guxon kush!»

Pak ditë mbas ndeshjes shpërndava disa e-maile për të kërkuar mbi historinë e përdorimit të alkooleve të rënda në rajon. I pari të cilin u sforcova të pyesja ishte një koleg i hershëm i imi nga Beogradi, Milorad Ivanoviçi, dhe ai më habit duke më kthyer përgjigjje aty për aty, «Do të të shkruaj më gjatë më vonë, se jam në një konferencë, por kam shumë për këtë subjekt në Serbi» dhe shton «ore, a mund të më shpjegosh obsesionin e shqiptarëve me operat, sidomos në Vjenë?» Si është puna, i them? Po ja, ata që shisnin biletat e koncerteve të Mozartit në Vjenë dhe që visheshin si Mozarti ishin të gjithë shqiptarë. Kaq shumë t’i dashkan shqiptarët operat?

«Dëgjo», përfundon, «se ishte dhe ndeshja në mes, ai droni ishte i jashtëzakonshëm dhe më mërziti histeria në Serbi mbi atë gjë.»

Por tani mendjen e kisha tek Mozarti. Në internet zbulova se një artiste serbe e quajtur Jelena Juresha pati bërë dhe një video mbi Mozartët ballkanas rrugëve të Vjenës. Kur i shkruaj për ta pyetur më gjatë, më përgjigjet menjëherë dhe më nis videon që pati bërë. Pastaj flasim dhe në Skype mbi videon dhe karakteret. Juresha e kishte bërë atë material për të treguar se sa fluide janë identitetet. Mozarti është thelbi i identitetit vjenez dhe austriak, por tani ata që e personifikojnë në rrugët e kryeqytetit austriak janë studentë ballkanas.

Dhe folëm për ndeshjen. Ajo për mbylljen e mendjes serbe, argument të cilin unë e hidhja me efektshmëri poshtë me mbylljen e mendjes shqiptare.

Për hir të punës fillestare të Miços dhe të gatishmërisë së Jureshës, arrita të nxirrja një artikull lojcak në këtë faqe — ku përzija punën e emigrantëve të rinj biletashitës shqiptarë me fabulën e operas së Mozartit «Cosi fan’ tutte», e cila na përmend neve.

Pasi e lashë pas Mozartin, e hedh përsëri në valle pyetjen rajonale për alkoolet e rënda, në një listë gazetarësh ballkanikë që mbulojnë shkencat me të cilët kisha rënë në kontakt. Edhe ky rajon ka shumë për të treguar për subjektin. Një shoqe bullgare më shkroi për «Slanchev brjag»-un, i cili i bënte karroqe turistët gjermanolindorë dhe polakë plazheve të Detit të Zi gjatë komunizmit, një rumun më përmendi «vişinată»-n dhe Ivanoviçi më kishte nisur ndërkohë një çorap ku më tregonte se si ja kishin marrë fabrikën e vinjakut Dragoljub Markoviçit, i cili e shpiku atë konjak të keq mbas emigracionit në Francë në kohën kur atje gjendej edhe Gogo Nushi. Ja një përgjigje tjetër nga Beogradi: «Nuk di për të tjerat, por konjaku Skënderbeu ka qenë me nam në Jugosllavi për të privilegjuarit.»

Më vonë kam pyetur shpesh veten nëse do kisha të njëjtat rezultate në ato kërkime të mia të planifikuara apo të rastit — domethënë nëse do bëja muhabet profesional me serbë pa i hyrë muhabetit se ç’jemi e ç’janë — nëse droni nuk do kishte fluturuar mbi atë stadium, nëse komentatori televiziv serb nuk do ngrinte peshë kombin e tij me «Velika provokacija!» dhe komentatori televiziv shqiptar me «Nuk guxon kush, të dashur telespektatorë!» nuk do niste ata djelmosha tanë nga rrethinat që të vërshonin drejt Bllokut me këngët e Ilir Shaqirit që u ulërinin penxhereve të makinave. Nëse kryeministrat tanë nuk do ishin kërleshur me cicërima.

Nuk e besoj. Nëse nuk do kishte ndodhur droni, Miço Ivanoviçi do më përgjigjej normalisht, me dy javë vonesë, për shkak të punëve që do kishte. Ajo përkrahësja e konjakut Skënderbeu do përtonte të më shkruante. Unë as nuk do e kisha marrë vesh lidhjen e dytë mes Mozartit dhe shqiptarëve.

«Në fakt, përgjigje të ktheva menjëherë për shkak të ndeshjes», më thotë më pas Juresha. «Gjërat ishin çmendur dhe më dukej sikur doja të tregoja që ka dhe njerëz që reagojnë normal.»

Ismail Ballist Morina, të lumtë ajo telekomandë. Por dhe terreni, ama, gati ishte.

(Birn Albania: http://www.reporter.al/si-i-ndihmoi-perplasja-e-madhe-shqiptaro-serbe-interesat-e-mia-te-vecanta/)