Si i mësoi gjermanët një seri televizive se ç’është Holokausti

Pamje nga seria Holokausti.



Fjala Holokaust sot është fjalë e zakonshme kur flitet për ngjarjen historike, vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve europianë në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Andaj është vështirë e besueshme se në përdorim të përgjithshëm ka hyrë tek para saktësisht 40 vitesh, e shoqëruar me një jehonë të pabesueshme në opinionin publik.

Në vitin 1978 është xhiruar seria televizive amerikane «Holokaust» nën regjinë e Marvin J. Chomsky. Në këtë seri rolet kryesore i luajnë Michael Moriarty dhe James Woods si dhe e reja dhe që atëherë e shkëlqyeshmja Meryl Streep. Në serinë e cila fillon më 1935 dhe mbaron në fund të luftës ne ndjekim fatin e dy familjeve berlinase, familjes ariane Dorf dhe dhe familjes hebraike Weiss. As njëra, as tjetra në fillim nuk janë të politizuara. Megjithatë, kur juristin e papunë Erik Dorf gruaja e tij e bind të punësohet në policinë sekrete përmes anëtarësimit në partinë naziste, ai këtë rast nuk e lëshon. Anëtarët e familjes Weiss janë plotësisht të integruar, babai Josefi është mjek, nëna pianiste; vuajtja e tyre fillion me pamundësinë për të kuptuar se pushteti i ri po përgatiste eleminimin e tyre. Ndonëse të lidhur me njëri-tjetrin, jetët e tyre ecin në drejtime të kundërta.

Ndonëse seria është lavdëruar dhe përjetësuar me mirënjohje, shkrimtari Elie Wiesel, i cili edhe vetë e ka mbijetuar Holokaustin, ka deklaruar se ajo është «e rrejshme, fyese dhe seri e lirë, e cila lëndon të vdekurit dhe të mbijetuarit». Disa e konsideruan seri triviale ose përshkrim sipërfaqësor të ngjarjes historike. Një kritik shkroi se e tëra – nga Nata e Kristaltë deri te Auschwitzi, nga eutanazija te Getoja e Varshavës, nga vrasjet masive dhe kryengritja në Sobibor – nuk ka mundur t’i ndodhë një familjeje. Duket se nuk e ka pasur parasysh se familja ishte e shpikur.

Përkundër kritikave, televizioni gjermano-perëndimor vendosi ta shfaq serinë. Por t’ua sjellësh gjermanëve Holokaustin në dhomën e ditës prapëseprapë nuk kaloi pa politikë, përkatësisht konflikteve mes socialdemokratëve dhe kristian-demokratëve. Andaj kanali i parë i televizionit nacional ARD vendosi ta shfaq serinë në televizionet rajonale, ngase priste shikueshmëri më të ulët. Atëherë në opinion mbretëronte bindja se gjermanët janë lodhur nga leksionet mbi fajin, ndërsa vetë fjala Holokaust për ta ishte gati e panjohur.

Asgjë, bash asgjë nuk kishte paralajmëruar rëndësinë dhe rolin historik që ajo seri do të luante së shpejti në Gjermaninë perëndimore. Kur në janar të vitit 1979 filloi emitimi i serisë, numri i shikuesve nga episodi në episod u rrit deri në 20 milionë. Serinë e pa çdo i dyti banor i Gjermanisë së atëhershme perëndimore.

Suksesin e paparë të serisë kritikët e interpretuan me atë se gjermanët për herë të parë e panë dramatizimin e Holokaustit dhe një rrëfim nga pozicioni i viktimës. Bëhej fjalë për fate njerëzish me të cilat mund të identifikoheshin shumë persona pa karakterizimin bardh-zi të figurave dhe pa gjykim moral. Ndoshta më të rëndësishme se numri i madh i shikuesve ishin reagimet e tyre, aq të papritura dhe të bujshme, saqë stacionet televizive qenë të shtyra të marrin masa të jashtëzakonshme. Për shkak të përmbajtjes traumatike u organizuan shikime të përbashkëta të serisë për njerëz që jetonin vetëm; u organizuan debate me historianë të cilët pas çdo episodi drejtërdrejtë u përgjigjeshin thirrjeve telefonike. Kishte me mijëra thirrje – me një rast ata morën 35 mijë thirrje. Kombi, me sa duket, përjetoi një lloj katarze.

Pasuan debate mediale, mandej diskutime nëpër shkolla dhe fakultete. Pasojë e katarzës nuk ishte vetëm esëllimi mbi natyrën dhe dimensionin e Holokaustit, por edhe ndryshimi i ligjit mbi ndjekjen e kriminelëve të luftës. Në atë kohë në parlament përgatitej ligji për parashkrimin e veprave, i cili para emitimit të serisë pati përkrahjen e 51 për qind të gjermanëve. Por pas emitimit të serisë përkrahja ra në 35 për qind, andaj gjashtë muaj pas emitimit u hodh poshtë ligji për parashkrimin e veprave. Kjo nuk mbeti pa u vënë re edhe në Amerikë, kështu që atje u themelua një zyrë e veçantë për zbulimin dhe deportimin e nazistëve të arratisur.

Nga mesi i janarit Gjermania shënoi 40-vjetorin e emitimit të serisë shumë të rëndësishme për gjermanët, duke e shfaqur sërish në disa kanale; seria u përkujtua edhe nga mediat e shkruara. Është një mendim mbizotërues se seria është fenomen për gjermanët, por edhe më gjerë, sepse e kanë parë 250 milionë njerëz. Një ndër efektet ishte se fjala Holokaust hyri në përdorim të përgjithshëm.

Sot duket e pabesueshme që një seri televizive, madje amerikane, të ketë luajtur rolin kyç në ndriçimin e krimeve të luftës në Gjermani. Por le të kujtojmë me këtë rast kontributin e jashtëzakonshëm të filmit dokumentar «Shoah» nga viti 1985. Ose të filmit artistik «Lista e Schindlerit» nga viti 1993, po ashtu amerikan, i cili zgjoi interesimin e gjeneratës së re kur kërcënohej harresa. Sot është mbase më e rëndësishme të kujtohet seria dhe filmat për Holokaustin dhe fuqia pozitive e mediave për shkak të antisemitizmit në rritje dhe revizionizmit të hapur, nga i cili as Kroacia nuk është e kursyer.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të Holokaustit më 27 janar e dhëna se një e treta e europianëve nuk di asgjë ose di pak për Holokaustin është një fakt negativ dhe dëshmi e dhimbshme se sërish dhe sërish duhet luftuar kundër harresës së tmerrit.

Slavenka Drakulić është shkrimtare e njohur kroate. Veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë botërore. Nga kroatishtja: E.R. Teksti u botua në gazetën «Jutarnji list».