Si fituan pasuri tinejxherët maqedonas nga zgjedhjet amerikane?

Është zbuluar burimi i qindra portaleve që e lavdërojnë Donald Trumpin – baza e tyre është në Maqedoni.

Donald Trump. Ilustrimi: Shutterstock

Madje 140 faqe online dedikuar zgjedhjeve presidenciale amerikane, të cilat e mbështetin Donald Trumpin, janë lansuar në Maqedoni, përkatësisht në Veles. Bëhet fjalë për një qytet të vogël me 43 mijë banorë, i cili deri në vitin 1996 është quajtur Titov Veles (Velesi i Titos, v.j.).

Faqet me emërtime ndërkombëtare, si WorldPoliticsUS.com ose USConservativeToday.com publikojnë lajme të pakonfirmuara apo të rrejshme me tituj sensacionalë, me të cilat sulmohet Hillary Clinton, ndërsa lavdërohet Donald Trump.

Themelues të tyre janë të rinjtë maqedonas, shkollarë të mesëm dhe studentë, të cilët e kanë gjetur mënyrën sesi mund të fitojnë shumë para duke publikuar lajme me përmbajtje të popullarizuar në Amerikë.

Edhe pse vlera e reklamave nëpërmjet AdSense është në rënie, për kushtet maqedonase bëhet fjalë për të ardhura të jashtëzakonshme. Ata që ndër të parët i kanë nisur portalet e tyre fitojnë rreth 5 mijë dollarë në muaj, e nganjëherë edhe 3 mijë dollarë në ditë, nëse ndonjë lajm a njoftim bëhet hit (zgjon kureshtje) në Facebook.

Ata ishin përpjekur edhe me portalet e orientuara majtas, dedikuar Bernie Sandersit, por nuk e patën arritur madje as një pjesë të vogël të popullaritetit në krahasim me portalet e rreshtuara kah Trump.

– E fillova një faqe të tillë për të fituar më lehtë, tha një 17-vjeçar, i cili e mban atë së bashku me katër shokë.

– Ekonomia në Maqedoni është shumë e dobët, ndërsa tinejxherëve nuk u lejohet për të punuar, prandaj jemi detyruar të gjejmë mënyra kreative për të fituar. Unë jam muzikant, por nuk mund t’i përballoj instrumentet dhe pajisjet tjera. Këtu në Maqedoni, të ardhurat, madje edhe nga një portal i vogël, janë të mjaftueshme që të mund të përballoni shumëçka, tha ai.

Shumica e autorëve të këtyre portaleve i marrin lajmet nga burime të tjera, nga tabloidët, madje edhe nga portalet satirike, duke i «ripaketuar» me tituj sensacionalë për t’ia servuar publikut si shënjestër. Asnjëri prej tyre personalisht nuk anon aq shumë për Trumpin, siç thonë ata, por thjesht bëhet fjalë për temën e cila shpërblehet më shumë.

Ata janë të vetëdijshëm se epoka e artë së shpejti do të përfundojë, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, shpresojnë se portalet e tyre do të mbijetojnë nëse fiton Trump.