Si është të jetosh në një shtet të qeverisur keq?

Shtetet si Kosova politologu Francis Fukuyama i quan shtete «neo-patrominiale» - apo shtete të cilat nga jashtë duken si shtete moderne, ngase kanë administratë, institucione gjyqësore, organizojnë zgjedhje dhe disponojnë me institucione të tjera të shtetit modern, por në realitet i shfrytëzojnë këto institucione për përfitime personale.

Agron Demi.



Ditë më parë, medium britanik BBC publikoi një raport lidhur me atë se çfarë i karakterizon shtetet e qeverisura mirë. Bazuar në indekset e ndryshme ndërkombëtare, si Indeksi i Sundimit të Ligjit, Indeksi i Qeverisjes, Indeksi i Progresit Social, shtete si Danimarka, Zelanda e Re, Kanada, Japonia, renditen lartë në indeksin e vendeve të qeverisura mirë.

Këto vende karakterizohen nga sigurimi i përgjithshëm shëndetësor, sigurimi social për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë, respektimin e të drejtave të qytetarëve, sundimi i ligjit, pastërtia në hapësirat publike, etj. Me përjashtim të Indeksit të Bankës Botërore për Qeverisje, në mungesë të statistikave Kosova nuk është pjesë e vlerësimit të Indeksit për Sundim të Ligjit dhe Indeksit për Progres Social.

Por, si është të jetosh në një vend të qeverisur keq si Kosova?

1.
Në vendin e qeverisur keq qytetarët nuk kanë sigurime shëndetësore. Ligji për sigurime shëndetësore, i cili është në fuqi që nga 2014 ua mundëson familjarëve të politikanëve që të punësohen në zyrat fiktive për sigurime shëndetësore. Pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Isa Mustafës, reja e kryeministrit u punësua në Zyrën e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Dy muaj pas fillimit të mandatit të Qeverisë së Ramush Haradinajt, dhëndri i kryeministrit u zgjodh në krye të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

2.
Në vendin e qeverisur keq, qytetarët jetojnë në një ambient mjedisor, i cili klasifikohet si «i rrezikshëm», ani pse kemi ligj për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, i cili parasheh edhe mbrojtjen e shtesës së ozonit. Në anën tjetër, të gjithë ata që ngritin alarmin për ajrin e ndotur kërcënohen me ndjekje nëpër gjykata nga ana e Drejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

3.
Në shtetin e qeverisur keq qytetarët nuk i mbron askush nga produktet e dyshimta ushqimore. Nga 40 milionë ton mish të importuar gjatë vitit 2017, një pjesë e konsiderueshme importohet nga Brazili, Argjentina e Belgjika. Përkundër asaj se Kosova ka Agjenci të Ushqimit dhe Veterinës, e cila është përgjegjëse që të sigurojë qytetarët për standardin e ushqimit që ata e konsumojnë, qytetarët u informuan nga një shkrim i gazetës belge «Het Latste News» se në Kosovë ishte eksportuar mish 12 vjet i vjetër.

4.
Në një shtet të qeverisur keq si Kosova, sundimi i ligjit është aq i mangët, saqë për 13 vjet shteti nuk mbërrin të zbatojë ligjin, i cili ndalon pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura publike, e mos të flasim për ligje tjera, të cilat kërkojnë përkushtim e resurse më të mëdha.

5.
Qytetarët e një shteti të keqqeverisur si Kosova janë të privuar nga lëvizja e lirë. Sipas Indeksit të Fuqisë së Pasaportave, pasaporta kosovare renditet e 181 nga 199 shtete, të cilat përfshihen në këtë vlerësim. Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza vetëm në 44 shtete, apo në dy shtete më shumë se sa vendi më i izoluar në botë: Koreja Veriore. Shumica e shteteve në të cilat kosovarët mund të udhëtojnë pa viza janë ishuj turistik në mes të oqeaneve, të cilat mund të vizitohen vetëm nga milionerët dhe familjarët e politikanëve.

6.
Në një shtet të qeverisur keq, trotuari shërben për vendparkim të veturave, kurse këmbësorët duhet të rrezikojnë jetën duke ecur në rrugën e destinuar për lëvizje të automjeteve.

7.
Në shtetin e qeverisur keq, ekzistojnë ndërmarrje e borde për aeroporte e hekurudha, por nuk ka as trena e as aeroporte funksionale, siç është rasti me «Aeroportin e Gjakovës».

8.
Në vendin e qeverisur keq, fëmijët mësojnë matematikë nga sociologët, kurse një kontroll rutinor në spitale mund të ju kushtoj me jetë.

9.
Shteti i qeverisur keq është aq i zhytur në korrupsion, sa edhe zyrtarët e ngarkuar për hetimin e korrupsionit janë të korruptuar.

10.
Në shtetin e qeverisur keq, dënohen vetëm hajnat e xhepit, kurse hajnat me kravatë lihen të lirë. Vite më parë, gjykata dënoi me dy vite burg një qytetar, i cili ishte kapur duke vjedhur hekur, kurse disa ditë më parë një gjykatë në Gjakovë dënoi me katër mijë euro gjobë një polic, i cili kishte marrë 15 euro ryshfet. Në anën tjetër, gjykata la të lirë ish-rektorin e universitetit përkundër asaj se ishte gjetur fajtor për 75 mijë euro dëme financiare të shkaktuara ndaj Universitetit të Prishtinës.

11.
Kafshët theren nëpër trotuare të qyteteve dhe mbetjet e tyre lihen nëpër rrugë, ani pse tani e 13 vite kemi në fuqi ligjin për përkujdesjen ndaj kafshëve, i cili ndër të tjera ndalon edhe operimet kirurgjike tek kafshët për qëllime estetike.

12.
Në shtetin e qeverisur keq, ujërat e zeza rrjedhin në mes të sheshit të kryeqytetit, kurse ekziston ligji për mbrojtjen e mjedisit, i cili dënon edhe ata që hedhin çamçakëz në tokë.

Shtetet e qeverisura keq njëkohësisht janë shtete jetë-shkatërruese: ato privojnë qytetarët e tyre nga të drejtat bazike, siç janë ajri i pastër, ushqim i kontrolluar, edukimi cilësor, shërbimet shëndetësore, lëvizja e lirë. Sipas politikologut Francis Fukuyama, rendi politik modern kërkon përmbushjen e tri parakushteve: shteti funksional, i aftë për të ushtruar pushtetin e tij në tërë territorin, sundimi i ligjit dhe llogaridhënia. Kosova nuk përmbush asnjërin nga këto kritere: nuk kontrollon tërë territorin, nuk ka sundim të ligjit dhe politikanët nuk japin llogari, ose – nëse përdorim shprehjen e kryeministrit: «marrin vendime për qejf».

Shtetet si Kosova politologu Francis Fukuyama i quan shtete «neo-patrominiale» – apo shtete të cilat nga jashtë duken si shtete moderne, ngase kanë administratë, institucione gjyqësore, organizojnë zgjedhje dhe disponojnë me institucione të tjera të shtetit modern, por në realitet i shfrytëzojnë këto institucione për përfitime personale.