Si erdhi zoti Kaufmann në Beograd?

Mbi një manipulim të ulët të gazetës proqeveritare serbe «Politika», një aktor gjerman dhe dhunën familjare në Serbi.

«Petar Veličković»? Jo. Andreas Kaufmann, aktor gjerman.



Më 18 korrik gazeta e Beogradit «Politika» botoi një artikull me titullin: «Kundër dhunës, jo kundër burrave dhe grave». Autori me emrin «Petar Veličković» akuzonte feministet se po i shfrytëzonin rastet e dhunës familjare për «qëllimet e tyre politike».

Më parë në dy qendra të punës sociale në Serbi burrat kishin vrarë gratë e tyre. Këto krime ngjallën një debat në opinionin e Serbisë mbi dhunën e burrave ndaj grave dhe në përgjithësi familjeve. Jashtëzakonisht i tmerrshëm ishte krimi i kryer nga Marko Nikoliq më datën 12 korrik: atë ditë Nikoliq duhej t’ia dorëzonte fëmijën e përbashkët ish-gruas së tij Maja Gjorgjeviq. Ai kishte leje nga autoritetet që fëmijën 4-vjeçar ta shihte njëherë në javë. Kur doli nga vetura e tij Nikoliq e përplasi fëmijën e vdekur për asfalti. Në çastin kur nëna vrapoi drejt fëmijës së vdekur, ish-burri i saj ia mori jetën me thikë. Me atë rast u lënduan edhe tre punëtorë socialë. Mediat njoftuan se Nikoliq me vite të tëra kishte terrorizuar ish-gruan dhe punëtorët socialë.

Gazeta «Politika» e prezantoi autorin «Petar Veličković» si «psikiatër të forenzikës, ekspert gjyqësor për kujdes ndaj fëmijëve, nga Montreali, Kanada». Qartë vërehej tendenca e autorit dhe, rrjedhimisht, edhe e gazetës që fajin për këto tragjedi ta shihte te problemet private brenda familjeve dhe jo brenda sistemit, i cili nuk është në gjendje t’i mbrojë gratë e rrezikuara. Ndërsa revista serioze «Vreme» denonconte «duart me gjak të sistemit», gazeta e sistemit «Politika» publikoi tekstin e autorit «Petar Veličković», në të cilin ai relativizonte dhunën. Doktor «Veličković» shkruante se edhe gratë, jo vetëm burrat, janë të dhunshme, madje, sipas tij, shumica e fëmijëve vriten nga gratë. Bashkë me tekstin «Petar Veličković» dërgoi edhe një fotografi të tijën.

Pas botimit të tekstit shumë shpejt u zbulua se fotografia ishte e aktorit gjerman Andreas Kaufmann, i panjohur në Serbi, por i njohur në Gjermani nga seria «Marienhof». I zemëruar me keqpërdorimin flagrant të fotografisë së tij tani Kaufmann ka dorëzuar padi kundër gazetës «Politika» në një gjykatë të Beogradit. Edhe Këshilli i Mediave i Serbisë unanimisht ka konstatuar të enjten se «Politika» duke botuar tekstin e «Petar Veličković» me fotografi të aktorit gjerman ka shkelë Kodeksin e Gazetarisë të Serbisë. Përveç fotografisë së rrejshme edhe autori «Petar Veličković» duket se nuk ekziston fare. Deri më sot gazeta «Politika» nuk ka arritur të ofrojë dëshmi për këtë. As mediat e tjera nuk kanë gjetur ndonjë ekspert me këtë emër. «Politika» fillimisht u arsyetua se ishte viktimë e një sulmi të hakëreve, pastaj tha se ishte mashtruar, më vonë një redaktor pranoi se nuk ishte verifikuar autori dhe redaksia u kërkoi falje lexuesve.

Mediat serbe janë kampione të prodhimit të lajmeve të rrejshme («fake news») që nga luftërat e fundit ballkanike. Nën sundimin e Aleksandar Vuçiqit gazetat bulevardeske si «Informer», «Srpski Telegraf», televizioni Pink përdorin të gjitha mjetet e palejueshme për të shkatërruar kundërshtarët politikë të partisë së Vuçiqit, SNS. Publicistët e pavarur serbë e kanë gjetur një fjalë për t’i përshkruar këto media: «paramedia», të ngjashme me grupet e dikurshme paramilitare të Arkanit.