Si e zemëroi nipi i Edvard Kardelit mbesën e Benito Mussolinit

Mbi provokimet dhe gjurmët e përgjakshme të historisë.

Svetllana Sllapshak.



Provokimi italian në fshatin Bazovica në kufrin slloveno-italian, gjatë përkujtimit të viktimave të vrara dhe hedhura në humnera gëlqerore pas Luftës së Dytë Botërore, bukur mirë e ka dridhur opinionin slloven dhe kroat: kryetari i Parlamentit Europian Antonio Tajani i përshëndeti në fund të pranishmit (dhe ashiqare edhe shumë jo të pranishëm) me dërgimin e dëshirave më të mira në Triestën italiane, në Istrinë italiane dhe në Dalmacinë italiane… gjërat mandej i kriposi (ministri i Brendshëm italian) Matteo Salvini me një sërë postimesh në Twitter mbi respektimin e barabartë të të gjitha viktimave. Ky është ai kryepolici që ka qejf të shoqërohet me kryetarë dhe kryeministra dhe e zëvendëson kryeministrin e tij në politikën e jashtme dhe të brendshme, rrugës për të marrë thirrjen profesioniste (Duçe?). Në Greqi tashmë dikush e ka quajtur Mikromussolini…

Pas reagimeve të ashpra nga Sllovenia dhe Kroacia, Tajani kërkoi falje duke i akuzuar të gjithë të tjerët, sepse nuk e paskëshin kuptuar mirë, sepse ajo çfarë paskësh thënë ishte shprehje e dashurisë mes popujve dhe assesi shprehje e ambicieve të vjetra-të reja territoriale. Nga kjo pikë gjërat për Tajanin shkuan gjithnjë e më keq. Në Parlamentin Europian partitë e djathta përpiqeshin të gjenin shpjegim për të barazuar fashizmin me komunizmin, parlamentarët sllovenë të këtij orientimi përpiluan diçka që i dënon para së gjithash komunistët, pas takimit me Tajanin së bashku u përvodhën me një mënyrë më të zbutur të kërkimfaljes. E njëjta ndodhi edhe më të djathtën në Slloveni, me një deklaratë të ngjashme të Janez Janshës. Po në atë anë një historian i banakut sinqerisht deklaroi se para së gjithash duhet të kërkojnë falje anëtarët e Partisë Socialdemokrate (SD), sepse ata janë pasardhës të kriminelëve komunistë. Kujt t’i kërkojnë falje – kjo mbetet çështje e hapur.

Në krahun e majtë të Parlamentit Europian gjërat rrodhën ndryshe: u shfaqën kërkesa që Tajani jo vetëm duhet të kërkojë falje, por edhe të japë dorëheqje. Mes të tjerëve këtë e kërkoi Igor Sholtes, deputet i parlamentit europian dhe nip i Edvard Kardelit. Në parlament ai është zgjedhur si përfaqësues i partisë «Verujem» (Besoj). Pas largimit të tij nga posti i kryetarit, partia praktikisht është shuar në Slloveni. Sholtes i përket grupit të të gjelbërve dhe të majtëve në Parlamentin Europian. Ndërsa Sholtes po fliste, mbesa e Benito Mussolinit, Alessandra Mussolini, pas shpinës së tij ofroi një shou – shëtiste mes parlamentarëve, bënte grimasa, gjestikulonte me duar, ndërhynte me fjalë dhe në të gjitha mënyrat përpiqej të tërhiqte vëmendjen nga fjalimi i kolegut parlamentar. Gojëkëqinjtë komentojnë se ajo imitonte gjestet e gjyshit të saj të dashur, fjalet dhe veprat e të cilit i ka adhuruar përherë. U bë politikane falë trashëgimisë së gjyshit, dhe në Parlamentin Europian ajo sot përfqëson pikërisht atë pjesë të trashëgimisë europiane. Se kujt i duhet ajo trashëgimi, kjo është pyetje ndaj së cilës Europa në tërësi po jep përgjigje gjithnjë e më shumë shqetësuese. Igor Sholtes asnjëherë nuk e ka përmendur prejardhjen e tij, ndonëse e djathta në Slloveni vazhdimisht e sulmon për shkak të «krimeve» të gjyshit. Angazhimi i Sholtesit për respektimin e historisë dhe aktivizmi i tij rreth ekologjisë janë të pranueshme nëse i kuptojmë si trashëgimi të fitores antifashiste në Luftën e Dytë Botërore dhe ideve socialiste. A mund të jenë të barabarta këto dy trashëgimi – fashizmi dhe socializmi – në Europën e sotme? Vetëm në shpirtin rëndë të sëmurë.

Është e dukshme që italianët si të thuash në mënyrë kronike nuk janë të informuar mirë mbi Luftën e Dytë Botërore dhe rolin e Italisë së atëhershme dhe fashizmit. Në pjesën bregdetare sllovene fashizmi ka qenë i pranishëm njëzet vjet. Ndonëse ndërkohë janë pranuar standardet e dënimit të çdo gjykimi jashtëgjyqësor dhe moslejimit të hakmarrjes së përgjakshme, tirania dhe tortura nuk harrohen. Ekuidistanca vetëm ngatërron gjërat në vend të marrjes së përgjegjësisë me pjekuri qytetare dhe përcaktimit objektiv të përgjegjësisë. Shtetet e sotme në Ballkan në këtë pikëpamje janë po aq të papërgjegjshme sa Italia. Duhet vetëm edhe pak punë në budallallosje, pastaj do të jenë po aq injorante, me ndihmën e gjithanshme jo vetëm të revizionistëve sllovenë të historisë: kush e gëlltit këtë, le të llomotis se italianët kanë qenë gazmorë dhe muzikalë (mandolina në çdo shtëpi sllovene!), ndërsa gjermanët pedantë, andaj domobranët (bashkëpunëtorët sllovenë të nazistëve) nën okupimin gjerman me qëllim të ruajtjes së rendit dhe paqes mbajtën evidencë mbi pjesëmarrjen aktive në mënyrë që përherë të kenë numrin e duhur të pengjeve për gjermanët, të dhënat për partizanë ose dëshmitë materiale (kufomat, për shembull) për izolimin e tyre.

Çështja është se sa deputete dhe deputetë të Parlamentit Europian arritën të kuptojnë simbolikën e kësaj ngjarjeje. Shumica i konsideuran të pavend gjestet prej majmuni të Alessandra Mussolinit. Edhe kjo nuk është pak. Të tjerëve që nuk u intereson historia, po ua kujtoj këtu rezistencën para aleatëve kundër fashizimit – fitoren greke më 1940, në rrethnat më të vështira, kundër ushtrisë së Mussolinit në Shqipëri dhe Epir. Atëherë gazetat e Beogradit sillnin lajme mbi të shtënat me topa nga ana tjetër e Liqenit të Ohrit. Ndërsa këngëtarja më e popullarizuar greke e asaj kohe, Sofia Vembo, këndonte këngë për Mussolinin.

Më në fund Tajani i dërgoi ministrit të Jashtëm një kërkimfalje tjetër, të kuptueshme. Me gjasë do të dërgojë edhe disa të tjera në adresa të ndryshme. Kërkoi falje edhe në Parlamentin Europian. Karriera e tij në Parlamentin Europian ka mbaruar, por nuk mund të përjashtohet që gjithë këtë e bëri për të marrë ndonjë pozitë të rëndësishme në Itali, sipas vullnetit të Salvinit Mikromossolinit. Ose siç thotë për Mussolinin Sofia Vembo: «Bre fukara!»
(Peshçanik, Beograd)

Svetllana Sllapshak u lind në Beograd më 1948, ku mbaroi gjimnazin klasik dhe doktoroi në Degën për Studime Antike të Fakultetit Filozofik. Për shkak të qëndrimeve kritike ndaj regjimit komunist iu konfiskua pasaporta mes viteve 1968-73, 1975-76 dhe 1988-89. Punoi në Institutin e Letërsisë dhe Arteve mes viteve 1972-88. Si kryetare e këshillit për lirinë e shprehjes të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë (1986-89) ajo përpiloi dhe publikoi rreth 50 peticione, mes tyre edhe një për lirimin e Adem Demaçit. Më 1991 u shpërngul në Lubjanë, ku është profesore e rregullt e atropologjisë së botës antike, e studimeve gjinore dhe ballkanologjisë. Është kryeredaktore e revistës ProFemina nga viti 1994. Ajo është drejtore e Institutit për studime dhe kulturë ballkanike dhe mesadhetare në Lubjanë. Autore e mbi 70 librave dhe përmbledhjeve të tjera, 400 studimeve, 1500 eseve, disa romaneve dhe dramave. Ka përkthyer nga greqishtja, greqishtja e re, latinishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe sllovenishtja. Ka marrë këto mirënjohje: American PEN Award 1993, Helsinki Watch Award 2000, Helen Award, Montreal 2001.