Si e rrëzoi Titoja Rankoviqin në Brioni

Historiani Amir Duranoviq flet për al-Jazeera në lidhje me motivet e shkarkimit të nënkryetarit të dikurshëm të Jugosllavisë Alekandar Rankoviq dhe për pasojat në jetën politike të shtetit të atëhershëm.

Në ishullin Vanga në Birmani: Tito, Rankoviqi dhe kryeministri U Nu.



Jehonën më të fuqishme të librave për Brionet e ka bërë ai i historianit Amir Duranoviq, në të cilin autori përshkruan seancën, motivet dhe rrjedhën e mbledhjes plenare, e cila e ndryshoi rrjedhën e ideve komuniste jugosllave dhe fuqimisht i preku reformat e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Me Plenumin e Brioneve (1966) iu dha legjitimitet aspiratave që kërkuan ndryshime të rregullimit shtetëror dhe pikëpamjeve komuniste, duke u fokusuar në pasojat që i prodhoi seanca në jetën e përditshme politike të vendit.

Si figurë qenësore e të gjitha diskutimeve dhe debateve të Brioneve paraqitet nënkryetari i RSF të Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviqi, shkarkimi i të cilit, praktikisht dhe simbolikisht, del të jetë një pikë kthese në luftën ndërmjet fraksioneve «konservatore» dhe «liberale» brenda Lidhjes së Komunistëve. Me «rënien» e Rankoviqit hapen dhe shfaqen proceset e dukshme që kishin për qëllim reformimin e shoqërisë jugosllave dhe bashkësitë politike.

Për më tepër, në libër përshkruhen jo vetëm proceset e ndërmarra për shkarkimin e Rankoviqit, por edhe atmosfera që mbizotëronte në shoqërinë jugosllave, e cila e mbështeti shkarkimin e nënkryetarit të fuqishëm, si dhe përpjekjet e presidentit Josip Broz Tito për t’u tërhequr nga koncepti i rregullimit centralist të Jugosllavisë. Me këto reforma, shoqëria u hap për idetë pluraliste dhe federaliste të rregullimit shtetëror.

Në një intervistë për al-Jazeera, Duranoviqi flet për motivet e ndërrimit të Rankoviqit, si dhe për pasojat që ky ndërrim pati në shoqërinë jugosllave dhe në strukturën e Lidhjes së Komunistëve, duke theksuar se hulumtimet e tij historiografike kërkonin të nxirrnin në pah ngjarjet që ndodhën para, gjatë dhe pas Plenumit të Brioneve nga disa aspekte. Sipas mendimit të Duranoviqit, Plenumi i Brioneve e kishte një ndikim të fuqishëm në opinionin e atëhershëm jugosllav, ndërsa rëndësia e librit pasqyrohet më së tepërmi në nevojën për ta kuptuar siç duhet historinë e vendit në vitet 1960.

«Rëndësia e titullit, sipas mendimit tim, është se unë besoj që edhe 50 vjet pas Plenumit të Brioneve kemi nevojë për t’i shqyrtuar seriozisht shumë çështje të historisë jugosllave, madje edhe këtë çështje. Interpretimet e deritanishme të Plenumit të Brioneve ishin kryesisht reflektime të kohës në të cilën ato u krijuan. Përpjekja ime me këtë libër është kthimi i vëmendjes së ekspertëve profesionistë në burimet historike nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta, me të cilat në fokus të diskutimeve tona, tema popullore e ndërrimit të Aleksandar Rankoviqit do të zhvendosej në kërkimet më të thella në marrëdhëniet e Lidhjes së Komunistëve dhe Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në kontrollimin e autoriteteve policore dhe çështjet tjera në nivele më të ulëta, në nivele lokale dhe republikane nëpër gjithë Bosnjë-Hercegovinën, gjë që deri më tani shpesh është injoruar në kërkimet historiografike».

Në Plenumin e Brioneve u shkarkua nënkryetari i RSFJ-së, Aleksandar Rankoviqi. Cilat ishin motivet për shkarkimin e tij?

Plenumi i Brioneve është kulmi i një procesi afatgjatë të thyerjes së pushtetit politik në kreun e Lidhjes së Komunistëve në rrugën e transformimit serioz të shoqërisë jugosllave, sidomos pas Kushtetutës së vitit 1963 dhe pas fillimit të reformave ekonomike në vitin 1965. Në këtë kontekst, Plenumi i Brioneve paraqitet si një pikë kthese në të cilën, ta quajmë ashtu, një rrymë konservatore në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë praktikisht u mund, përkatësisht dominimin e morën ata që mendonin se marrëdhëniet ekonomike dhe politike jugosllave duhet të jenë më të liberalizuara. Në këtë mënyrë erdhi deri te ndërrimi i Rankoviqit, përkatësisht, nëse e themi shkurt e troç, Rankoviqi e dha dorëheqjen nga funksioni që e kryente. Domethënë, ai nuk u ndërrua, edhe pse në kontekstin sesi ndodhi është shumë e qartë se ajo ishte një dorëheqje, e cila iu imponua. E dyta: Rankoviqi u ndërrua nga pozita e nënkryetarit të Jugosllavisë dhe nga funksionet partiake që mbante, ndërsa qysh më herët, që nga viti 1963, ai nuk ishte as formalisht i lidhur me strukturat e policisë, me gjithë faktin që deri atëherë ai kishte qenë ministër federal i Punëve të Brendshme.

Nga distanca historike, a qëndron ende teoria apo këndvështrimi se Rankoviqi u shkarkua për aferën «Përgjimet»? Çfarë në të vërtetë ishte kjo aferë?

Afera «Përgjimet» është ndoshta pjesa më e popullarizuar dhe më e eksploruar e tregimit për shkarkimin e Rankoviqit, sepse ajo, në mënyrën që është paraqitur në atë kohë, ishte tronditëse, pra, meqë papritmas u supozua se të gjitha hapësirat në të cilat ishte presidenti jugosllav Josip Broz Tito, duke përfshirë edhe hapësirat e tij private, ishin përgjuar dhe incizuar, dhe praktikisht ky moment i mundësoi ato ndryshime të imponuara. Kjo çështje ishte aktuale në historiografi atëherë, në vitin 1966, është edhe sot. Një libër u publikua para një viti në Beograd, si dhe disa shkrime të tjera, në të cilat pretendohet se praktikisht nuk kishte përgjime, por kjo është ajo që ka mbetur më e habitshme, edhe pse unë kam shumë rezerva në lidhje me këtë. Nuk jam i bindur se ai ishte i vetmi motiv, apo që kishte fare përgjime. Më shumë arsye për këtë, unë do të përpiqem t’i paraqes nëpërmjet disa diskutimeve gojore që ndodhën në kreun e elitës komuniste jugosllave.

Është e vështirë të besohet në faktin se diçka e tillë e madhe ndodh dhe se Titoja dhe ushtria nuk dinë asgjë që më parë. Kjo është një gjë, ndërsa tjetra është e vështirë të besohet se një pjesë e udhëheqjes së partisë bën atë që dëshiron, ndërsa pjesa tjetër, policia sekrete dhe UDB-ja nuk dinë asgjë për këtë, prandaj të ketë nevojë për përgjim. Që ta shpjegoj në mënyrë më elokuente: në një libër të karakterit publicistik, Rankoviqi, duke iu arsyetuar një miku të tij, përkatësisht duke pretenduar se nuk kishte përgjime, e pyet në mënyrë retorike se çfarë ishte ajo që mund të flitej atje dhe ai të mos dinte diçka për të. Ai ishte vetë kreu i partisë dhe nuk besoj se ky ishte motivi kryesor, por është diçka që është e njohur dhe domethënëse. Unë me librin tim jam përpjekur për ta kthyer fokusin në gjëra tjera, ku, siç shihet, kishte tejkalim të kompetencave në punën e policisë dhe ndërhyrje në punët që nuk janë në radhë të parë të karakterit të saj. Kjo, në radhë të parë, shihet sidomos në disa nivele më të ulëta. Ndërsa në krye, unë mendoj se kjo është vetëm pjesë e folklorit politik dhe asgjë më shumë.

Kush janë bartësit e mendimit konservator në rregullimin e Jugosllavisë në Lidhjen e Komunistëve, e kush janë liberalët dhe cilat janë idetë e njërit, e cilat të grupit tjetër? Sot mbizotëron mendimi se ideja e Rankoviqit për organizimin centralist të Jugosllavisë u mund në Plenumin e Brioneve dhe se fituan forcat që e promovuan reformën dhe federalizimin e vendit. Sa u bazua ky kuptim në faktet historiografike?

Në thelb, nëse bisedën për «konservatorët» dhe «liberalët» në udhëheqjen politike komuniste jugosllave do ta paraqitnim nëpërmjet personaliteteve, atëherë, në njërën anë, fuqinë konservatore, në njëfarë mënyre, e ka udhëhequr Rankoviqi, ndërsa në anën tjetër ishte Eduard Kardeli, si njeriu që praktikisht e ka menduar dhe konceptuar çdo kushtetutë dhe strukturë të shtetit jugosllav. Në këtë kontekst, ky koncept i Kardelit për transformimin e shtetit jugosllav, i cili deri në fund të viteve të ‘50 ishte shumë i centralizuar, në të vërtetë është duhur të shkojë në drejtim të asaj që ndodhi në vitet e ‘60, e ajo është më shumë pushtet për republikat, dhe në këtë mënyrë forcimi i konceptit federal, gjë të cilën kjo e fundit, rryma konservatore, nuk e mbështeti, duke vlerësuar se një shtet i fortë centralist mund të funksionojë dhe si i tillë do të mbijetojë. Kjo pastaj krijoi një mori çështjesh të tjera, të cilat janë të ndërthurura në aspektin e politikës së personelit, të participimit politik nga të gjitha republikat jugosllave dhe krahinat, por edhe nga popujt… Në këtë kontekst, është e qartë se ekzistonin këto dy rryma dhe se jo vetëm për shkak të Plenumit të Brioneve, por, në përgjithësi, për shkak të marrëdhënieve në Jugosllavi, që nga fillimi e deri në fund të viteve të ‘60 ky koncept liberal, apo më liberal, të themi ashtu, do të mbizotërojë.

Në ç’masë kanë ndikuar raportet personale të funksionarëve partiakë në politikën e Lidhjes së Komunistëve? Sa ishin të forta armiqësitë personale ndërmjet tyre dhe sa ishin pasqyruar, dhe sa është formësuar nga këto raporte politika shtetërore?

Jam shumë i prirë për të besuar se dëmet më të mëdha janë shkaktuar atje ku raportet kanë qenë jashtëzakonisht të forta, ose jashtëzakonisht të afërta. Nëse i shikoni personalitetet që janë udhëheqës komunistë jugosllavë në vitet e ‘60, atëherë e kuptoni se ata kanë qenë njerëz që e kanë njohur njëri-tjetrin për dekada të tëra, nga diçka e përbashkët në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, deri te ajo që në Luftën e Dytë Botërore kanë vepruar, si bartës të asaj që ata e quajtën revolucion, domethënë revolucionarë, të cilët në përfundim të luftës erdhën në pozitë për ta krijuar pushtetin dhe ta formojnë shtetin në përputhje me bindjet e tyre politike. Është e qartë se marrëdhëniet e tilla ndërmjet tyre në një fazë mund të kenë shkuar në drejtimin që ne mund ta konsideronim të padëshirueshëm, për shembull, se bëhej luftë për pushtet, përpjekje që disa nga anëtarët e një rangu të asaj elite politike të pozicionohen më mirë, apo të gjenden në pozitë më të mirë… sikur, pra, këto marrëdhënie personale ta kishin një rolin më të rëndësishëm.

Për shembull, në pozitën e nënkryetarit të Jugosllavisë, Rankoviqin e zëvendësoi Koça Popoviqi, i cili deri atëherë për një kohë të gjatë ishte ministër i Jashtëm, dhe atëherë, në një rast, në «Kujtimet» e tij, thotë se e pranoi këtë ofertë, për të cilën e bindën kolegët dhe miqtë e tij nga udhëheqja politike serbe, ndër të tjera, edhe me qëllim që nga kjo pozitë të përpiqet të ndikojë në ndërrimin e disa pozicioneve të caktuara në kreun ushtarak. Nga këto kujtime mund të vijmë në përfundim se ne sot e shohim se gjithmonë kishte konkurrencë personale. Kudo që keni pushtet dhe kudo që keni fuqi, përpjekjet për të ardhur në këtë, apo për ta zotëruar atë një masë më të madhe patjetër se prodhojnë edhe mosmarrëveshje, jo vetëm armiqësi politike, por shumë shpesh edhe private e personale.

Një pjesë e mirë e librit, direkt dhe indirekt, është historia e shkarkimit të Rankoviqit. A qëndron teza e Dobrica Qosiqit, i cili atëbotë ishte i afërt me Titon dhe udhëheqjen komuniste serbe, e cila thotë se goditja në Rankoviqit ishte goditje ndaj kuadrove serbe në Lidhjen Komuniste?

Ky është përfundim logjik, sepse, në qoftë se bëhet analizë, e, në qoftë se doni, edhe analizë e strukturës nacionale të kuadrove të cilat janë shkarkuar pas Plenumit të Brioneve në vetë kreun e UDB-së, ajo ishte e nacionalitetit serb, edhe sepse ajo ishte më shumë e përfaqësuar atje. Ky është një përfundim matematikor. Por, në kontekstin e transformimit të federatës dhe shoqërisë jugosllave, hapja e hapësirës për të tjerët, joserbët, për participimin e tyre edhe në UDB dhe në polici nuk mund të kalonte pa këtë lloj ndryshimi. Ndoshta në një nivel simbolik, por Rankoviqi ishte, si të thuash, figura më përfaqësuese e udhëheqjes politike serbe, por nuk ishin më të vlefshëm edhe personalitetet Koça Popoviqi, Dobrivoje Radosavleviq, apo ndonjë tjetër, që mbetën në pozicionet e tyre, apo sikur rasti i Popoviqit, që erdhi në vendin e nënkryetarit të shtetit.

Ajo çfarë mund të shihet në nivele më të ulëta, e atë jam përpjekur ta gjurmoj nëpër libër, është se në disa vende në Bosnjë-Hercegovinë u fol se duhet që politikën e kuadrove edhe në polici, ndër të tjera, barazuar me strukturën nacionale të zonës së caktuar ku ajo polici vepron. Për shembull, konkretisht kam sjellë shembuj sipas të cilëve në zonat perëndimore të Hercegovinës 90 për qind të popullsisë e përbëjnë kroatët, kurse 90 për qind e policëve ishin serbë. Këtë çekuilibër dikush është dashur ta hetojë dhe të bëjë përpjekje për ta ndryshuar në kontekstin e këtyre ndryshimeve në marrëdhëniet shoqërore në Jugosllavi. Pas Plenumit të Brioneve, rreth Rankoviqit u krijua një grup i mbështetësve të tij, por jo me vullnetin e tyre, shumë prej të cilëve, në fakt, këtë e kanë interpretuar vetëm në kontekstin e asaj që e kishte instaluar Dobrica Qosiq, pra se në fakt ajo ishte një goditje kundër kuadrove serbe, prandaj atëherë shtrohet një çështje më e madhe: çfarë është karakteri i shtetit jugosllav, para dhe pas kësaj? Pra, a është Jugosllavia ashtu si e sheh vetëm ndonjëri kuadër partiak – për shembull, si e sheh këtë Qosiqi – apo Jugosllavia është një koncept disi ndryshe, përkatësisht se si në këtë rast do të ndihen popujt tjerë?

Për publikun e gjerë është pak e njohur se Rankoviqi ishte anëtar i Partisë Komuniste shumë përpara Luftës së Dytë Botërore, dhe për shkak të ideve komuniste ishte burgosur gjatë kohës së Jugosllavisë monarkike. Ishte një nga figurat më të rëndësishme në Luftën Nacionalçlirimtare dhe jashtëzakonisht i orientuar kah jugosllavizmi. Ishte i martuar me sllovenen Becela Ladislav, dhe deri në vdekje jetoi në Dubrovnik. Shikuar nga ky këndvështrim, a mund të konsiderohet ai si njeriu që ishte bartës i ideve proserbe?

Unë nuk jam marrë me Rankoviqin në atë mënyrë, por kam ardhur edhe deri te të dhëna të tilla. Disa njerëz e kanë vlerësuar atë si personifikim të jugosllavizmit, duke dëshmuar atë për të cilën ju flisni – një kuadër serb i martuar me një sllovene që jeton në Kroaci. Nga ky këndvështrim, është interesante kjo kombinatorikë, të them ashtu, por kombinime të tilla mund të gjenden edhe te disa personalitete të tjera që kanë vizione tjera për Jugosllavinë deri te këto marrëdhënie, ose të paktën për figurat kryesore që e sollën Jugosllavinë në vitet e ‘60, edhe pse them: unë nuk e kam trajtuar shumë këtë çështje në mënyrë specifike, por kjo çështje në literaturë megjithatë hapet. Nuk mendoj se është veçanërisht relevante.

Pas Plenumit të Brioneve, e për këtë shkruani mjaft në libër, a erdhi deri te një reformë brenda Lidhjes së Komunistëve dhe shoqërisë jugosllave?

Plenumi i Brioneve vërtet është një ngjarje e rëndësishme dhe në librin tim unë jam përpjekur ta tregoj dinamikën e vitit 1966. Por, Plenumi i Brioneve, si i tillë, nuk i inicioi të gjitha proceset. Është fakt se disa i theu, por disa kishin filluar që më herët. Pra, në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, kur flasim për vitin 1966, zakonisht i referohemi një të ashtuquajturi Këshillim i Mostarit nga shtatori i atij viti, në të cilin u diskutua për këto marrëdhënie në Bosnjë-Hercegovinë dhe për participimin e pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve të ndryshme nacionale. Ai ishte një proces afatgjatë, i cili kishte nisur më herët, prandaj edhe çështja e riorganizimit të partisë ishte çështje e shtruar më herët, por Plenumi i Brioneve i dha këtij procesi një dinamikë të re dhe ndryshe, të re në kuptimin që disa çështje u hapën pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshe në kuptimin që disa nga çështjet e hapura më parë për një moment u ndalën, u ngadalësuan, u lanë mënjanë, derisa të zgjidhet ajo që unë në libër e quaj jehonë e Plenumit të Brioneve, e pastaj më vonë rifilluan. Kjo ndikoi në atë dinamikë.

Në shembullin e Bosnjë-Hercegovinës kjo shihet më së miri në të ashtuquajturën hapje e Hercegovinës Perëndimore, për shkak se ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të situatës në Luftën e Dytë Botërore, shumë kohë pas luftës, ishte praktikisht dhe ekonomikisht zonë e izoluar shoqërore, e në vitet e ‘60 kjo çështje u hap, përkatësisht edhe Hercegovina Perëndimore u hap në drejtim të rritjes së numrit të investimeve. Dhe tani në mënyrë kronologjike ndodh që Këshillimi i Mostarit, që pasoi pas Plenumit të Brioneve, të diskutojë pikërisht për atë, prandaj fitohet përshtypja se kjo ndodhi pas ndërrimit të Rankoviqit. E vërteta është se kjo çështje ishte shtruar edhe më herët dhe se Plenumi i Brioneve vetëm se i dha dinamikë të re.

Në fragmentet e Plenumit të Brioneve evidentoni edhe reagimet e njerëzve në mbledhjet e partisë, nga të cilat shihet qartë se shumëkush situatën politike e vlerëson të njëjtë me atë të vitit 1948, kur Titoja iu kundërvu Stalinit dhe rezolutës së Informbyrosë. A është përdorur një analogji e tillë? A ka pasur Plenumi i Brioneve rëndësi të tillë politike, ekonomike dhe gjeostrategjike sikur «jo» e Titos në vitin 1948?

Nuk mendoj ashtu. Plenumi i Brioneve për nga rëndësia e tillë nuk mund të krahasohet me vitin 1948, por për nga efektet e prodhuara mund të themi se ka paralele të ngjashme, për shkak se është një thyerje e madhe. Ne kemi pasur thyerje brenda udhëheqjes partiake edhe para Plenumit të Brioneve. Në mesin e viteve të ‘50 i kemi paraqitjet e Gjilasit, pas të cilave ai i braktis pozicionet politike dhe shkon në mërgim politik, por largimi i Gjilasit nga komunizmi, të them ashtu, ose nga Partia Komuniste, nuk ishte tronditës sikur ky, të paktën sipas reagimeve që mund të shihen në nivelin më të ulët. Unë i kam regjistruar më shumë rastet ku njerëzit në takimet partiake i referohen vitit 1948 dhe pyesin nëse është e mundur që të ndodhemi përsëri në situatën si vitin 1948, çfarë do të ndodhë tani, ngase kjo vërtet ishte një çarje e madhe, sepse, krahas Kardelit, Rankoviqi ishte praktikisht figura e dytë e skenës politike jugosllave, pas Josip Broz Titos. E nga kjo pozitë, reagimi i tillë ishte i pritshëm.

Ajo që gjithashtu është shumë e rëndësishme për këtë lloj reagimi është një perceptim i përgjithshëm, i ndërtuar nga Lidhja e Komunistëve, e që në një masë të madhe ishte pranuar nga shoqëria jugosllave, që marrëdhëniet në Lidhjen e Komunistëve ishin mjaft monolite, pra se vendimet merreshin njëzëri, se të gjithë pajtoheshin për çdo gjë. Lidhja e Komunistëve vërtet e kishte një imazh të tillë. Por, nëse i përcillni marrëdhëniet brenda Lidhjes së Komunistëve duke i ndjekur mbledhjet e tyre, diskutimet, grindjet, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet, atëherë do ta shihni se ajo nuk ishte edhe aq monolite ashtu siç pretendohej. Plenumi i Brioneve dëshmoi për opinionin se marrëdhëniet në Lidhjen e Komunistëve nuk janë aq monolite, dhe këtu është rëndësia e tij.

Çfarë ishte dhe a ishte UDB-ja, ashtu siç besohet tani, polici e gjithëfuqishme, sekrete, politike dhe a ka udhëhequr Rankoviqi me të në mënyrë sovrane, autonome dhe të tjetërsuar nga pjesa tjetër e pushtetit?

Drejtoria e Sigurimit të Shtetit ishte struktura organizative e sistemit të sigurisë brenda Jugosllavisë, një element, përkatësisht një lidhje e aparatit represiv të shtetit, e ngarkuar me ruajtjen e ligjit, paqes dhe rendit kushtetues të vendit. Për nga karakteri, ajo është shumë e ngjashme me çdo polici inteligjente sekrete në vendet e tjera, në të cilat u ndërtua socializmi. UDB rrjedh nga Departamenti për Mbrojtjen e Popullit (OZNA), formacion që u krijua në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe luajti rol të rëndësishëm në operacionet e fundit të luftës, por edhe në krijimin e rendit të ri pas luftës. UDB-ja u transformua pas Plenumit të Brioneve dhe u riemërtua Shërbimi i Sigurimit Shtetëror; një pjesë e fuqishme e pushtetit që e kishte pasur deri atëherë UDB-ja u transferua në polici, një pjesë drejt Shërbimit të Inteligjencës të Armatës Popullore Jugosllave. Ajo që kam mundur ta shoh nga dokumentet që nuk janë të UDB-së, por të organeve politike, siç është Lidhja e Komunistëve, është se një pjesë e mirë e shoqërisë ose anëtarë të shoqërisë në Bosnjë-Hercegovinë, njerëz në pozita politike, në pozitat e drejtuesve të ndërmarrjeve të caktuara ekonomike, u ankuan për mënyrën e veprimit të UDB-së.

Në një rast unë flas për gjendjen në ekonomi; prandaj e di që drejtori i Energoinvestit të Sarajevës është ankuar se ai e kishte ndjenjën se dikush e përcillte dhe e përgjonte, në Hekurudhën Zenica gjithashtu, por e gjitha kjo mua përsëri më ngjan në kontekstin e Luftës së Ftohtë, një frikë e tillë e armikut të jashtëm, i cili duhet të vijë dhe papritmas të sulmojë, dhe pastaj ju përsëri nga brendia përgatiteni, ndër të tjera, edhe me këtë veprim të fshehtë. Ky është një kontekst në të cilin vepronte UDB-ja. Atë që e tregoi raportimi në Plenumin e Brioneve dhe që mund të shihet nga diskutimet është se në nivelet e ulëta vërtet ndodhi abuzimi i pushtetit në punën e UDB-së dhe se ky është moment i rëndësishëm. Tani e kam fjalën për disa nga pyetjet e mëparshme. Ndoshta nuk kishte përgjime në vetë kreun, por në nivele të ulëta, e kjo e vështirësoi mjaft shpesh komunikimin normal. E di që një ndërmarrës nga Bijelina është ankuar se pas çdo bisede me partnerët nga Gjermania për shitjen e ndonjë produkti të caktuar i është dashur të shkojë në polici për të rrëfyer në lidhje bisedën e zhvilluar, edhe pse, siç thotë ai, 95 për qind e bisedave nuk ishin të lidhura me politikën, por me ekonominë. Por, kjo përpjekje e policisë për të ditur gjithçka çfarë po ndodhte atje, për çfarë bisedohet, tregon në fakt sesa kjo strukturë ishte e përfshirë në të gjitha sferat e shoqërisë, dhe kjo sigurisht që ka pasur një jehonë edhe në shoqëri në tërësi.

Në fund, një pyetje konkrete dhe precize, e cila i ngjan më shumë një bisede të lirshme, por e cila e di se është atraktive për lexuesit: A e rrëzoi Titoja Rankoviqin?

Mendoj se këtu ekziston një përgjigje e thjeshtë në mënyrën «po» ose «jo». Nga e gjithë ajo që e shohim të ketë ndodhur në vitet e ‘60, është e qartë se një vendim i tillë nuk mund të merrej pa mbështetjen e Titos. Në fund të fundit, kjo mund të shihet nga diskutimet e Titos edhe në Plenumin e Brioneve dhe më pas, kur dëshirohet që kjo të justifikohet, përkatësisht për ta prezantuar në mënyrën siç prezantohet. Mendoj se Rankoviqi ishte një njeri i dhënë shumë pas ruajtjes së rendit ekzistues, e kjo, në anën tjetër, nuk ishte një përgjigje adekuate për ndryshimet që ndodhën në vitet e ‘60. Sipas mendimit tim, kjo duhej të ishte një përçarje e natyrshme ndërmjet njërit dhe konceptit tjetër.