Si e njoha Enver Hadrin

Ai ishte patriot, por s’bënte zhurmë. Ai punoi për Kosovën në ato forume ku shumë «patriotët me profesion» s’kishin qasje. Aktivisti politik Mahmud Ibrahimi, i cili jeton në Zvicër, kujton Enver Hadrin, vrasësit e të cilit këtë javë u dënuan në Bruksel me burgim të përjetshëm.

Enver Hadri.

Më ke munguar prej asaj dite të kobshme, kur mora lajmin. Ishte herët në mëngjes kur mikja jote, e cila me kohë u bë edhe mike e imja, më telefonoi se Enver Hadri u vra. Ishte lajm tronditës dhe mu kujtuan bisedat e hershme, mu kujtua edhe ajo e fundit që patëm diku një muaj para vrasjes, kur ishe te unë për vizitë.

Më ke munguar prej atëherë, me mungoje edhe sa ishe gjalle, se ti jetoje në Bruksel, unë në Zürich. Nuk u njohëm kush e di sa gjatë, rreth tre vite, por për mua ti mbete një njeri i afërt. Edhe kur erdha në Bruksel, kalova edhe nga vendi i krimit, tek rrugëkryqi e tek semaforët ku atentatorët ta morën jetën, ndonëse unë s’besoja ende. Pastaj të erdha në shtëpi dhe te varri. Mbi varr të lashë vetëm një trëndafil të bardhë, ndoshta jo e zakonshme.

Unë e njohja Enver Hadrin si njeri me karakter të fortë, i dalluar nga shumë të tjerë që atëbotë merreshin me «çështjen kombëtare». Dhe i vendosur. Një vendosmëri që sot nuk e sheh në sytë e asnjërit që sundon në viset tona shqiptare. Ai reflektonte seriozitet, kishte qëndrim dhe të linte përshtypje jo vetëm me fjalët e tij.

Takimin e fundit e patëm në Gjenevë, organizuar nga Komiteti për Informimin e Opinionit Botëror, të cilit i printe Xhafer Shatri, ndërsa unë isha anëtar i kryesisë. Prej kohësh ekzistonte një bashkëpunim me Komitetin për të drejtat e njeriut që e kishte themeluar Enver Hadri në Bruksel.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, informimi i opinionit botëror mbi represionin brutal të autoriteteve serbe dhe demaskimi i imazhit të rrejshëm liberal që gëzonte Jugosllavia në Perëndim, ndonëse në mënyrë të hekurt shtypte mbi dy milionë shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Një arsye tjetër e bashkëpunimit ishte bindja se mobilizimi i opinionit ndërkombëtar mund të ishte i dobishëm për Kosovën.

Pas mbrëmjes së kaluar në Gjenevë Enver Hadri, i shoqëruar nga një zyrtare e Parlamentit Europian, qëndroi dhe te unë në Zürich. Kjo zonjë pastaj do të më jepte lajmin e hidhur për vrasjen e Enver Hadrit.

Ai nuk ishte vetëm një aktivist i çështjes kombëtare, por një njeri polivalent, i fokusuar jo vetëm në politikë, por edhe në arkitekturë, të cilën e kishte studiuar.

Nga biseda që patëm në Zürich më kujtohet se Enver Hadri shprehu interesim të takohemi me gazetarin dhe shkrimtarin e njohur zviceran Niklaus Meienberg dhe me Paul Parinin, një mjek e psikolanalist i famshëm zviceran me origjinë nga Sllovenia, me të cilët e njoftova. Më kujtohen bisedat kur fliste për kontaktet e tij që në atë kohë kishte me Doris Pack dhe Danielle Miterrand, të cilat kishin ndikuar që Parlamenti Europian të aprovojë rezolutën e parë mbi situatën e rënde në Kosovë. Pastaj një delegacion i Parlamentit Europian vizitoi Kosovën për t’u njohur për së afërmi me situatën e rëndë.

Enver Hadri ishte një njeri shumë praktik, nuk fliste shumë. Ishte i drejtë dhe objektiv, kishte talent të shquar diplomatik. Bisedat me të ndikuan që në kuadër të një radioje lokale në Zürich të fillojmë emetimin e një emisioni në gjermanisht dhe shqip. Të njëjtën e bënte edhe Enver Hadri prej vitesh në Belgjikë me Radio Iliria, me të cilën informonte opinionin në gjuhën frënge mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Deri-diku Enver Hadri binte në sy jo si «shqiptar tipik», siç përshkruhej në ato vite apo siç pretendohej se duhej të dukej një shqiptar tipik. Pamja, opinionet, sjellja mjaft e qytetëruar dhe me shume stil e bënin atë të ishte një shqiptar ndryshe, jotipik. Më kujtohet që shpesh kishte shqiptarë që e shikonin me habi për shkak se me vete kishte një qen, nganjëherë thoshin: «Kush është ky me qenin?» Kur salla ishte e mbushur me publik shqiptar, qeni i ulej para këmbëve.

Qeshnim dhe ironizonim këto botëkuptime se kur dhe si mund arrihet emancipimi dhe iluminizimi i shoqërisë sonë. Kishim mendimet tona të pavarura, gjë që për atë kohë ishte e pakuptueshme dhe delikate për disa «patriotë profesioniste», sepse ata kishin rregullat e tyre dhe kodeksin ku përshkruhej se si duhet të duket një «shqiptar tipik». Enver Hadri nuk i përkiste këtij soji të burrave shqiptarë, ai ishte modest dhe pragmatik, bota e tij ishte e gjerë.

Një e vërtetë e asaj kohe ishte se Enver Hadri shikohej me inat nga grupet e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) që ishin nën ndikimin e ideologjisë së Enver Hoxhës. Ndoshta nuk është e radhës dhe do të shkaktonte disa tronditje po t’ua përmendja emrat. Ata që edhe sot, si dikur, ishin mjeshtër të intrigave, dinakërive dhe të shpifjeve. Ata që anatemonin veprimtarët që nuk ishin «komodë», servilë apo «të dëgjueshëm». Dhe mënyra më tinëzare dhe më efektive ishte përhapja e gënjeshtrave se ky apo ai është «bashkëpunëtor i UDB-së» apo i dërguar i «UDB-së për të nuhatur emigracionin politik». Grupet e këtyre «patriotëve profesionistë» ishin po aq të rrezikshme sa edhe shërbimet informative të shtetit jugosllav. Brohoritjet e tyre, etiketimet, fabrikimet ishin të tmerrshme, sepse ata kishin edhe kohë për fantazma të tilla. Nuk punonin, kishin kohë për gjepura të tilla. Nuk jetonin edhe keq nga ndihmat sociale apo paratë e grumbulluara e emër të «fondeve për ndihmë vendlindjes», që u shërbenin si mbulesa për lukse personale. I them këto, sepse etiketime të tilla qarkullonin edhe për Enver Hadrin, qarkullonin edhe për mua në atë kohë, qarkullonin edhe për disa persona tjerë. Këto marrëzi e gënjeshtra është vështirë të dëshmohen nëse ishin fabrike të UDB-së apo të disa «patriotëve shqiptarë». Ndoshta dikush prej tyre ka ndërgjegje, ndoshta dikush prej tyre sot mund të reflektojë. Disa prej tyre sot janë faktorë politikë në Kosovë. Ndoshta të tillët kanë frikë nga e kaluara apo nuk kanë guxim as si politikë, as si qytetarë të dalin të prononcohen.

Veprimtarët si Enver Hadri rrojnë përherë në kujtimet tona. Ai nuk e shihte angazhimin për Kosovën si nevojë personale për profilizim e protagonizëm të zhurmshëm publik, por si obligim njerëzor, moral e patriotik. Ai nuk vuante nga komplekset e imponimit.