Si e ndanë Kosovën portalet anonime dhe si arriti përralla e tyre deri në Frankfurt?

Një lajm i dyshimtë, i përhapur nga portale deri më tani gati plotësisht të panjohura dhe pa adresa e impresum, paralajmëron rrudhjen e territorit të Kosovës dhe shumë gjëra të tjera. Të gjitha të përmbledhura në 17 pika që tingëllojnë si 17 rrena.

Foto: Shutterstock



Në fund lajmi arriti në Frankfurt. Te gazeta «Frankfurter Rundschau», e cila dikur ka qenë mjaft serioze dhe tani lufton për mbijetesë dhe nuk ka rrjet të gjerë korrespondentësh. Në një shkrim të ngutshëm të një gazetareje austriake u dha haberi se më 12 qershor do të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë. Marrëveshja, sipas këtij hazërxhevapi, përmban 17 pika. Në këto pika ka lloj-lloj paralajmërimesh se çka do të bëhet me Bujanovcin dhe Mitrovicën, me Liqenin e Gazivodës dhe ku do të hapen bazat e reja të NATO-s në rajon. Meqë ky gjoja dokument duket aq joserioz, nuk ia vlen të përsëriten këtu dokrrat e tij. Por, ia vlen, gjithsesi, hulumtimi i gjenezës së këtij haberi.

Këtë e kanë bërë gazetarët e «Raskrikavanje», një projekt i portalit të pavarur dhe të shpërblyer me mirënjohje ndërkombëtare KRIK nga Beogradi. «Frankfurter Rundschau» nuk përmend asnjë burim të dokumentit. Një mëkat gazetaresk. Një rrëshqitje në joprofesionalizëm. Duket se titulli i gazetës gjermane ka mjaftuar që lajmi të konsiderohet si i besueshëm, andaj e ribotuan, përhapen dhe përfolën mediat serbe si agjencia e lajmeve BETA, prej nga e morën gazeta Danas, portalet Telegraf, Srbin.info, Mondo. Pas tyre lajmin për «planin me 17 pika» e botuan Tanjugu, B92, Radiotelevizioni i Vojvodinës. Dhe shumë media shqiptare. Në rrjetet sociale «plani» ishte hit i vërtetë.

Gazetarët e «Raskrikavanje» konstatuan se «dokumenti» për herë të parë është përmendur më 31 janar në faqen e internetit të quajtur «Gazeta Shqiptari»: «Zbulohet Projekti Për Ndarjen E Kosovës, Vuçiq – Thaçi: Kosova E Jep Leposaviçin, Zubin Potokun Dhe Zveçanin, E Merr Preshevën!» (Gabimet drejtshkrimore janë të portalit). «Gazeta Shqiptari» nuk njihet në opinion si portal serioz. Në të vërtetë nuk njihet fare. Nuk ka adresë, nuk ka impresum, nuk dihet kush qëndron pas këtij «mediumi», kush është kryeredaktor. Në «lajmin» e përhapur nga ky portal anonim thuhet se planin për herë të parë e ka publikuar Fehmi Ramadani, «publicist nga Presheva». Nuk tregohet se kur dhe ku e ka botuar fillimisht planin Ramadani, nuk thuhet asgjë për kredibilitetin e këtij «publicisti». Në fjalinë e fundit nënvizohet se informacionet janë marrë nga «faktorë relevantë ndërkombëtarë» – një frazë qesharake që shpesh e përdorin portalet që prodhojnë lajme të rrejshme. Gazetarët e «Raskrikavanje» kontaktuan Fehmi Ramadanin, por ai nuk është përgjigjur (deri në botimin e tekstit në portalin «Raskrikavanje»).

Nga «gazetari preshevar» Fehmi Ramadani dhe portali anonim «Gazeta Shqiptari» plani nisi të përhapej në rajon. Portali «Kossev», i cili e ka selinë në veri të Kosovës dhe informon në gjuhën serbe, e transmetoi tekstin nga portali «Tetova1», duke shtuar se qeveria e Kosovës e ka demantuar ekzistimin e këtij plani.

Redaktorja e portalit «Kossev» Tatjana Lazareviq supozon se ky «plan» mund të jetë «balon provues» në kuadër të propagandës, lajmeve të rrejshme dhe spinit lidhur me Kosovën. Në këtë kurth duket se ka rënë gazeta «Frankfurter Rundschau», por jo edhe mediat e tjera gjermane.

Të mërkurën në mediat serbe është botuar lajmi i radhës i rrejshëm. «TV Prva» duke u thirrur në korrespondenten e saj njoftoi se në një fshat në Kurshumli janë demoluar disa shtëpi dhe se atje janë vërsulur shqiptarë të armatosur. «Veçernje novosti» shkroi se bëhet fjalë për prerje ilegale të malit dhe të shtëna me armë kundër punëtorëve serbë. Më vonë gjatë ditës policia serbe njoftoi se nuk ka pranuar asnjë njoftim për ndërhyrje të grupeve të armatosura nga Kosova në Serbi. Në fshatin Rastelicë, ku nuk jeton askush, disa shtëpi janë thyer. Pronarët janë njoftuar. Sipas policisë janë vjedhur një pushkë gjuetie, disa vegla dhe një sharrë. Pas «bombës» së Fehmi Ramadanit nga Presheva dhe «luftës» në Kurshumli, në ditët në vijim me siguri do të ketë lajme të tjera edhe më spektakulare. (dialogplus.ch)