Si e humbën debatin me Mehmet Krajën myslimanët e rrejshëm?

Në vend të argumentit, sharje e shpifje – ky është reagimi i «myslimanëve të Facebookut» që Kosovën e shohin si atdhe të përkohshëm drejt bashkimit me «ymetin mysliman» të «Shtetit Islamik». Këtë film s’do ta shihni kurrë.

Ilustrimi: Shutterstock

Myslimanë të rrejshëm: e kam të qartë se hebreu i Facebookut, Mark Zuckerberg, ua ka krijuar mundësinë të shani, të çirreni, të shpifni, të përgojoni, të gënjeni. S’mund ta akuzojmë hebreun për këtë. Ai ka krijuar një hapësirë virtuale për debat, që ju e keqpërdorni për propagandë dhe nxitje urrejtjeje.

Mehmet Kraja, shkrimtar, gazetar, publicist, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, botoi një shkrim kritik mbi keqpërdorimin e fesë për qëllime politike, ideologjike, antikombëtare. Kraja bëri apel për debat, nuk kërkoi të pajtoheni me të. E si reaguat ju, «myslimanë të Facebookut», myslimanë virtualë? Ju reaguat me shpifje nga më të ndytat, nga ato që s’i duron as letra, as rrjetet sociale. Reaguat me kërcënime, me thirrje për xhihad virtual, me keqinterpretime, me shkumë në buzë.

Një aktiviste agresive islamiste, e cila mendon se maskimi i kokës me shami e bën njeri të mirë, bëri presion që teksti i Krajës të hiqet nga një portal. E pse të hiqet nga portali një shkrim që bën thirrje për debat? E dini mirë ju përse e bëni këtë: sepse jeni aq të hutuar nga argumentet, andaj përpiqeni ta njollosni Krajën me gjuhën me të egër të mundshme. Kraja nuk u bëri kërkesë të pajtojeni me të, por ai as nuk kërkoi nga ju që ta fyeni, fundja kush e kërkon këtë! Këtë shans e kapët ju vetë, sepse fyerja është e vetmja gjë që dini, që mundeni dhe që ua kënaq instinktet e ulëta.

Sa shumë angazhoheni ju «myslimanë të Facebookut» për liri të fjalës. Natyrisht për lirinë e fjalës suaj. Fjalët e të tjerëve nuk duhet duruar, ky është qëndrimi juaj. Kush kritikon – ai është «farë e fëlliqur», kështu kishin shkarravitur në Facebook disa besimtarë të devotshëm. Të devotshëm për marrëzi.

Ju lirinë e fjalës e pretendoni vetëm për vete. Atë e shfrytëzoni ku të mundeni. Por kur këtë liri e shfrytëzon një tjetër që s’beson në dokrrat tuaja, atëherë çoheni në këmbë, vërsuleni, atakoni e llomotitni zi e më zi. Fjala e lirë, mendimi i lirë është i papranueshëm për ju, nëse s’përputhet me ideologjinë tuaj mesjetare dhe paramesjetare, me ideologjinë tuaj kriminale, që të qenmit shqiptar e shihni si aksident dhe të qenmit pjesëtar i ymetit mysliman mbarëbotëror si ëndërr të madhe.

Ju gëzoheni kur kryeministri i Kanadasë i uron myslimanët për Bajram, por a e keni pyetur veten përse në Arabinë Saudite është e ndaluar që të krishterët t’i luten zotit të tyre, përse në atë vend nuk mund të kalosh kufirin nëse ke një vulë të Izraelit, relikt nga vizita e fundit në tokën e shenjtë, ku, mes tjerash, ke parë edhe xhaminë al-Aksa? Përse në atë vend s’mund të ndërtohen kisha, ndërkohë që vetëm besimtarët shqiptarë në Zvicër rrotullojnë miliona franga për të ndërtuar xhami? Ju e dini përse, por s’keni fytyrë të tregoni.

Ju gëzoheni kur Barack Hussein Obama i fton myslimanët për iftar, por njëkohësisht zgërdhiheni kur një person me probleme të identitetit seksual vret dhjetëra njerëz në Amerikë vetëm pse një homoseksual nuk ka pranuar të kalojë natën me të. Ju gëzoheni kur në Perëndim i lejojnë edhe vajzat para pubertetit të bartin shami, por njëkohësisht dëshironi t’ia këpusni kokën një murgeshe që dëshiron të vizitojë Arabinë Saudite.

Ju dëshironi të keqpërdorni tolerancën perëndimore për agjendën tuaj, ndërsa kur një publicist si Kraja, duke besuar në vlerat perëndimore, shfrytëzon të drejtën e tij të thotë atë që mendon, ju organizoni në internet ekzekutime virtuale. Kaq është fuqia juaj tani për tani. Po të kishit më shumë fuqi, do të nxirrnit thikat, së paku këtë e sugjeron gjuha juaj. Kush jeni ju që ta quani dikë «farë e fëlliqur»? Kush jeni ju që, duke keqpërdorur e keqinterpretuar Kuranin, dëshironi të shkaktoni përçarje mes shqiptarëve nga Mitrovica në Sarandë? Kush jeni ju që i fyeni dhe nënçmoni besimtarët paqësorë? Kush jeni ju që i dëboni pleqtë nga xhamitë ngase ata s’duan të falen siç faleni ju? Kush jeni ju që mendoni se pantallonat e shkurtra dhe mjekrat e gjata u bëjnë njerëz më të mirë? Kush jeni ju që në kthinat ilegale pseudoreligjioze festoni sulmet në Paris? Kush jeni ju që përgatitini spote për një organizatë egërsisht islamike në Zvicër duke e vendosur në alpet e këtij shteti flamurin e organizatës kriminale të quajtur «Shteti Islamik»? (Kush e ka parë spotin, e di që në fund shihen emra shqiptarë si realizues). Kush jeni ju që vrisni ushtarë amerikanë në Frankfurt?

Së fundi në Gjermani doli para gjyqit një shqiptar. Një i tillë që është rritur me pordhat e Shefqet Krasniqit. Ky shqiptar i thënçin ishte bindur nga familja të largohej nga Siria, ku kishte shkuar për të luftuar për një «botë myslimane». Kur e pyeti gjykatësja përse kishte shkuar në Siri, myslimani i devotshëm tha se kishte menduar se atje mund të flinte sa të donte, mund të argëtohej me shumë femra dhe mund të kënaqej në natyrën e bukur. Kështu mendoi edhe njëfarë boksieri me emrin Valdet Gashi – dhe la kockat në Siri. (Shqiptari që doli para gjyqit në Gjermani u pyet nëse dinte t’i numëronte 5 shtyllat e islamit. Ai u përgjigj shkurt: «Jo»).

Të gjithë ne që jemi rritur në familje tradicionale myslimane dhe s’turpërohemi që jemi shqiptarë, prej vitesh luftojmë me argumente kundër keqpërdorimit të fesë për agjenda të fanatikëve fetarë nga Raka në Riad. A nuk është absurde që për «Tokën e Shamit» janë vrarë dhjetëra shqiptarë, ndërsa për mbrojtjen e Prishtinës më 1999 asnjë? (Disa janë vrarë, por duke plaçkitur dyqane në emër të «vlerave të luftës» në verën e vitit 1999).

Nga kjo rrugë duam t’ju largojmë, por jo t’ju detyrojmë, sepse kjo s’është puna jonë. Ne që s’kemi asnjë urrejtje ndaj asnjë feje kërkojmë prej jush që së paku të keni respekt për fe dhe mendime të tjera. Por, po, kemi urrejtje ndaj kriminelëve si Zekirja Qazimi, i cili pikësëpari ka probleme thelbësore me identitetin e vet kombëtar dhe, së dyti, e keqpërdorë fenë për qëllime shumë të ulëta. Po, ne e urrejmë edhe atë hoxhën nga Shqipëria që erdhi në Drenicë dhe që organizonte «udhëtime çlodhëse» në Stamboll me gra të terrorizuara nga lufta.

Mehmet Kraja është njëri nga shumë njerëzit e Kosovës që është i shqetësuar me të drejtë nga këto fenomene që po e shkatërrojnë shoqërinë. Në vend se të ballafaqoheni me argumentet e tij, ju, «myslimanë të Facebookut», keni zgjedhur rrugën e urrejtjes. Në këtë rrugë ju prijës mendorë i keni ata që deri dje ishin shërbëtorë të devotshëm, në fakt, besimtarë të UDB-së, dhe sot ideal të tyre jetësor e kanë zhbërjen e çdo gjëje kombëtare në rrugën e krijimit të ymetit mysliman. Ju, dorën në zemër, nuk keni ndonjë gjasë të fitoni në këtë betejë. Por, në çmendurinë tuaj mund të bëni dëme. Por dëmin më të madh, kuptohet, do t’ia bëni vetes. Sepse çfarë bëni s’ka të bëjë me fe, veç me ideologji. Andaj jeni aq të hutuar, aq agresivë, aq shpifës pas shkrimit të Mehmet Krajës.

E pse nuk po merremi ne që shkruajmë me tema të tjera, me korrupsion? Kjo ishte sot një pyetje drejtuar Krajës. E di që s’ka nevojë për përgjigje, por, ja, megjithatë: lexoni, «myslimanë të Facebookut», lexoni…