Si dështoi Mahmut Bakalli në Hagë si dëshmitar kundër diktatorit serb

Frances Trix nga Indiana University në kapitullin «Underwhelmed: Kosovar Albanians’ Reactions to the Milošević Trial» në librin «The Milosevic Trial: An Autopsy» edituar nga Timothy William Waters, Oxford University Press, 2013.

Slobodan Milošević.

Ka pasur artikuj për gjykimin e Miloševićit përgjatë periudhës shtatë mujore të «Fazës për Kosovën» të këtij gjykimi. Por, numri më i madh i artikujve në mediat kosovare është botuar në fillim të procesit, përfshirë dëshminë e dëshmitarit të parë shqiptar, Mahmut Bakalli, në mes të shkurtit 2001 dhe dëshminë e Presidentit Rugova në fillim të majit 2002. Për kosovarët, Bakalli ka dëshmuar në mënyrë jo mbresëlënëse, ndërsa dëshmia e Ibrahim Rugovës kishte ofruar një mundësi për kuptuar një mesazh të rëndësishëm politik.

Dëshmitari i parë i prokurorisë ishte Mahmut Bakalli, shqiptar i Kosovës dhe ish-lider komunist, i cili kishte epërsinë fatkeqe të ndalimit të demonstratave të vitit 1981. Nuk është e qartë pse prokuroria e kishte zgjedhur Bakallin dëshmitar të parë. Qëllimi formal ishte për ta bërë të qartë se Miloševići kishte paralajmëruar se shqiptarët shtypeshin ilegalisht në Kosovë, mirëpo ka pasur njerëz të tjerë që do ta kishin bërë këtë, sepse Bakalli ka qenë jashtë rrjedhave të lëvizjes së padhunshme të viteve 90.

Bakalli nuk ia kishte dalë të jetë dëshmitar efektiv. Dëshmia e tij fillestare ishte adekuate, nëse jo frymëzuese, por në bashkëbisedim, Miloševići e zuri atë në konfuzion faktik të datave dhe ngjarjeve. Ai u shfaq i pasigurt dhe jo bindës. Në pikëpamjen e shqiptarëve të Kosovës, ky ishte një fillim i tmerrshëm; që ua kujtonte një skenë të njohur, ku Miloševići kishte kontrollin, ashtu sikur që e kishte pasur prej vitit 1987 e deri më 1999.

Në fillim Koha Ditore u përpoq të nxjerrë në pah anën më të mirë të dëshmitarit; (Veton) Surroi shkruante se Bakalli ka sjellë detaje të historisë që ai, Surroi, as që i ka ditur. Të nesërmen, megjithatë, gazeta e Surroit raportonte më në detaje për paraqitjen e Bakallit, duke e përshkruar se çka ai – dhe lexuesit e tij – e kishin parë si situatë bizare, ku Bakalli duhej të përgjigjej në pyetjet e Miloševićit, i cili kishte të drejtën për të sfiduar personalisht të gjithë dëshmitarët që dëshmonin në gjykatë. Asgjë në përvojën e tyre s’i kishte përgatitur kosovarët për spektaklin e Miloševićit, ku ai ushtronte të drejtën e vet për të mbrojtur veten dhe për krejt atë që përfshinte gjykimi. Por, në vend të kritikës së drejtpërdrejtë për Bakallin, Koha Ditore citonte korrespodentin shqiptar në Beograd, Fahri Musliun, i cili thoshte që se Bakalli kishte dhënë dëshmi të dobët gjatë gjykimit. Musliu ishte i befasuar që Bakalli ishte i papërgatitur sepse «Bakalli është njëri prej analistëve politikë më të mirë në Kosovë. Ai nuk ia doli të argumentojë kujdesshëm dhe të jep citime të sakta të datave dhe ngjarjeve. Në vend të kësaj, ai belbëzonte si një diletant dhe si dikush që s’i ka përcjellë asnjëherë zhvillimet në Kosovë».

Artikulli i gazetës Koha Ditore, po ashtu citonte ish liderët tjerë komunistë, si Azem Vllasi, i cili nuk ishte i kënaqur me dëshminë e Bakallit. «Ai i ngatërroi datat dhe ngjarjet dhe harroi t’i përmend shumë ngjarje të rëndësishme, si demonstratat e minatorëve më 1988 ose demonstratat kundër ndryshimeve kushtetuese më 1989 – ngjarje të rëndësishme për zhvillimin e sundimit të Miloševićit dhe për kujtimet e represionit të kosovarëve».

Gazetat tjera ishin njëlloj kritikuese. Zëri kishte si titull kryesor «Gjykim apo debat politik?» dhe sugjeronte se dëshmitarët shqiptarë nuk duhet të debatojnë me Miloševićin sepse ai ishte kriminel dhe jo më negociator – duke vënë në dukje se, cilado që të jetë cilësia e dëshmisë së Bakallit, fakti i angazhimit të Miloševićit drejtpërdrejt ishte më problematik. Kosova Sot raportonte se përkundër përpjekjeve për ta mbrojtur të vërtetën e asaj që ka ndodhë në Kosovë, Mahmut Bakalli ka dhënë një dëshmi të dobët si dëshmitar i parë kundër Miloševićit dhe vinte në dukje se duke u ballafaquar me pyetje të vazhdueshme, Bakalli dështoi të ofronte shumë fakte për krimet që Miloševići i kishte kryer në Kosovë. Titulli kryesor i gazetës Epoka e re ishte «Bakalli e humb duelin me Miloševićin». Gazeta e citonte një gazetar nga Prishtina: «Nëse të gjithë dëshmitarët dëshmojnë sikur Bakalli, atëherë Miloševići do të shpallet i pafajshëm». Po ashtu, një djalë i ri nga Prishtina citohej të ketë thënë «a ka menduar Bakalli se po shkon në dasmë» duke nënvizuar se sa i papërgatitur ishte shfaqur Bakalli.

Duket se Bakalli ishte i papërgatitur për atë që do të ballafaqohej. Ai ishte për këtë faji i Bakallit apo i Prokurorisë? Mbi të gjitha, Tribunali lejon praktikën e përgatitjes së dëshmitarëve. Më vonë Bakalli ka pretenduar se është konfuzuar nga formati i përkthimit. Miloševići fliste në serbisht, pasi që audienca e tij e vërtetë ishin serbët. Bakalli dinte serbisht dhe shqip dhe derisa po bëhej gati të përgjigjej në pyetjet e Miloševićit, thoshte ai, në dëgjuese vinte përkthimi në shqip që e shpërqendronte. Kjo nuk e shpjegon në tërësi paraqitjen e tij, por kjo ndihmon për t’i shpjeguar disa nga belbëzimet dhe aritmitë në dëshminë e tij. Përgjithësisht, ai ishte një përzgjedhje e dobët për dëshmitar, e lëre më për dëshmitar të parë. Por, edhe më i dukshëm ishte reagimi i kosovarëve, që në dëshminë e tij shihnin mposhtjen politike dhe një mundësi të humbur për ta kornizuar gjykimin sipas qëllimeve të tyre.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.