Shumica e zviceranëve janë kundër njohjes zyrtare të Islamit

Shkalla e miratimit të Islamit si religjion zyrtar në Zvicër nuk i kalon 39 për qind. Ky është rezultati i një hulumtimi të opinionit.

Foto: Zurijeta / Shutterstock

Gatishmëria për ta trajtuar Islamin në Zvicër sikurse besimin e krishterë dhe atë hebraik është e vogël. Janë vetëm 39 për qind e njerëzve, të cilët mendojnë se Islami duhet të njihet zyrtarisht si një religjion në Zvicër. Kështu i prezantojnë mediat zvicerane rezulatet e një hulumtimi reprezentativ të gazetave zvicerane gjermanofone, përkatësisht frankofone «Sonntagszeitung» dhe «Le Matin Dimanche».

Më së shumti për një gjë të tillë janë përkrahësit e partive të qendrës së majtë: liberalët e gjelbërt, të gjelbërtit dhe social-demokratët. Raporti e citon politikanin shqiptar të social-demokratëve nga Winterthuri, Blerim Bunjaku, i cili shprehet: «Unë jam në parim për një njohje nga shteti të Islamit. Me këtë shteti do të kishte një kontroll të mirë dhe mund të shtronte kushte – si për shembull për caktimin e imamëve. Mirëpo Zvicra nuk është ende gati për këtë hap».

Në dy pyetje të tjera, vetëm 38 për qind e të anketuarve pohuan se Islami e ka vendin në Zvicër dhe se i takon Zvicrës. Madje 80 për qind e të anketuarve janë të mendimit se identiteti zviceran është absolutisht i krishterë. Për këtë studim janë intervistuar 15’678 persona. ks