Shumica e shteteve të Ballkanit shkelin angazhimet ndaj NATO-s

Ndërkohë që të gjitha shtetet anëtare të NATO-s konfirmuan angazhimin e tyre për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me 2 për qind të GDP-s, për shumicën e vendeve të Ballkanit kjo përbën një sfidë.

Foto: Shutterstock



Duke shpërfillur «mospagesat e vazhdueshme» në NATO, presidenti amerikan Donald Trump të enjten u bëri përsëri thirrje vendeve anëtare të paguajnë «pjesën e tyre që u takon» për aleancën dhe të përmbushin detyrimet e tyre financiare.

Në një takim të nivelit të lartë në Bruksel, Trump tha se anëtarët e NATO-s duhet të kontribuojnë me pjesën e tyre pasi zbuloi se 23 nga 28 vendet anëtare, përfshirë edhe anëtarin e ardhshëm të NATO-s, Malin e Zi, nuk po paguajnë ekuivalentin e rënë dakord prej 2 për qind të GDP-së së tyre.

Të gjitha vendet ballkanike anëtare të NATO-s – Kroacia, Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria – aktualisht kontribuojnë më pak sesa kufiri i rënë dakord prej 2 për qind të GDP-së, edhe pse Rumania e ka korrigjuar këtë për vitin 2017.

Shpenzimi i vogël për mbrojtjen ishte një nga çështjet kryesore që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stilenberg diskutoi të enjten. Megjithatë, ai e pranoi se totali i shpenzuar në të gjithë Europën dhe Kanadën ishte rritur me miliarda dollarë në vitin 2016.

«Kjo nuk ka të bëjë thjesht me paratë e thata, por edhe me mundësitë moderne dhe kontributet kuptimplota ndaj misioneve, operacioneve dhe angazhimeve të NATO-s», tha ai.

«Sot ne do të ndërmarrim hapa për ta mbajtur ritmin. Do të biem dakord të zhvillojmë plane kombëtare çdo vit. Këto do të përcaktojnë se si aleatët e NATO-s synojnë të përmbushin zotimin e tyre. Kështu që ne vazhdojmë t’i shoqërojmë fjalët tona me vepra», shtoi Stoltenberg.

Rumania kryeson ligën e Ballkanit për shpenzimet e mbrojtjes

E gjendur nën presionin e Uashingtonit dhe Brukselit, Rumania ka rritur shpenzimet e saj për mbrojtjen në vitin 2017 në nivelin e rënë dakord me 2 për qind të GDP-së, me vlerë 16.3 miliardë lei ose 3.6 miliardë euro.

Buxheti i mbrojtjes ishte i barabartë me vetëm 1.5 për qind të GDP-së së Rumanisë në vitin 2016.

Gjysma e parave të reja do të shkojnë për pajisje të reja ushtarake, pasi ministri i mbrojtjes Daniel Les thotë se forcat e armatosura kanë urgjentisht nevojë për pajisje të reja për shkak të viteve të tëra mungese financimi.

Vendimi për të rritur shpenzimet për mbrojtjen janë mirëpritur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e ka përshëndetur Rumaninë si shembull për shtetet e tjera anëtare.

Por Bukureshti s’e ka pasur të lehtë të gjejë paratë shtesë ose të arrijë një konsensus politik mbi mënyrën për t’i shpenzuar ato.

Kreu i partisë qeverisëse Partia Social Demokrate, Liviu Dragnea, më në fund ndërhyri në debat për t’u siguruar se të gjitha paratë e reja do të vinin nga buxheti i shtetit.

Amendamenti i tij kaloi në parlament në fillim të shkurtit.

Mali i Zi, anëtari i ri me një ushtri të vogël

Mali i Zi, me një ushtri të vogël prej vetëm 2,000 trupash, është i vendosur të bëhet shteti më i ri anëtar i NATO-s më 5 qershor.

Ai do të jetë edhe ushtrinë e dytë më të vogël në aleancë, pas Luksemburgut, me forcën e saj prej 900 anëtarësh.

Pavarësisht këmbënguljes së presidentit Trump dhe kërkesave të shumta nga Uashingtoni që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe për të përmbushur «rregullin e 2 për qind GDP», aleatët e Podgoricës janë të shqetësuar për aftësinë e Malit të Zi për ta përmbushur këtë objektiv.

Këtë vit, në përputhje me praktikën e mëparshme, Mali i Zi do të shpenzojë rreth 50 milionë euro për mbrojtjen, që është rreth 1.3 për qind e GDP-së së tij.

Ky do të ishte buxheti më i vogël ushtarak i çdo anëtari të NATO-s. Shqipëria fqinjë shpenzon rreth dy herë më shumë. Buxheti i mbrojtjes i Shqipërisë është 1.21 për qind i GDP-së së saj në vitin 2017.

Qeveria në Podgoricë më herët këtë vit u zotua të përmbushte objektivin prej 2 për qind deri në vitin 2020, por gjatë vizitës së zyrtarit më të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Ballkan, Brian Hoyt Lee, u ra dakord për një afat të mëvonshëm.

Gjatë takimit me kryeministrin malazez Dushko Markoviq më 12 maj, Lee tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpritën lajmërimin se Podgorica do ta përmbushte afatin për të shpenzuar shumën e barasvlershme me 2 për qind të GDP-së së saj për mbrojtjen deri në vitin 2024.

Bullgaria peshon planet për modernizim të madh

Një anëtare e NATO-s që nga viti 2004, Bullgaria shpenzoi 1.3 për qind të GDP-së së saj për mbrojtjen, ose rreth 1.2 miliardë leva, në vitin 2016 – rreth 600 milionë euro. Kjo ishte një rritje prej 0.4 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg më 18 maj, ministri i ri i mbrojtjes, nga koalicioni nacionalist Patriotët e Bashkuar, Krasimir Karakachanov, tha se Bullgaria i kishte qëndruar angazhimit të saj për të arritur pragun prej 2 për qind të GDP-së deri në vitin 2024.

Edhe pse shpenzimet e Bullgarisë për mbrojtjen janë pranë mesatares europiane, ushtria e saj mbetet e pa financuar, me mungesë personeli dhe e pa modernizuar në aspektin e pajisjeve teknike.

Një pamje e zymtë e gjendjes së ushtrisë u paraqit në një raport nga qeveria teknikq, i publikuar në prill, i cili paralajmëroi se ushtria mund të mos garantojë plotësisht sovranitetin e shtetit.

Në përgjigje, presidenti Rumen Radev, një ish-shef i forcës ajrore, thirri një Këshill Konsultativ mbi Sigurinë Kombëtare më 30 maj, ku do të diskutohen problemet kryesore me të cilat përballet ushtria dhe policia.

Bullgaria ka shpresa të mëdha për modernizimin e flotës së saj detare dhe forcave ajrore duke shpenzuar mbi 1.2 miliardë euro, të miratuara nga qeveria e mëparshme e Bojko Borisov në vitin 2016.

Kjo përfshin blerjen e avionëve të rinj luftarakë dhe anijeve patrulluese multifunksionale, si dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së një minimumi prej dhjetë avionësh MiG-29.

Projekti për të blerë avionë të rinj luftarakë, i cili parashikon blerjen e 16 aeroplanëve deri në vitin 2023, nuk pritet të vazhdojë pa polemika.

Në mars, pak para se ajo t’i linte vendin kabinetit të tretë të Borissov, qeveria teknike zgjodhi të fillonte bisedimet për blerjen e avionëve të rinj luftarakë Gripen me kompaninë suedeze Saab.

Oferta e Saab, gjithashtu e favorizuar nga presidenti Radev, konkurroi me një ofertë portugeze për të shitur F-16 të dorës së dytë të pajisur me armë amerikane dhe Eurofighter Typhoons të përdorura nga Italia.

Por Borisov nuk duket i angazhuar të ndjekë vendimin e qeverisë teknike.

Të mërkurën, ai dukej se po tërhiqej pas nga plani i modernizimit, i projektuar për të ulur varësinë e Bullgarisë nga Rusia për forcën ajrore të saj, duke thënë se avionët e vjetër sovjetik MIG-29 të Bullgarisë ishin rinovuar së fundmi dhe mund të fluturonin deri në vitin 2028.

«Le të shohim nëse është më mirë të blejmë menjëherë avionë të rinj apo nëse duhet të shohim më parë këmbësorinë dhe flotën», tha ai.

Ai shtoi se Bullgaria ndërkohë mund të riparojë dhe të mirëmbajë avionët e saj luftarakë në fabrikën shtetëzuar së fundmi Avionams.

Ministri i mbrojtjes Karakachanov e ka mbështetur gjithashtu idenë e Bullgarisë për prodhimin e pajisjeve të saj ushtarake.

Kroacia sytë nga Shtetet e Bashkuara për armatime të reja

Të dhënat e Ministrisë kroate të Mbrojtjes nga 31 dhjetori 2016 tregojnë se Ushtria Kroate aktualisht përbëhet nga 16,017 ushtarë dhe oficerë.

Buxheti i mbrojtjes në vitin 2016 ishte caktuar 536 milionë euro, që është i barabartë me rreth 1.16 për qind të GDP-së së Kroacisë.

Kjo pasqyroi një rënie prej 0.16 për qind të GDP-së në krahasim me vitin 2015. Kroacia është në mes të listës së vendeve të NATO-s përsa i takon madhësisë së buxhetit të saj ushtarak.

Me një ekonomi që po rikuperohet ngadalë, qeveria ka vendosur ta rrisë buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017 në 590 milionë euro, megjithatë, e barasvlershme kjo me rreth 1.23 për qind të GDP-së.

Qeveria parashikon se buxheti do të qëndrojë në të njëjtin nivel përsa i takon GDP-së në vitin 2018 dhe 2019.

Megjithatë, shifrat absolute për shpenzimet do të vazhdojnë të rriten, për shkak të rritjes së pritshme në ekonomi, në 617 milionë euro në vitin 2018 dhe 648 milionë euro në 2019.

Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se këto shifra përfshijnë shumat e paguara direkt nga buxheti, si dhe të ardhurat që ushtria do të marrë nga shitja e armëve të vjetra dhe pronës – dhe këto shifra priten të rriten, sipas planeve të qeverisë, nga 30 milionë euro në vitin 2017 në 63 milionë euro në vitin 2019.

Në përgjigje të presionit të Shteteve të Bashkuara për të arritur kufirin 2 për qind GDP për ushtrinë, autoritetet kroate do të punojnë për të arritur pragun deri në vitin 2024. Megjithatë, nuk janë bërë premtime të forta.

Me procesin e heqjes qafe të armëve të saj të vjetra të ish-Jugosllavisë dhe Europës Lindore, ushtria kroate po kërkon armë të reja nga Shtetet e Bashkuara.

Kroacia ka marrë një donacion me armë të përdorura, pajisje dhe automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, siç janë 16 helikopterë amerikanë Kiowa Warrior, me një vlerë prej rreth 100 milion eurosh, ndërsa qeveria do të paguajë  20 milion euro shtesë për taksat, pajisjet dhe trajnimin e pilotëve.

Forcat ajrore dhe forcat detare janë në gjendje të mjerueshme dhe ekspertët dyshojnë se në këto sektorë do të bëhen investime serioze vetëm nëpërmjet buxheteve të rregullta ushtarake.

(https://www.reporter.al/shumica-e-shteteve-te-ballkanit-shkelin-angazhimet-ndaj-nato-s/)