Shumë pak progres dhe pak të përgatitur për integrimin

Një metodologji e re e përdorur nga Komisioni Europian tregon se Shqipëria ka bërë progres minimal në shumicën e fushave ndërsa gjendet në «hapat e parë» ose «ka nivel të ulët përgatitjeje» në shumicën e kushteve që duhet të plotësohen para se të mbërrijmë te anëtarësimi.

Foto: Nazar Gonchar / Shutterstock.com

Metodologjia e re e Komisionit Europian për të matur ecurinë dhe statusin e përgatitjes së një vendi për anëtarësim sugjeron se Shqipëria gjendet në «nivel të mesëm» ose «të ulët» të përgatitjes për anëtarësim ndërsa ndryshimet pozitive në krahasim me vitin e kaluar konsiderohen si «të pakëta».

Metodologjia e re, e cila ka filluar të përdoret që në vitin e kaluar, i mat ndryshimet në krahasim me vitin e kaluar me cilësorë të tillë si: «hapa pas», «jo progres», «pak progres», «shumë progres» dhe «progres shumë i mirë».

Gjendja e një vendi në një fushë të caktuar vlerësohet si «hapat e parë», «nivel i ulët përgatitjeje», «relativisht i përgatitur», «nivel i mirë përgatitjeje» dhe «shumë i përgatitur». Komisioni përdor edhe vlerësime të ndërmjetme mes këtyre kategorive, të tilla si «nivel i ulët/mesatar» për të detajuar më tej konkluzionet mbi gjendjen e një vendi në rrugën drejt anëtarësimit.

BIRN analizoi raportet e viteve 2015 dhe 2016 të Komisionit Europian mbi progresin e Shqipërisë me këtë këndvështrim për të dalë në konkluzionin se pothuajse në të gjitha fushat ku Shqipëria duhet të bëjë përpara, progresi gjatë vitit të fundit ka qenë i paktë, ndërsa Reforma në Drejtësi dhe ligji «Për Pastërtinë e Figurës» (ligji i dekriminalizimit) përbëjnë dy pika kyçe pozitive, të cilat, gjithsesi konsiderohen të pamjaftueshme për sa kohë nuk janë zbatuar në mënyrë rigoroze nga autoritetet shqiptare.

Pikërisht bazuar mbi këto dy pika, Komisioni Europian deklaroi sot (9 nëntor) se ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, por pa dhënë një datë konkrete të nisjes së negociatave si dhe duke vendosur si kusht paraprak, pikërisht zbatimin e reformës në drejtësi.

Pjesa tjetër e raportit, i cili përbëhet nga 95 faqe, paraqet ecurinë e 33 kapitujve, të cilat përbëjnë thelbin e bisedimeve për anëtarësim si dhe një kapitull fillestar që merret me kriteret politike.

Nga krahasimi i dy raporteve të progresit, 2015 dhe 2016, Shqipëria konsiderohet se ka marrë më së shumti notën «pak progres» ndërsa në tre fusha ka marrë notën «shumë progres» e në katër fusha ka marrë notën «aspak progres».

Në asnjë rast, ndryshimi i ndodhur nuk është konsideruar si «progres shumë i mirë».

Në total, Brukseli ka vënë notë në 44 fusha apo çështje në vitin 2016 dhe në 43 të tilla në vitin 2015.

Fushat ku Brukseli mendon se ka pasur «progres të mirë» kanë qenë «Funksionimi i Drejtësisë», «bujqësia dhe zhvillimi rural» dhe «Politikat e Transportit». Fushat ku nuk ka pasur fare progres, janë «liria e shprehjes», «Prokurimet Publike«, «Liria e Lëvizjes së Punëtorëve» dhe «Peshkimi».

Notat për ndryshimet e ndodhura gjatë vitit të fundit në fushat e tjera janë që të gjitha «pak progres».

Në hapat e para

Përveç matjes së ecurisë në krahasim me vitin e kaluar, Komisioni Europian ka matur edhe gjendjen në të cilën janë përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim për këto fusha. Nga analizimi i raportit të vitit 2016, në pesë fusha, Shqipëria vijon të klasifikohet si «në hapat e para» të përgatitjes për anëtarësim, në 15 fusha konsiderohet si «nivel i ulët përgatitjeje» ndërsa në 19 fusha konsiderohet si «nivel i ulët mesatar», ose «nivel mesatar» ndërsa vetëm në një fushë, Shqipëria vlerësohet me «nivel të mirë përgatitjeje». Në asnjë fushë nuk kemi marrë notën maksimale të të qenit «vend i përparuar në përgatitje».

Në krahasim me vitin 2015, ndryshimet në vlerësim janë minimale. Fushat e vlerësuara si «në hapat e para» kanë rënë nga 8 që qenë në vitin 2015 në 5 në vitin 2016 ndërsa fushat e vlerësuara me «nivel të ulët përgatitjeje» janë rritur nga 13 në 15.

«Në hapat e para»

Liria e Lëvizjes së Punëtorëve është fusha e parë për të cilën Shqipëria konsiderohet si «në hapat e para» dhe në të cilën, në vitet 2015 dhe 2016, ecuria ka qenë «zero progres». Komisioni i kërkon Shqipërisë që të «kryejë bisedime dhe të zbatojë marrëveshjet e reja dypalëshe mbi sigurimet shoqërore, veçanërisht me vendet anëtare të Bashkimit Europian». Marrëveshjet dypalëshe mbi sigurimet shoqërore i lejojnë punëtorëve që kanë periudha kontributesh në vende të ndryshme të mund të përfitojnë pension në vendin që zgjedhin.

Shqipëria ka aktualisht marrëveshje të tilla me disa vende si Belgjika, Rumania, Hungaria e Gjermania ndërsa gjendet në bisedime me disa vende të rëndësishme, përfshirë Italinë dhe Greqinë.

Bujqësia dhe Zhvillimi Rural është fusha tjetër ku Shqipëria gjendet «në hapat e para» por për këtë fushë, Komisioni Europian ka vlerësuar ndryshimet e vitit të shkuar si «Shumë Progres». Sipas Komisionit, ndryshimi pozitiv qëndron te fuqizimi i kapacitetit të Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor si dhe ndërtimit të Zyrës Kombëtare të Oficerit të Autorizimit dhe Fondit Kombëtar në përgatitje për t’ besuar këtyre institucioneve detyrat për zbatimin e buxhetit për Asistencën e Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural (IPARD). Paketa IPARD për t’i besuar zbatimin e buxhetit është finalizuar dhe dorëzuar në Komisionin Europian më 20 shtator 2016 dhe aktualisht po vlerësohet nga Brukseli. Detyrat për Shqipërinë në këtë fushë janë që të fillojë zbatimin e IPARD dhe të krijojë një regjistër bujqësor e një regjistër të kafshëve si pjesë integrale e sistemit të ardhshëm të administrimit dhe kontrollit.

Peshkimi është fusha tjetër ku Shqipëria konsiderohet në hapat e parë, por ndryshe nga bujqësia, Komisioni Europian nuk ka vërejtur progres gjatë vitit të fundit. Në këtë fushë, Shqipëria është ende në fazën kur duhet të përkthejë dhe miratojë ligjet në përputhje me direktivat e BE-së. Sipas raportit, Departamenti i Peshkikit nuk ka staf të mjaftueshëm dhe të kualifikuar për kontrollimin dhe eliminimin e peshkimit ilegal ndërsa numri i inspektorëve ka rënë nga 24 vetë në vitin 2013 në 18 vetë në vitin 2015.

Kërkimi Shkencor konsiderohet gjithashtu si «në hapat e para» dhe progresi gjatë vitit të fundit konsiderohet i dobët. Shqipëria duhet ende të miratojë një strategji gjithëpërfshirëse për kërkimin dhe inovacionin si dhe të ndërkojë kapacitete e të rrisë investimet në kërkim shkencor në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga Fusha Europiane e Kërkimit.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është përgjegjëse për plotësimin e këtij kushti të integrimit por puna e saj gjatë 12 muajve të fundit është vlerësuar me notën zero nga Brukseli.

Notë të keqe mori edhe sektori Mbrojtja e Shëndetit dhe e Konsumatorit, ku përfshihen shëndetësia dhe mbrojtja konsumatore. Përveçse e vlerësoi Shqipërinë si vend në «hapat fillestarë» në arritjen e standardeve europiane në këtë fushë, raporti vëren se progresi gjatë vitit të fundit ka qenë i paktë.

Mbrojtja e konsumatorit përfshin një fushë të gjerë, nga garantimi i produkteve te cilësia e kontratave mes konsumatorëve dhe ofruesve të mallrave dhe shërbimeve, për të cilat Shqipëria dukshëm nuk ka vepruar. Raporti vëren se Shqipëria ende nuk ka transpozuar rregullat europiane në këtë fushë ndërsa ka organizuar dy fushata ndërgjegjësimi mbi të drejtat e konsumatorëve në distancë (e-consumers).

Raporti kritikoi gjithashtu ligjin mbi Barnat, i cili është ndryshuar disa herë nga qeveria aktuale dhe që nga Komisioni Europian konsiderohet si «jo tërësisht në përputhje me acquis», pra me rregullat e përbashkëta Europiane. Shqipëria ka ende shumë ligje për të miratuar në fushën e shëndetit publik ndërsa raporti nënvijëzon se vetëm 57 për qind e regjistrimeve të vdekjeve të fëmijëve janë «të plota» dhe kjo sugjeron se ka nevojë për shumë përpjekje që statistikat e shëndetësisë të hartohen me cilësinë e kërkuar në Bashkimin Europian.

Koncesionet si ai i Check Up Falas dukshëm nuk kanë bindur Brukselin se ndonjë ndryshim pozitiv ka ndodhur në Shqipëri dhe as nuk janë përmendur fare në Raportin e Progresit.

Të gjitha fushat e tjera në të cilat Shqipëria duhet të punojë për të arritur integrimin, klasifikohen si «në nivel të ulët përgatitjeje», apo në «nivel mesatar».

Funksionimi i Drejtësisë është nga të paktat fusha ku ka ndryshuar statusi i vlerësimin nga «hapa të para» në «nivel i ulët përgatitjeje», kjo për shkak të miratimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi.

Lufta kundër Korrupsionit konsiderohet «nivel i ulët përgatitjeje» dhe pavarësisht se çfarë pretendon qeveria, përpjekjet e saj gjatë vitit të fundit konsiderohen si «pak progres».

Brukseli ka vlerësuar pozitivisht gjatë vitit të fundit disa elementë si miratimin e ligjit «për Sinjalizuesit» apo krijimit të aksesit te regjistrat publikë për prokurorët dhe policinë. «Gjithsesi, korrupsioni vijon të mbetet i gjithëpërhapur në shumë fusha dhe vijon të jetë një problem serioz», thuhet në raport.

Në raport gjykohet se puna e dobët e prokurorisë, veçanërisht në hetimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet e administratës publike është problemi kryesor. Sipas Komisionit, Shqipëria duhet të demonstrojë progres të mëtejshëm në themelimin e një historie të shëndoshë të hetimit, akuzimit dhe dënimit në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet si dhe duhet të japë prova se është e gatshme dhe në gjendje të sekuestrojë asetet e krijuara përmes korrupsionit. Shqipëria, thuhet në raport, duhet të ndryshojë ligjin mbi financimin e partive politike dhe të themelojë një sistem të shëndetshëm të auditimit të financave të partive.

E vetmja fushë ku Shqipëria konsiderohet se ka nivel të mirë përgatitjeje është Politika e Jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.

Problem me Prokurimet Publike

Prokurimet publike janë një nga fushat e pakta që kanë marrë notën «zero progres» në krahasim me vitin e kaluar ndërsa Brukseli ka bërë për dy vite rresht kritika të ashpra në lidhje me metodën e parapëlqyer të qeverive shqiptare gjatë dekadës së fundit për të dhënë bonuse deri me 10 për qind për propozimet e pakërkuara për koncesione. Brukseli ka kritika veçanërisht për shkak se disa koncesione, të cilat kanë kosto mbi buxhetin e shtetit, nuk kanë transparencë, ndërsa lavdëroi ndryshimet në ligjin organik të buxhetit të shtetit, i cili ngarkoi Ministrinë e Financave për mbikëqyrjen e këtyre llojeve të koncesioneve, të tilla si Dializa, Check – Up falas, skaneri doganor e të tjera, të cilat financohen drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit.

Raporti nënvijëzon rritjen e shpejtë nën qeverisjen aktuale të numrit të prokurimeve publike me procedurë me negocim pa publikim paraprak, një hapësirë ligjore që duhet të përdoret vetëm në raste ekstreme por që po përdoret pothuajse rregullisht nga institucionet publike aktuale.

(reporter.al: http://www.reporter.al/shume-pak-progres-dhe-pak-te-pergatitur-per-integrimin/)