Shtypi zviceran në tetor 1997: «Në Kosovë po rebelohet një gjeneratë, e cila nuk ka ardhmëri»

Si raportonin mediat zvicerane mbi protestat studentore në Prishtinë më 1 tetor 1997? Dhe çfarë i thoshte gazetës «Basler Zeitung» studenti i drejtësisë Ilir Dugolli?

Foto: Shutterstock



Protestat studentore të 1 tetorit në Prishtinë bënë jehonë edhe në botën perëndimore. Shumë gazeta kishin dërguar korrespondentët e tyre në kryeqytetin e Kosovës, e cila atëbotë përshkruhej si «krahinë serbe me shumicë shqiptare». Protestat më të fuqishme kundër represionit serb që nga heqja e autonomisë së Kosovës atëbotë ia bënë të qartë diplomacisë perëndimore se paqja mbytëse në Kosovë nuk do të vazhdonte më.

Gazeta «Basler Zeitung» shkruante më 2 tetor 1997, një ditë pas protestave, se «në Kosovë po rebelohet një gjeneratë, e cila nuk ka ardhmëri». Korrespondenti i kësaj gazeta atëbotë citonte Ilir Dugollin, një student 21-vjeçar të drejtësisë, i cili qëndronte para murit të policëve serbë: «Këto fytyra i shohim çdo ditë». Në vitin 1997 me gjasë as Ilir Dugolli dhe as korrespondenti i «Basler Zeitung» nuk e kishin menduar se 11 vite më vonë do të takoheshin në Bruksel në role krejt të tjera: Dugolli ambasador i Republikës së Kosovës dhe gazetari që e kishte intervistuar më 1997 tani raportonte nga Brukseli për gazetën zvicerane «Tages Anzeiger».

«Serbët nuk na pranojnë si njerëz. Është obligim yni të kemi qëndrimin tonë», citohej Dugolli nga gazeta e Baselit. Regjimi serb kishte sjellë në qytet edhe 400 policë ushtarakë, ndërsa gazeta «Blic» raportonte se në Prishtinë janë transportuar ngarkesa të mëdha me gaz lotsjellës.

«Rinia shqiptare po e humb durimin. Një gjeneratë e tërë po lufton për të ardhmen e vet. Çdo i dyti shqiptar i Kosovës është nën 25 vjet. Ilir Dugolli e ka parasysh fati e babait të tij, i cili, si të gjithë shqiptarët, u dëbua nga puna më 1997 në një minierë të afërt», shkruante «Basler Zeitung». Kjo e përditshme citonte botuesin e «Kohës Ditore» Veton Surroi, i cili thoshte se lideri i atëhershëm i Kosovës Ibrahim Rugova më mirë e dinte çfarë po ndodhë në Bruksel dhe Washington se në rrugët e Prishtinës. «Basler Zeitung» raportonte për rënien e autoritetit të Rugovës sidomos te të rinjtë. Një vit më herët, më 1996, Rugova kishte nënshkruar një marrëveshje me liderin serb Slobodan Millosheviq për kthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet shkollore. «Që nga atëherë nuk ka ndodhur asgjë», shkruante «Basler Zeitung».

Gazeta «Neue Zürcher Zeitung» raportonte me një ton më të distancuar, duke theksuar se me ndërhyrjen e ashpër kundër demonstratës së studentëve në Prishtinë regjimi i Millosheviqit me gjasë synonte të bllokonte menjëherë përhapjen e protestave. «Neue Zürcher Zeitung» shkruante se në fund të shtatorit 1997 në New York ishte takuar Grupi i Kontaktit për Bosnjën dhe për herë të parë ishte prononcuar edhe në lidhje me Kosovën: «Nuk e përkrahim pavarësinë (për Kosovën), por ne nuk e përkrahim as ruajtjen e status kuosë. Përkrahim një status të veçantë të Kosovës në ish-republikën e Jugosllavisë».

«Me gaz lotsjellës në vend të argumenteve» – me këtë titull gazeta «Tages Anzeiger» sillte një raport të korrespondentit të saj që gjendej në Prishtinë. «Veprimi brutal i policisë serbe kundër studentëve ka ngritur edhe më shumë tensionet në Kosovë dhe u ka dhënë krahë atyre forcave që nuk besojnë në zgjidhjen paqësore të konfliktit. Andaj, është për të dyshuar që Rugova do të ketë sukses në radhët e tij me apele për qetësi».
E.R.