Shtypësit bëhen gati për dhjetëmijë vjet…

...por populli i Kosovës duhet t’ia vë prangat nesër kësaj bande kriminale. Sepse vdekja misterioze e Astrit Deharit na tregon sërish se çdo qytetar mund të humbë jetën nëse - me urdhër shtetëror - gjendet në duart e hajdutëve vrastarë që për çdo ditë po e shesin lirinë, pavarësinë dhe Kosovën për interesat e tyre private dhe kriminale.

Si në poezinë e Brechtit shtypësit bëhen gati për dhjetëmijë vjet, por populli i Kosovës duhet t’ia vë prangat nesër kësaj bande kriminale. Sepse vdekja misterioze e Astrit Deharit na tregon sërish se çdo qytetar mund të humbë jetën nëse - me urdhër shtetëror - gjendet në duart e hajdutëve vrastarë që për çdo ditë po e shesin lirinë, pavarësinë dhe Kosovën për interesat e tyre private dhe kriminale.

Janë disa situata bizare, absurde, groteske, por edhe pafundësisht të dhimbshme, të cilat s’mund të merren me mend as në ëndrrat më të këqija. Të hënën në mbrëmje një grusht shqiptarësh u mblodhën para Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zürich, diku në periferi të qytetit, për të ndezur qirinj në kujtim të Astrit Deharit, që vdiq në burgun e Prizrenit në rrethana ende të paqarta, përkundër sqarimeve fillestare të mjekëve se ai u nda nga jeta si pasojë e asfiksisë, pra pengesave në frymëmarrje.

Avni Dehari, babai i Astritit, as në ëndrrat më të këqija nuk e ka marrë me mend se do të vijë kjo ditë e kobshme, kur dikur, në vitet ’80 dhe ’90, ishte në rendin e parë të shqiptarëve që protestonin para Konsullatës së Jugosllavisë në Zürich, para Ambasadës së Beogradit në Bernë, para përfaqësisë jugosllave në Gjenevë, aty ku gjendet selia europiane e OKB-së.

Erdhi dita që shqiptarët të ndezin qirinj për të birin e Avni Deharit, por jo para Konsullatës së Serbisë, por para asaj të Kosovës. Të Kosovës që nominalisht qeveriset nga shqiptarët. Ishin shqiptarë, zyrtarë shteti, ata që pas vdekjes misterioze të Astrit Deharit, dhanë dhjetëra deklarata kundërthënëse, ku u shqua veçanërisht për së keqi drejtori i policisë në Prizren, i cili ka qenë i suspenduar nga puna për shkelje të rënda të rregullave të punës. Por «krahu i fortë» e ktheu sërish në punë, aty ku ishte. Dhe nga aty drejtori tha se Astrit Dehari vdiq nga përdorimi apo keqpërdorimi i ilaçeve, ndërkohë që mjekët dhe prokurorët, pas autopsisë, pohojnë krejt diçka tjetër – asfiksi.

Kujt t’i besohet? Drejtorit të policisë? Prokurorit? Shefit të burgut? Askujt! Sepse shtetit ia kanë humbur kuptimin dy partitë e mëdha, njëra me dhunë e krime, tjetra jo vetëm me oportunizëm. Krim më të madh ndaj këtij vendi ka bërë vetëm regjimi i Slobodan Millosheviqit. T’i humbet kuptimi shtetit ende pa u bërë 10 vjet nga shpallja e pavarësisë – këtë mund ta bëjnë vetëm kriminelët e regjur që pushtetin e morën me vjedhje votash, me vrasje, me blerje «gazetarësh» dhe «analistësh», që 24 orë pandërprerë përpiqen të manipulojnë publikun, dhe me ndihmën e diplomatëve cinikë, që Kosovën vazhdojnë ta shohin si poligon për lojëra politike të denja për kopshtin zoologjik.

Këto nuk ka mundur t’i marrë me mend Avni Dehari në vitet ’80 kur angazhohej aq sa kishte kapacitet për të kundërshtuar represionin serb në Kosovë dhe në Maqedoni, atje ku regjimi i Shkupit kishte kryer ato krime që më vonë do t’i testonte Beogradi në Kosovë: përjashtim të nxënësve shqiptarë nga shkollat, ndalim të gjuhës, terror fizik dhe psikologjik ndaj shtresës të vetëdijshme politike. Do të ishte e padrejtë që sot t’i thuhet Avni Deharit përse vendosi të kthehej në Kosovë pas çlirimit. A nuk i njihte ai sadopak shokët e rrejshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të cilët sapo nuhatën erën e frangave, markave dhe dollarëve pështynë mbi çdo ideal? Dehari mund të bënte një jetë të qetë në Zvicër, në vendin mbase më të pasur dhe më funksional në botë. Por si për shumë shqiptarë të tjerë të Maqedonisë edhe për Avni Deharin apo Murat Jasharin (vëllain e Ismet Jasharit, luftëtarit të vrarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) Kosova ishte pikënisje dhe qendër dhe zemër e betejës për të drejta kombëtare. Dehari u kthye në Kosovë, bashkë me familjen. Nga perspektiva e sotme duhet të thuhet: paskësh qenë një sakrificë tepër e madhe për një familje, por ndoshta e dobishme për të vetëdijesuar një shoqëri se prej çfarë duarsh gjakatare po sundohet. (Të hënën ishte në Prishtinë kryeprokurori i Gjykatës Speciale, por ai nuk takoi dy krerë të shtetit: Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, sepse të dy janë nën hetime për krime të rënda. U akuzuan apo nuk u akuzuan, fakt mbetet: këta me këtë biografi politike kanë arritur të katapultohen në pozitat më të larta të shtetit dhe dy milionë shtetas të Kosovës dalin para botës me liderë të tillë).

Si në poezinë e Bertolt Brechtit edhe në Kosovë «padrejtësia sot ec me hap të sigurt. / Shtypësit bëhen gati për dhjetëmijë vjet. / Dhuna përbetohet: kështu si është do të jetë edhe më tutje. / Asnjë zë nuk dëgjohet, përveç zërit të sunduesve // Në tregje bërtet shfrytëzimi: tek tani po ia filloj unë. / Shumë të shtypur tash thonë: / Çfarë duam ne nuk bëhet dot. // Kush është gjallë ende të mos thotë: kurrë! / E sigurta nuk është e sigurt. / Kështu si është nuk do të jetë. / Pasi kanë folur sundimtarët / Do të flasin të sunduarit. / Kush guxon të thotë: kurrë? / Prej kujt varet që shtypja vazhdon? Prej nesh. / Prej kujt varet që ajo shkatërrohet? Prej nesh. / Kush mposhtet – të çohet në këmbë! / Kush ka humbur – të luftojë! / Kush e ka kuptuar gjendjen e tij athua si mund të ndalet? / Sepse të mposhturit e sotëm janë ngadhënjimtarët e nesërm / Dhe kurrë shndërrohet në sot!»

Si në poezinë e Brechtit shtypësit bëhen gati për dhjetëmijë vjet, por populli i Kosovës duhet t’ia vë prangat nesër kësaj bande kriminale. Sepse vdekja misterioze e Astrit Deharit na tregon sërish se çdo qytetar mund të humbë jetën nëse – me urdhër shtetëror – gjendet në duart e hajdutëve vrastarë që për çdo ditë po e shesin lirinë, pavarësinë dhe Kosovën për interesat e tyre private dhe kriminale.