Shtrati i lumit Mirusha do të kthehet në shëtitore

Komuna e Gjilanit është duke planifikuar që të mbulojë segmentin e lumit të Mirushës, që gjendet në qendër të qytetit në drejtim të Lagjes së Balecit, ku rreth 1.5 kilometra do të shndërrohen në shëtitore për qytetarët.




Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, vlerëson se autoritetet komunale janë duke u munduar që të rregullojnë infrastrukturën bazike të qytetit, ku gjatë reshjeve të shiut në shumë pjesë të qytetit kishte vërshime si pasojë e sistemit të dobët të gypave, shkruan sot «Koha Ditore».

«Ne jemi në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës për lumin Mirusha, mirëpo nga viti 2016 i tërë projekti do të kalojë në kompetencë të Komunës së Gjilanit. Do të ndahet një kod i veçantë për lumin Mirusha me buxhetin e vitit 2016 kur të votohet në Parlamentin e Kosovës, atëherë edhe mjetet tona prej 600 mijë eurosh të Komunës së Gjilanit do të ndahen për lumin Mirusha. Ne presim që këto ditë të fillojmë me segmentin e parë nga qendra e qytetit deri tek ura e Balecit që të bëjmë mbulimin e lumit», ka thënë Kadriu.