Shtohen hyrjet me pasaporta të falsifikuara në Zvicër

Janë kryesisht qytetarë të shteteve të ashtuquajtura të treta të cilët provojnë të rregullojnë letra qëndrimi në Zvicër me dokumenta të falsifikuara të UE-së.

Foto: FotograFFF / Shutterstock.com

Gjithnjë e më shumë ente emigracioni dhe shërbime të tjera publike lajmërojnë se gjithnjë e më shumë shtetas të vendeve të treta, jashtë UE-së, po deklarohen si qytetarë të kësaj të fundit. Ata tregojnë pasaporta të falsifikuara si dhe kontrata pune e banimi për të fituar leje qëndrimi në Zvicër, raporton Neue Zürcher Zeitung. Vetëm qyteti i Bernës vitin e kaluar ka zbuluar ndërmjet 80 dhe 90 rasteve të tilla. Dhe, në shumicën e këtyre rasteve flitej për qytetarë nga vende të treta, për të cilët lypset vizë hyrjeje dhe qëndrimi në Zvicër, ka delklaraur shefi i policisë së qytetit dhe shërbimeve qytetare të Bernës. Këtu ndër të tjera bëjnë pjesë qytetarët e Kosovës, Turqisë dhe Rusisë.

Enti për Emigracion i kantonit të Bernës konstaton një rritje të numrit të shtetasve turq dhe të shqiptarëve etnikë të cilët dëshirojnë të sistemohen në Zvicër me karata të falsifikuara identiteti italiane. Kurse kantoni i Luzernës ka lajmëruar disa qytetarë nga vende të treta, të cilët kanë aplikuar për leje qëndrimi zvicerane me dokumenta të falsifikuara sllovene. Tani federata për shkak të këtyre rasteve ka filluar një fushatë informimi. ks