Shtohen metoda të reja të kontrabandës me naftë




Kontrabanda me derivate të naftës ka ndërruar formë.

 

Pjesa më e madhe e saj tashmë po bëhet brenda territorit të vendit, raporton KTV.

Rasti më i freskët është kjo video gjatë një aksioni të doganës në Mitrovicë.

Poseduesit e këtij kamioni e kanë mbuluar kazanin e improvizuar me derivate me pjesë të drunjve, për të mos u vërejtur se çka në fakt ka ky kamion.

Nga janari i këtij viti deri në gusht, ekipet e doganës kanë pasur 7 raste të zënies së kontrabandës së derivateve që arrijnë në 30 mijë litra.

Drejtuesit e njërit nga laboratorët në kryeqytet, që merret me kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës, thonë se përpos kualitetit të dobët të derivateve të kontrabanduara, hiç më i mirë nuk është as ai që shitet brenda territorit.

Jakup Gashi nga Laboratori «Sierra Lab» ka thënë se situatën nuk do ta zgjidhë as vendimi i fundit i Qeverisë për blerje të laboratorit mobil.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me inspektoratin e tregut në Ministrinë e Tregtisë, por askush nga ta nuk është përgjigjur.