Shtimja rregullon infrastrukturën te «Pishat»

Këtë muaj ka nisur faza e dytë për rregullimin e infrastrukturës të vendi Pishat e Shtimes.




Sipas mbikëqyrësit të këtij projekti, Fatmir Rexhepi, përgjegjës i sektorit për ndërtim në Drejtorinë për Planifikim Urban, vlera e këtij projekti është 24.150 euro, i cili financohet nga buxheti i Komunës së Shtimes, raporton korrespodenti i Koha Ditore. Ai ka thënë se do të ndërtohet me zhavor staza për këmbësorë në gjatësi prej 550 metrash, e cila do të jetë e gjerë 2 dhe 3 metra.

Po ashtu Rexhepi ka bërë të ditur se do të vendosen përreth dhe brenda pishave 10 ulëse për vizitorë, ndërkaq në rrugën «Tahir Sinani», nga shkolla fillore «Emin Duraku» deri te rrethrrotullimi në Belinc, do të vendosen 26 shtylla metalike për ndriçim publik, transmeton Koha.net.

Kohëzgjatja e punimeve, sipas kontratës, është 120 ditë pune, kështu që brenda këtij viti do të përfundojnë punimet.