Shteti merr nën mbrojtje NEWBORN-in

Prishtinë, 15 tetor - Fisnik Ismaili dhe askush tjetër nuk do të mund të marrin më iniciativa krye më vete për ngjyrosjen e obeliskut NEWBORN.




Tash e tutje, për çdo ndërhyje në obeliskun që prej 17 shkurtit të 2008-s zë vend para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duhet të merret leje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Krejt kjo pasi obelisku i zbuluar në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës tashmë është monument të cilin e mbron shteti, shkruan sot «Koha Ditore».

NEWBORN-i është përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Ka statusin e të gjitha pasurive, shkatërrimi dhe demolimi i të cilave, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, dënohet prej 1 mijë deri në 500 mijë euro, e me Kod Penal cilësohet si vepër penale.

Në Listën së cilës i zgjatet afati për nga një vit tash e katër herë, obelisku mban numrin rendor 931. Deri në kohën kur ishte Shpallur Pavarësia, shteti konsideronte si monumente 930 asete. Sipas Listës, NEWBORN-i është aseti i parë i regjistruar pas Shpalljes së Pavarësisë.