Shteti i Tarzanit

Sulmi ndaj shefit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dukej si yrnek filmash mafiozë. Sot në Prishtinë nuk u vra askush. Por si po ecin punët as tmerre të tilla nuk mund të përjashtohen. Sepse me Kosovën ka ndodhur ajo që nuk e kemi parë as në ëndrrat më të llahtarshme: mafia ka arritur të ketë shtetin e vet. Çdo njeri normal tani e ka vështirë të shikojë në të kaluarën – gjithë ata njerëz që u vranë e u masakruan për një shtet tjetër, funksional e demokratik, gjithë ata fëmijë që u prenë dhe gjymtuan, gjithë ato gra që u dhunuan dhe stigmatizuan. Për çka? Që Kosova të bëhet shtet i Tarzanit?



A ka emër «Tarkani», pra ky polici që po dyshohet të jetë i përfshirë në sulmin ndaj shefit të Postës dhe Telekomit të Kosovës? Mënyra se si po i drejtohet atij vetëm me nofkë jo vetëm drejtori i Postës dhe Telekomit disi po e lë «shijen» e filmave mafiozë. Kësisoj, dalëngadalë Prishtina po bëhet si Beogradi i viteve ’90, kur nëntoka u bë shtetërore dhe shteti nëntokë. Edhe atje heronjtë e nëntokës dhe heronjtë e policisë më shumë njiheshin me nofkat e tyre – një koleksion emrash të shtazëve nga safari afrikan – se sa me emrat e vërtetë.

Në vitet ’90 në Prishtinë një polic serb mund të ndalte çdokënd në rrugë, ta keqtrajtonte, ta plaçkiste dhe të mos jepte fare llogari. Kjo çfarë ndodhi sot në Prishtinë dukej si yrnek i marrë nga ato kohëra të errëta. Tani është me rëndësi të dihet se çka i ka paraprirë kësaj ngjarjeje dhe kush çfarë roli ka luajtur. Sidoqoftë, asgjë e madhe nuk do të ndodhë. Hetimet do të zhvillohen, por pa pasoja serioze dhe të duhura. Drejtori i policisë do të vazhdojë të krekoset «me sukseset» e trupës së tij. Nëse kritikat shtohen, ai mund të tund pasaportën e tij të re – ishte pajisur në Tiranë me pasaportë shqiptare. Ajo është edhe licencë për dokrra patriotike. Kështu jetohet më mirë e më ëmbël me krimin e organizuar që ka ndërtuar strofujt e vet në zemrën e policisë së Kosovës. Kështu drejtori i Policisë mund të udhëtojë pa vizë në zonën e Schengenit.

Pastaj ka njerëz që habiten përse u vodhën dhjetëra kilogramë drogë në Dhomën e Dëshmive? Pastaj ka njerëz që pyesin: përse nuk po liberalizohen vizat? Pastaj ka njerëz që pyesin përse te ne ka aq shumë korrupsion e krim? Pastaj ka njerëz (sidomos turbopolitikanë) që ankohen se «këta të huajt po na trajtojnë keq»? Çfarë keni pritur: t’ju trajtojnë si përfaqësues të një shteti serioz? Pastaj organizohen, sidomos kohëve të fundit, vajtime kolektive të «mbrojtësve të vlerave të luftës» kundër Gjykatës Speciale? Vërtet, a beson dikush që me policë të tillë garantohet mbrojtja e dëshmitarëve, ruajtja e të dhënave, trajtimi me respekt i viktimave, sidomos kur janë pjesëtarë të pakicave etnike?

Në librin e saj «Mafia» autorja gjermane Petra Reski shkruan: «Një mafiozi nuk i vjen vështirë të vrasë. Së paku jo më vështirë se një ushtari. Nëse Italia do të fillonte një luftë me një vend tjetër dhe një ushtar italian do t’i vriste pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë armiq, atëherë ushtarin nuk do ta konsideronin kriminel, por do ta nderonin si hero të luftës. Thonë mafiozët. Sepse ata e definojnë veten si ushtarë, të cilët kurrë nuk vrasin për arsye personale, por për shtetin e tyre dhe popullin e tyre. Ajo që për botën është organizatë kriminale, për mafiozët është një shoqëri, një shtet, një popull. Andaj mafiozi nuk ka ndërgjegje të vrarë nëse vret dikë. Atij i intereson vetëm gjykimi i popullit të tij, jo i të huajve. Ashtu si një ushtari, i cili gjendet në luftë dhe nuk ka ndjenja fajësie».

Sot në Prishtinë nuk u vra askush. Por si po ecin punët as tmerre të tilla nuk mund të përjashtohen. Sepse me Kosovën ka ndodhur ajo që nuk e kemi parë as në ëndrrat më të llahtarshme: mafia ka arritur të ketë shtetin e vet. Çdo njeri normal tani e ka vështirë të shikojë në të kaluarën – gjithë ata njerëz që u vranë e u masakruan për një shtet tjetër, funksional e demokratik, gjithë ata fëmijë që u prenë dhe gjymtuan, gjithë ato gra që u dhunuan dhe stigmatizuan. Për çka? Që Kosova të bëhet shtet i Tarzanit?