Shteti i shndërruar në kreaturë dëshpërimi

Agim Sopi u lind më 23 korrik të vitit 1956. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve Dramatike, Degën e regjisë së filmit artistik (bachelor dhe master) në Universitetin e Zagrebit. Nga viti 1981 merret me punë profesionale në teatër, film dhe televizion. Është autor i filmave artistikë «Njeriu prej dheu», «Anatema» dhe «Agnus Dei».




Po ashtu, është autor i disa filmave dhe dramave televizive. Filmat e tij kanë qenë pjesë e më shumë se 150 festivaleve ndërkombëtare dhe janë shpërblyer me më shumë se 50 çmime kinematografike.

Sopi, është themelues i shtëpisë filmike «AS Film Production» në Prishtinë. Paralelisht me punën në film, Sopi ka realizuar rreth tridhjetë shfaqje në teatrot e ndryshme profesioniste (Zagreb, Prishtinë, Shkup, Tiranë).

Aktualisht, është ligjërues me kontratë i teorisë dhe i historisë së filmit në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Prishtinës «Hasan Prishtina».

Sopi është personazhi i kësaj jave që flet në rubrikën «7 Shkronjat» në «E diela me Koha Ditore».

Dhurata. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe «Evropa shtrigë e vjetër» në fundshekullin XX u dhuruan shqiptarëve shtetin e ëndërruar të Kosovës. Por, «baballarët shqiptarë», të cilëve u ra hise që ta pranonin këtë dhuratë, «burrat e zgjedhur që po shkruanin historinë» e që tërhiqnin rrënjët nga fshatarësia e thellë marksiste-leniniste dhe titiste, në universitetet që sapo kishin krijuar me qëllim që background-in e tyre prej barinjve ta pajisnin me diploma universitare, kishin mësuar leksionin e parë në formë proverbi: «Mos u besoni danajve, edhe kur ata ju sjellin dhurata».

Dhe kështu kishte filluar zhbërja e shtetit të dhuruar që nga dita e parë e lindjes. Në fillim ishte vjedhur milioni i parë në emër të «festës së pavarësisë». Pastaj gjithçka që kishte pasur vlerë. S’kishin lënë pronë pa uzurpuar e s’kishin lënë gurë pa rrotulluar këta «baballarë», derisa shtetin e ëndërruar të kosovarëve e kishin shndërruar në kreaturë dëshpërimi. Flitet se në të ardhmen do të na i vjedhin edhe gurtë e varreve, edhe shenjat e mbamendjes se kemi ekzistuar ndonjëherë.