Shteti i Kosovës është shumë më i rëndësishëm se çehrja e Hashim Thaçit

Hallet e Hashim Thaçit dhe vartësve të tij nuk janë halle të Kosovës. Rrjedhimisht, Prishtina duhet të koordinohet me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në lidhur me krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

H. Thaçi. Foto: Alex Majoli / Magnum / New Yorker



Ja ku na çojnë politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës si puna e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Hapat e tyre për të themeluar Ushtrinë e Kosovës për interesat e tyre private dhe parapolitike, nxitën një sërë reagimesh. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se nismat thaçoveseliane janë të njëanshme dhe të padobishme. «Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e tyre. (…) Megjithëkëtë, nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, do t’i duhet NATO-s që ta vlerësojë nivelin e përkushtimit të saj, posaçërisht në fushën e ndërtimit të kapaciteteve», deklaroi Stoltenberg. Pothuaj ngjashëm u deklarua edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Shuplaka e menjëhershme që morën Thaçi dhe Veseli nga partnerët jetikë të Kosovës, tregon se nisma e tyre ishte diletante, e papërgjegjshme, aventuriere, absurde. Ja ku na çojnë politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës: NATO që ka bombarduar Serbinë për të çliruar Kosovën mban qëndrim kundërshtues ndaj kësaj përpjekjeje për krijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe kryeministri serb shtiret se për pak i kanë shpëtuar lotët kur shefi i NATO i paskësh thënë se Aleanca Veriatlantike nuk mbështet nismën e Thaçit dhe Veselit.

Ndërsa Veseli ishte i zënë gjatë ditës me prezantimin e spotit të tij më të ri, Thaçi doli para mediave në mbrëmje për të luajtur rolin e «të fortit» që nuk dëgjon çfarë thotë NATO dhe Amerika. Me çehre të ngrysur, i çorientuar, i pasigurt në lexim, Thaçi u përbetua se nuk ka kthim prapa, se Kosova do të ketë ushtri. Askush nga gati dy milionë shqiptarët e Kosovës nuk e mohon domosdoshmërinë që Republika të ketë ushtrinë e vet, por dy milionë shqiptarë kanë të drejtë të dyshojnë në motivet e Thaçit dhe kamarillës së tij. Hallet e Hashim Thaçit dhe vartësve të tij nuk janë halle të Kosovës. Rrjedhimisht, Kosova duhet të koordinohet me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në lidhur me krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Sepse shteti i Kosovës është shumë më i rëndësishëm se çehrja e Hashim Thaçit.

Nëse gjithë këtë tollovi Thaçi e shkakton për shkak se mund të ketë marrë vesh se nuk përjashtohet mundësia që të jetë njëri nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale, atëherë ai duhet ta marrë shembull Ramush Haradinajn dhe të mos e ngatërrojë fatin e dy milionë qytetarëve me njollat që mund t’i ketë në biografinë e tij politike. E njëjta vlen edhe për kryetarin e Kuvendit me zë adoleshenti dhe ambicie për t’u bërë sundimtar absolut i Kosovës. Sjellja në ditët e fundit e këtij dueti politik aq të papërgjegjshëm tregon se kur bëhet fjalë për pushtetin e tyre, ata s’njohin asnjë rregull.

Çfarë i kanë bërë LDK-së këto ditë është jo më pak se një dhunim publik para një populli spektator. Edhe njëherë u dëshmua se kush bën koalicion me këtë strukturë të PDK-së, do të paguajë një çmim të shtrenjtë: humbjen e çdo kredibiliteti para elektoratit. Në këtë situatë ndodhet sot LDK e Isa Mustafës. Çfarë i mbetet sot kësaj partie? Të pranojë se partneri po e hedh në bërllok si të panevojshme? T’i nënshtrohet procesit zgjedhor me imazhin e partisë-patericë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit? Apo të tentojë që me një lidership të ri të rindërtojë urat ndaj partive të tjera opozitare për krijimin e një fronti të përbashkët për të larguar nga pushteti dhe pastaj për të luftuar strukturat parapolitike të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit?

Që kjo të jetë e mundshme, duhet gjithsesi që Lëvizja Vetëvendosje të bëhet partner serioz i LDK-së. VV s’po ka asnjë problem të bëjë koalicion me ndonjë emisar të Kremlinit dhe të Dedinjës të kohës Slobodan Millosheviqit, por njëkohësisht po nxiton ta barazojë LDK-në me armiqtë e përbetuar të Kosovës. Viti 2017 ndoshta nuk do të jetë fundi, por mund të jetë fillimi i fundit të sundimit të kësaj strukture të PDK-së. Çdo boshllëk pushteti Kosova do ta paguajë shtrenjtë. Rrjedhimisht, ata që e duan një shtet funksional duhet të tejkalojnë egot e tyre. Thaçi dhe Veseli kanë hallet e tyre tani për tani. Gajlet e tyre nuk duhet të jenë brenga të qytetarëve të Kosovës.