Shtetet e Ballkanit dështuan me pronat e konfiskuara të Holokaustit

Bosnja dhe Hercegovina nuk ka arritur të përmbush një deklaratë ndërkombëtare mbi rikthimin e pronës së konfiskuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa vende të tjera të Ballkanit nuk i kanë realizuar plotësisht angazhimet e tyre.

Një sinagogë e shkatërruar në Berlin. Foto: Qendra për Historinë Hebreje, Nju Jork.



Disa shtete të Ballkanit nuk kanë arritur të zbatojnë legjislacionin që siguron kthimin e pronës që u është marrë viktimave të Holokaustit, me Bosnjën dhe Hercegovinën që nuk arrin të përmbushë plotësisht deklaratën ndërkombëtare që ajo nënshkroi, tha një raport i botuar të hënën.

Studimi për Rikthimin e Pronave të Paluajtshme të Holokaustit (Shoah) përmend vendet që nuk kanë miratuar legjislacionin për të siguruar pajtueshmëri me Deklaratën Terezin të vitit 2009.

Deklarata, e nënshkruar nga 46 shtete, përcakton angazhime për të siguruar kthimin e pronës së marrë gjatë Holokaustit dhe ka marrë emrin e vendit të një kampi përqendrimi nazist në Republikën Çeke.

Por pavarësisht kësaj, shumë çështje të Holokaustit që kanë lidhje me pronën mbeten të pazgjidhura në ish-shtetet komuniste, sipas raportit, i cili u hartua nga Instituti Europian i Trashëgimisë Shoah, një organizatë me qendër në Pragë e krijuar për të monitoruar pajtueshmërinë me Deklaratën Terezin.

Raporti thotë se disa shtete «në thelb i janë përmbajtur Deklaratës së Terezinit», disa pjesërisht, por Bosnja dhe Hercegovina dhe Polonia nuk e kanë bërë këtë.

«Polonia dhe Bosnja e Hercegovina qëndrojnë vetëm si të vetmet vende që nuk kanë arritur të krijojnë një regjim të plotë të kthimit të pronës private për pronat e marra ose gjatë epokës së Holokaustit ose komunizmit ose një që të trajtojë të dyja llojet e marrjeve», thuhet në raport.

Bosnja dhe Mali i Zi përmenden si të vetmet shtete që nuk kanë arritur «të miratojnë legjislacionin e kthimit të pronës komunale që mbulon ose konfiskimet e epokës së Holokaustit ose marrjet e pronës gjatë epokës së komunizmit».

Nga vendet e Ballkanit, Kroacia dhe Maqedonia «limitojnë pretenduesit e pranueshëm në ata që janë shtetas të vendeve të tyre përkatëse».

Ligji i rikthimit i Kroacisë përfshin vetëm pasurinë e konfiskuar gjatë Jugosllavisë socialiste dhe jo pronën hebreje, serbe dhe rome të marra nga lëvizja fashiste ustashe kroate e Luftës së Dytë Botërore, shton raporti.

Çështja e pronës së pa trashëgimi nuk ka një legjislacion të përshtatshëm në një sërë shtetesh, njofton raporti.

Duke qenë se në një numër shtetesh, komunitetet hebreje dhe grupe të tjera të persekutuara pothuajse u shkatërruan plotësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e madhe e pasurive të tyre mbetën pa trashëgimtarë ligjorë, kështu që vetë shtetet u bënë trashëgimtarë të këtyre pronave.

Deklarata e Terezinit thotë se kjo pronë duhet të përdoret për të ndihmuar viktimat e Holokaustit dhe për edukimin e Holokaustit.

Bosnja, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi nuk kanë miratuar një legjislacion për pronën pa trashëgimtar, ndërsa Maqedonia, Rumania dhe Serbia i kanë miratuar ligje të tilla, thotë raporti.

Megjithatë, raporti thekson se ligji i Rumanisë për pronën pa trashëgimtar nuk është vënë kurrë plotësisht në zbatim.

Ndërsa raporti thotë se Shqipëria nuk ka miratuar ndonjë ligj në lidhje me rikthimin e pronës pa trashëgimtar, ai thekson se vetëm një familje hebreje shqiptare u dëbua dhe u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Informacione për Kosovën nuk janë përfshirë në studim.

(https://www.reporter.al/shtetet-e-ballkanit-deshtuan-me-pronat-e-konfiskuara-te-holokaustit/)