Shtetet e Ballkanit dalin mirë në raportin e Bankës Botërore

Kategorizimi më i fundit për biznesin global nga Banka Botërore i renditi vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia dhe Kosova, në rend të favorshëm. Por Bosnja, Kroacia dhe Shqipëria nuk ia dolën të futeshin në pesëdhjetëshen më të mirë.

Biznes italian në Durrës. Foto: Gëzim Kabashi.



Gjashtë vende të Ballkanit, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Rumania dhe Bullgaria, janë renditur mes 50 vendeve kryesore në botë në Raportin e Të Bërit Biznes nga Banka Botërore për vitin 2018, i cili u publikua të martën.

Maqedonia është ekonomia me performancën më të lartë në Ballkan, e renditur në vendin e 11 ndër 190 ekonomitë në mbarë botën, në aspektin e cilësisë së rregullave të biznesit.

Kosova ia doli të ishte në 10 ekonomitë më të përmirësuara për periudhën 2016-2017, duke u renditur në vendin e 40-të.

Kroacia, Shqipëria, Greqia dhe Bosnja-Hercegovina mbetën jashtë 50 vendeve më të mira në botë, duke u renditur në vendet 51, 65, 67 dhe 86.

Në publikimin për vitin 2018, raportet e «Të bërit biznes» fokusohen në fushën e reformave të dizajnuara për të krijuar vende pune. Studimi i Bankës ka dalë në përfundim se sipërmarrësit në 119 vende nga 190 gjithsej, përfituan nga përmirësime në kuadrin rregullator në vitin 2016-2017.

Në total, u dokumentuan 264 reforma rregullatore të biznesit, 53 prej të cilave në dhjetë vendet që kanë arritur përmirësimet më të mëdha: Brunei, Tajlanda, Malavi, Kosova, India, Uzbekistani, Zambi, Nigeri, Xhibuti dhe El Salvadori.

Raporti vlerëson cilësinë e rregulloreve në 11 fusha të biznesit, përfshirë hapjen e një biznesi, marrjen e lejeve të ndërtimit, ato të energjisë elektrike, regjistrimin e pronës, marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtimin jashtë kufijve, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e paaftësisë paguese.

Rregullimet e tregut të punës janë matur zakonisht, por këtë vit ato nuk u përfshinë në raport.

Kampionët kryesorë të renditjes globale këtë vit janë Zelanda e Re, Singapori dhe Danimarka. Tre vendet në fund të kategorizimit janë Venezuela, Eritrea dhe Somalia.

(https://www.reporter.al/shtetet-e-ballkanit-dalin-mire-ne-renditjen-e-te-berit-biznes/)