Shtetasi nga Maqedonia duhet ta lëshojë Zvicrën për shkak të një delikti me veturë

Pas një aksidenti automobilistik me pasojë vdekjen, Zvicra ia ka tërhequr burrit dokumentat e qëndrimit në Zvicër. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka miratuar këtë vendim.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Foto: lucarista / Shutterstock



Një shtetas i Maqedonisë, i cili në Zvicër ka ardhur si nëntëvjeçar, duhet ta lëshojë Zvicrën për shkak të një delikti me veturë. Gjykata Evropiane për të Drejatat e Njeriut ka gjetur që vendimi për tërheqjen e lejes së qëndrimit në Zvcër nuk bie ndesh me të drejtën për jetë familjare.

Shtetasi i Maqedonisë, identitetin e të cilit mediat zvicerane referuar agjencisë së tyre të lajmeve nuk e japin, në Zvicër ka ardhur në vitin 1989 në kuadër të një bashkimi familjar. Si 20 vjeçar është martuar me një bashkëatdhetare të tij, gjithashtu me qëndrim në Zvicër, me të cilën ka dy fëmijë.

Pas disa delikteve të mëhershme, në tetor të vitit 2000 shtetasi maqedonas bën një garë me veturë me një të njohur të tij. Për shkak të tejkalimit të skajshëm të shpejtësisë, ai e humbet kontrollin mbi automjetin e tij. Me këtë rast shoqëruesi i tij lëndohet aq rëndë, sa vdes pas pak në vendin e aksidentit.

Gjykata e lartë e dënon autorin e deliktit në dhjetor të vitit 2004 për akuzën e vrasjes së qëllimshme me heqje lirie prej pesë vjetësh dhe tre muajve. Më 2009 Enti i Migracionit të Kantonit të Cyrihut ia tërhoq shtetasit maqedonas lejen e qëndrimit shkrurt para përfundimit të vuajtjes së dy të tretave të dënimit. Në tetor 2010 ai e lëshon Zvicrën.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut, të publikuar të martën e 10 janarit 2017, autoritetet zvicerane në këtë rast kanë vepruar në mënyrë korrekte. Gjykata në vlerësimin e saj shënon që dëbimi i shtetsait maqedonas nga Zvicra nuk e ka pamundësuar bashkëjetesën e familjes.

Gruaja e tij 12 vjetët e para të jetës së saj i ka kaluar në Maqedoni dhe ka të afërm atje, thuhet në raportin e mediave zvicerane. Ajo e flet shqipen – vazhdon raporti – dhe e njeh vendin duke pasur parasysh kalimin e pushimeve atje.

Fëmijët e lindur më 2001, përkatësisht 2005, në vitin e dëbimit vlerësohet se kanë qenë të vegjël. Prandaj edhe është gjykuar që në rast të një zhvendosjeje në Maqedoni do të mund të integroheshin mirë atje.

Pas një vendosjeje për një kohë në Maqedoni te burri, gruaja dhe fëmijët më 2015 u kthyen përsëri në Zvicër. Në të kundërt ajo do ta kishte humbur lejen e qëndrimit në Zvciër.

Sipas Gjykatës, edhe kjo ndarje nuk përbën ndonjë problem në lidhje me të drejtën e ashtuquajtur për jetë familjare. Eksziston mundësia e qëndrimit në kontakt me bashkëshortin dhe babanë dhe e vizitës së tij. ks