Shtëpiza e tmerrit

Ditari i Krushës së Madhe (1): Gati 20 vjet pas luftës një shtëpizë në Krushë të Madhe ende qëndron si simbol i tmerrit, por pa kujdesin e shtetit të Kosovës.

Shtëpiza e tmerrit në Krushë të Madhe. Foto: Jetmir Duraku



Këtu kanë qenë Robin Cooku dhe Joschka Fischeri. Menjëherë pas luftës së Kosovës ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë shihen të veshur me kostume të bardha mbrojtëse. Robin Cook nuk jeton më, ndërsa Joschka Fischer sapo i ka mbushur 70 vjet. Para gati dy dekadave, në pranverën e vitit 1999, në Krushë të Madhe të Rahovecit forcat serbe të sigurisë vranë mbi 240 fshatarë. Ishte njëra nga masakrat më të mëdha të kryera gjatë luftës së Kosovës. Viktimat u ndaluan në pika të ndryshme të fshatit, nëpër shtëpitë e tyre, në vendet ku ishin fshehur në periferi të fshatit, në çdo cep.

Më 27 qershor 1999 gazeta zvicerane «SonntagsZeitung» citonte hetuesin britanik Michael Griffith, i cili thoshte se gjatë jetës së tij profesionale përherë ishte ballafaquar me viktima të vrasjeve, por çfarë po shihte në Krushën e Madhe ishte diçka tmerruese. Griffith dhe hetues të tjerë atëbotë hynin në një shtëpizë, ku forcat serbe kishin vrarë e djegur dhjetëra burra, shifrat sillen nga 45 në mbi 60, varësisht nga burimi. Nga aty hetuesit merrnin provat dhe i fusnin në qese të vogla – flokë apo copa rrobash. Kur gjenin një kufomë ose mbetjet e saj, hynin në atë shtëpizë dhe nga aty dilnin me një qese të zezë, e cila ishte e gjatë sa trupi i një njeriu të rritur.

19 vjet pas masakrës shtëpiza e përgjakur qëndron ende, por jo si monument i mbrojtur nga shteti. Përballë saj Shaban Duraku nga Krusha e Madhe ka rindërtuar shtëpinë, ku jeton me familjen, ndërsa shtëpiza ka mbetur e tillë si kujtim për ditën e 26 marsit, kur trupat policore serbe kryen masakrën. Në mure ende shihen vrimat e plumbave, mbi dysheme i zoti i shtëpisë thotë se ka hedhur mjaft gëlqere për të shmangur ndonjë infektim. Dora e shtetit këtu nuk shihet. Nuk ka asnjë pllakë me informacion minimal se çfarë ka ndodhur këtu. Nuk ka asnjë shenjë se kjo shtëpizë është dëshmi monumentale për krimet e Beogradit në Kosovë – krime të kryera me ndihmën e shumë serbëve lokalë.

Rreth shtëpizës dhe brenda saj sot lozin fëmijë, fare pranë është vendosur një kolovajzë. Një shtet funksional do ta konservonte këtë shtëpi, do të kujdesej që ajo të shndërrohej në një muze që dëshmon për të kaluarën, do të vendoste në hyrje të saj broshura me informata në disa gjuhë të huaja mbi historikun e masakrës, një shtet funksional do të vendoste një tabelë në rrugën Prizren-Gjakovë, e cila do të sinjalizonte rrugën drejt shtëpisë ku u ekzekutuan dhe dogjën dhjetëra civilë. Asgjë në këtë drejtim nuk është bërë. Institucionet e Kosovës vazhdojnë t’ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit, ndërsa Shaban Duraku thotë se është i zhgënjyer që nga ana e shtetit nuk është ndërmarrë asgjë për të ruajtur këtë objekt. Ndërkohë kudo në Kosovë shihen përmendore të ngritura pa gati asnjë kriter, monumente me shije të socrealizmit, madje shpesh në përpjekje e sipër për të nderuar të rënët për liri përdoret një gjuhë panevojshëm patetike.

Në vitin 1999, pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, hetuesit ndërkombëtarë thanë se serbët kishin mësuar nga Bosnja dhe i kishin vrarë viktimat në grupe të vogla me synimin që kështu t’i humbin gjurmët më lehtë. Opinioni ndërkombëtar kishte mësuar për masakrën e Krushës së Madhe në prill të vitit 1999, kur një refugjat i kishte dorëzuar BBC një videokasetë me incizime nga fshati. Aty shiheshin rrugët e fshatit të mbushura me kufoma. Shefi i atëhershëm i FBI Louis Freeh kishte deklaruar se ekipet do të kryenin në Krushë të Madhe dhe në vendbanime të tjera të Rrafshit të Dukagjinit hetimin më të madh në historinë e kriminalistikës.

Çfarë ka ndodhur që nga atëherë? Dorasit nuk janë kapur ende. Askush nga vrasësit nuk është dënuar, shumica prej tyre me gjasë jetojnë në Serbi, udhëheqësi serb Sllobodan Milloshevit ka vdekur gjatë procesit gjyqësor, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tij dhe gjeneralë serbë janë dënuar, por ndërkohë kanë vuajtur burgun dhe në Serbi shihen si heronj. Gjatë vizitës në Krushën e Madhe në qershor të vitit 1999 ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook, kishte deklaruar: «Dikush në Beograd e ka planifikuar këtë, dikush në Beograd i ka dhënë urdhrat dhe dikush në Beograd e ka koordinuar këtë. Ne nuk do t’i lëmë ata të qetë». Në mediat ndërkombëtare atëbotë citohej Selami Elshani, i mbijetuar i masakrës së Krushës së Madhe: «Zoti më ka shpëtuar në mënyrë që unë të rrëfej». Rrëfimet nuk kanë munguar deri më sot, por ato janë harruar për shkak të neglizhencës së autoriteteve të Kosovës. Nëse nuk mund të kapen vrasësit, përse së paku nuk ruhen dëshmitë, nuk ka kujdes për shtëpinë e Shaban Durakut? «Shumë na kanë premtuar, asgjë s’kanë bërë», thotë ai kur flet për pushtetarët e Kosovës, ndërsa dy fëmijët e tij qëndrojnë ulur në shkallët e shtëpisë, të cilën Duraku e ka rindërtuar pas luftës. Që nga atëherë kjo familje zgjohet dhe bie në gjumë pranë shtëpizës së tmerrit.