Shtëpia jonë

Foto: Shutterstock



Shtëpia jonë është e mallkuar, e sëmurë, ferr!
S’ka ditë të lume
që s’kullon sërish gjak nga plagët e reja,
dhe s’ka ditë të lume
që dikush nuk qan.
O, shtëpia jonë është e mallkuar, e sëmurë, ferr!

Në shtëpinë tonë njerëzit thumbohen si grerëzat e helmëta,
nëpër korridor, ku llambat e vajgurit fiken në spiralen e ndyrë,
bartin arka të kuqe.
O, sa shpirti shuhet te ne në shtëpi,
ndërsa njerëzit të dëshpëruar klithin shkallëve në spirale.

Sytë e grave të sëmura, të cilat në avull thajnë teshat,
bëhen shkrumb e hi në zjarrmi si dhëmbët e pezmatuar!
Dhe klithin shkallët e zeza, të llahtarshme,
në shtëpinë tonë njerëzit dhe gratë dashurojnë me shqetësim në shpirt.

Në pullazin e shtëpisë sonë këndon kukuvajka e zezë,
dhe zemërimet kacafyten në shpirtrat e njerëzve;
në pullazin e shtëpisë sonë vdekja këngës së saj ia thotë,
ndërsa mbi shtëpinë tonë digjet harku që shndrit si yjet.
Dhe zemërimet kacafyten,
dhe orenditë e shtëpisë shkatërrohen,
dhe njerëzit fjalosen,
ndërsa lehonat klithin.
Sërish dikur lindin shkurtabiq me skrofull
dhe martirë të rinj dalin si filiza nga sythat.
Dhe diku zukat harpa.
Ndonjë i çmendur të vdekurit e tij i vajton me ëndrra.
Dhe kjo është e tëra.

(Nga kroatishtja: E. Robelli)