Shtëpia fantazmë e Jugosllavisë në New York shitet për 12 milionë dollarë

Shtetet pasardhëse të Jugosllavisë janë pajtuar ta shesin rezidencën e ambasadorit jugosllav në New York. Kjo banesë luksoze ishte e zbrazët që nga viti 1992. Tani 12,1 milionë dollarë nga shitja do t’i ndajnë Serbia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia dhe Sllovenia. Kosova dhe Mali i Zi nuk janë përfshirë në këtë proces, sepse nuk konsiderohen shtete pasardhëse të Jugosllavisë. Këto dy shtete betejën juridike duhet ta zhvillojnë kundër Serbisë.

New York.



Në Park Avenue numër 730 të New Yorkut, një adresë prominente e metropolit amerikan, qe 26 vjet një banesë qëndronte e zbrazët. Mediat ballkanike e quanin «Shtëpia fantazmë e Titos». Banesa dykatëshe me një hapësirë prej më shumë se 200 metra katrorë ka katër dhoma të fjetjes, tri dhoma për mysafirë, një dhomë dite me bibliotekë, kuzhinë dhe një dhomë për ngrënie si dhe katër banja, pastaj katër ballkone. Nga kati i ‘16 dhe ‘17 i ndërtesës, ku gjendet banesa, shihen Manhattani dhe East Riveri, nga njëri ballkon mund të vështrohet lindja e diellit nga Central Parku ose, siç quhet, «mushkëritë e gjelbra» të New Yorkut.

Arsyeja përse banesa në Upper East Side në Manhattan ishte e zbrazët ka të bëjë me shpërbërjen e Jugosllavisë. Kjo banesë deri më 1992 shërbente si rezidencë e ambasadorit të Jugosllavisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York. I zemëruar me agresionin serb kundër Republikës së Kroacisë, ambasadori i fundit i Jugosllavisë në OKB në New York, Darko Siloviqi, një kroat, dha dorëheqje, por nuk pranoi t’ia dorëzonte çelësat pasardhësit të tij serb. Sipas mediave kroate Siloviqi ia dha çelësat sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të OKB-së, Boutros Boutros-Ghali.

26 vjet pasi Darko Siloviqi është larguar nga rezidenca në New York, shtetet pasardhëse të Jugosllavisë janë marrë vesh për shitjen e saj. Ministria e Jashtme e Serbisë ka njoftuar gjatë fundjavës se shtetet kanë nënshkruar në New York një kontratë për shitjen e përbashkët të rezidencës për 12,1 milionë dollarë. Këtë shumë tani do ta ndajnë mes vete Serbia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia dhe Sllovenia. Kosova dhe Mali i Zi nuk janë përfshirë në këtë proces, sepse nuk konsiderohen shtete pasardhëse të Jugosllavisë. Të dyja këto shtete me gjasë duhet të ballafaqohen juridikisht me Serbinë nëse duan ta marrin pjesën që u takon nga pronat e përbashkëta të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Marrëveshja për ndarjen e pronave të ish-Jugosllavisë u nënshkrua në Vjenë më 29 qershor 2001. Ndarja e pronave u saktësua në shtatë anekse: pronat e luajtshme dhe të paluajtshme, pronat diplomatike dhe konsullore, kërkesat financiare dhe borxhet, arkivi, pensionet, borxhet e tjera dhe pronësia private. Atëherë Kosova ishte nën protektoratin e OKB-së dhe nuk ishte marrë fare parasysh nga shtetet pasardhëse të Jugosllavisë, ndërsa Mali i Zi ishte pjesë e Jugosllavisë së cunguar bashkë me Serbinë.

Në tetor të vitit 2016 pesë shtetet pasardhëse të Jugosllavisë arritën marrëveshjen përfundimtare për të shitur me tender patundshmëritë diplomatiko-konsullore. Më parë ishte vlerësuar se vlera e patundshmërive arrinte në rreth 42 milionë dollarë. Në takimin e mbajtur në Krnaj të Sllovenisë shtetet ish-jugosllave u morën vesh që të shiten përfaqësitë diplomatike në Tokio, Bonn, Bern dhe New York. Përfaqësitë në vende të tjera janë ndarë mes shteteve pasardhëse – diku e ka marrë Serbia ambasadën, diku Kroacia, diku Bosnja, diku Maqedonia dhe diku Sllovenia. Sipas marrëveshjes për shitjen e objekteve, Serbia merr rreth 40 për qind të vlerës, Kroacia 23 për qind, Sllovenia 16 për qind, Bosnja 15,5 për qind, Maqedonia 7 për qind. Sipas disa vlerësimeve Malit të Zi mund t’i takojnë rreth 2 për qind të vlerës.

Sa i përket rezidencës në New York: nga shuma e shitjes prej 12,1 milionë dollarë janë hequr shpenzimet e mirëmbajtjes prej 3,2 milionë dollarë, të cilat i ka mbuluar Serbia që nga viti 1992. Këto para do t’i kompensohen Beogradit krahas 3,5 milionë dollarëve që do të marrë nga shitja e rezidencës.

Në mediat ballkanike viteve të fundit është spekuluar dhe dezinformuar se «rezidencën e Titos» në New York kanë dashur ta blejnë Jack Nicholsoni, Robert De Niro dhe Rihanna. Rezidenca në New York ishte blerë në vitin 1975 nga Federata Jugosllave për vetëm 100 mijë dollarë. Që nga atëherë vlera e banesës është shtuar për më shumë se 200 herë.