Shtëpi autiste dhe rrugë «copy-paste»

Zvicra dhe Kosova kanë të njëjtin problem: qytetet e tyre po zgjerohen pa kontroll dhe me pasoja negative. Dy arkitektë zviceranë kanë bërë një krahasim mes dy vendeve.

As fshat, as qytet. Pamje e ndërtimeve në Kosovë dhe në Zvicër. Foto: Architekturforum Ostschweiz



Para shtatë viteve arkitektët e rinj nga Lausanna, Guillaume de Morsier dhe Valentin Kunik, vizituan Kosovën. Duke qëndruar mbi një kodër në Kosovë, arkitektit de Morsier shumë gjëra iu duken të njohura: «E çuditshme, nga largësia këtu duket si në Zvicër». Ngjashmëria e trevave ka të bëjë me popullimin e qyteteve, shkruan gazeta «Ostschweiz am Sonntag».
Kjo përvojë e parë i shtyri arkitektët zviceranë të fillojnë një hulumtim shkencor, i cili merret me zhvillimin e lagjeve periferike në Zvicër dhe Kosovë. Bashkë me arkitektët kosovarë Guillaume de Morsier dhe Valentin Kunik ndërmorën pesë udhëtime në të dy vendet. Çfarë kanë parë, ata e kanë dokumentuar me fotografi dhe harta.

Në Forumin e Arkitekturës të Zvicrës Lindore në St. Gallen (Architekturforum Ostschweiz) ata tani i prezantojnë të gjeturat në kuadër të ekspozitës «Sprawl». «Sprawl», një fjalë angleze, përshkruan rritjen e pastrukturuar të lagjeve periferike të qyteteve. Pra, treva që s’janë as qytete, as fshatra – dhe ku dominojnë qendrat tregtare, autostradat, zonat industriale dhe vendbanimet. «All together in a kind of mess», siç e quan arkitektja italiane Paola Viganò këtë fenomen urban në një film që mund të shihet në kuadër të ekspozitës, domethënë të gjitha së bashku në një lloj rrëmuje. Filmi është një përmbledhje e 20 intervistave me ekspertë ndërkombëtarë.

Ekspozita prezanton problemet e zgjerimit të pakontrolluar të qyteteve dhe ofron disa ide për zgjidhjen e tyre. Fotografitë shoqërohen me përshkrime, shpeshherë jo pa humor. Nën fotografinë e një kopshti të rregulluar shkruan: «Little Germany». Fotografia është shkrepur në Kosovë. Dy shtëpi zvicerane përshkruhen si «njësi autiste shtëpiake», një varg shtëpish uniforme kosovare quhen ««Copy-Paste Street Design».

«Çfarë mungon në këtë ekspozitë të ngarkuar me fotografi dhe të varfër me tekste janë informatat shtesë. Për shembull: për shkak të shumë shtëpive të shkatërruara nga lufta në Kosovë është ndërtuar në mënyrë intensive nga viti 2000. Për dallim nga Zvicra ku zgjerimi urban filloi në vitet ’50 me përparimin ekonomik», shkruan «Ostschweiz am Sonntag». Ekspozita është e hapur deri më 6 nëntor, të shtunën dhe të dielën nga ora 14:00-17:00. Filmi shfaqet në orën 15:00. (dp)